2013-02-19 13:48:59

Benedikti XVI, bashkëpunëtor i së Vërtetës


“Kisha e dashurisë është edhe Kisha e së vërtetës”. Që në fillim të Papnisë së tij, Benedikti XVI vuri theksin mbi thelbin qendror të dëshmisë të së vërtetës ungjillore. Një sfidë të cilën në realitet, mund të themi, i krishterit Jozef Ratcinger e ka në gjak, që në vitin 1977, kur si moto ipeshkvnore të tij pati zgjedhur formulën Cooperatores Veritatis, “Bashkëpunëtor i së Vërtetës”, marr nga një fragment i Letrës së Tretë të Gjonit.
“Sa rrymë doktrinash kemi njohur në këto dekada të fundit, sa rrymë ideologjike, sa moda të mendimit”. Mirëpo ne “kemi një tjerë masë: të Birin e Zotit” që “na dhuron kriterin për të shqyrtuar e për të dalluar të mirën nga e keqja, të vërtetën nga gënjeshtra”. Kur Jozef Ratcinger i shqiptoi këto fjalë, më 18 prill 2005, ishte akoma “vetëm” dekan i Kolegjit kardinalor. Por, me kalimin e historisë, është lehtë të vërejmë se si në atë homeli mbi “diktaturën e relativizmit” Papa i ardhshëm i pat treguar Kishës njërën ndër sfidat më urgjente të kohëve tona. E edhe sfida e përhershme është pikërisht: dëshmimi i së vërtetës. Po çka është e vërteta, madje kush është e vërteta për Papën Benediktin XVI, dhe a mund ta posedojmë këtë të vërtetë?
Sigurisht, nuk jemi ne që e posedojmë të vërtetën, por është ajo që na posedon ne: Krishti që është e vërteta, që na ka marrë për dore, e në udhën e kërkimit tonë të pasionuar të njohurisë, ne dimë që dora e tij na mbanë fort, në mënyrë të qëndrueshme. Kur dora e Krishtit të mbështet, atëherë ndjehesh i lirë e njëkohësisht i sigurt”. (Fjalimi Kuries Romake, 21 dhjetor 2012 )
Pra e vërteta është një Person, Jezu Krishti. Në anën tjetër, vëren Papa në enciklikën e tij të parë Deus caritas es (Zoti është dashuri), në fillim të Krishterimit “nuk ekziston një vendim etik apo një ide e madhe”, po pikërisht “takimi” me këtë Person. Sa më shumë ky takim është autentik, vëren Papa Ratcinger, aq më tepër jemi të thirrur t’i pranojmë flijimet e persekutimet:
Kush merr pjesë në misionin e Krishtit në mënyrë të pashmangshme duhet të ballafaqohet me mjerime, me mundime, me kundërshtime e vuajtje, sepse ndeshet me rezistencën dhe pushtetet e kësaj bote”. (Audienca me anëtarët e Veprave Misionare Papnore, 21 maj 2010).
E vërteta, nuk lodhët kurrë së pohuari Papa Benedikti XVI, nuk është e shkëputur apo e ndarë nga dashuria. Në të njëjtën kohë, shpjegon në enciklikën Caritas in veritate, “pa të vërtetën, dashuria përulet e kalon në sentimentalizëm. Dashuria bëhet guaskë e zbrazët, për t’u mbushur sipas dëshirës personale e individuale”. “Ky është rreziku themelor e vendimtar i dashurisë në një kulturë pa të vërtetën”, vëren Papa. Ja se pse atëherë feja, e cila nuk duhet të jetë kurrë pengesë, po përkundrazi, duhet të bëhet dritë që shndrit udhën drejt së vërtetës:
“Para një qëndrimi e një sjellje të tillë që anon ta zëvendësojë të vërtetën me konsensus, që shumë lehtë manipulohet, feja e krishterë ofron përkundrazi një kontribut vërtetësie edhe në fushën etike e filozofike, jo duke furnizuar zgjidhje të paramenduara e të paracaktuara ndaj problemeve konkrete si kërkimi dhe eksperimentimi biomjekësor, por duke propozuar perspektiva morale të besueshme e të qëndrueshme brenda së cilave arsyeja njerëzore mund të kërkojë e të gjejë zgjidhje të vlefshme”. (Audienca me Kongregatën për Doktrinën e Fesë, 15 maj 2010).
Në kuadrin e kërkimit të së vërtetës, vendoset impenjimi i madh i Benediktit XVI për të përforcuar dialogut ndërmjet fesë e arsyes. Një binom, ky, që karakterizon papninë e tij. Edhe arsyeja, është i bindur Papa teolog, ndihmon në afrimin te Zoti:
“Dialogu ndërmjet fesë e arsye, nëse udhëhiqet me sinqeritet e rigorozitet, ofron mundësinë e perceptimit, në mënyrë më efikase e bindëse, të arsyes së fesë apo të besimit në Zotin – jo në një Zot dosido por në atë Zot që është dëftuar në Jezu Krishtin – e po kështu tregohet që në të njëjtin Jezu Krisht gjendet plotësimi i çdo autenticiteti njerëzor”. (Dialogu në Simpoziumin e dioqezës së Romës, 5 qershor 2006).







All the contents on this site are copyrighted ©.