2013-02-18 16:29:29

Kardinali Sarah në Jordani për të marrë pjesë në forumin mbi ndihmat humanitare


Nga data 19 deri më 21 shkurt, Presidenti i Këshillit Papnor Cor Unum, kardinali Robert Sarah, bashkë me Sekretarin e Dikasterit të Vatikanit, imzot Giampietro Dal Toso, shkon në Jordani, ku janë ftuar të marrin pjesë në forumin rajonal të Karitaseve të Lindjes së Mesme, të Afrikës Veriore e të Birit të Afrikës. Kështu njofton në një komunikatë Salla e Shtypit të Selisë së Shenjtë, duke saktësuar se takimi përbënë një rast të rëndësishëm e të volitshëm për të shqyrtuar çështjen e ndihmave humanitare që ofrohen nga organizmat bamirëse katolike, në mënyrë të veçantë nga Karitasi, për refugjatët dhe viktimat e konfliktit të dhunshëm në Siri.
Në forumin e përmendur do të jenë të pranishëm përfaqësuesit e të gjitha Karitaset lokale rajonale. Situata në aspektin humanitar në Vendet e rajoneve të përmendura – vijon njoftimi i Sallës së Shtypit të Vatikanit – është jashtëzakonisht e rëndë, madje e padurueshme. Sipas disa të dhënave flitet për 1 milion refugjatësh, mbi 2,5 milion të pastrehësh, gati 100 mijë të vdekur shkaktuar nga dhuna e përgjakshme e të tjerë akoma, vërtetë një numër i madh i popullsisë, që nuk mund të numërohet, e që është varfëruar në mënyrë
të skajshme si pasojë e luftës.
Dimri i egër po kontribuon edhe më shumë në rritjen e vuajtjeve të mjerueshme të një populli, që është dërmuar nga lufta, varfëria dhe situata e paqëndrueshme shoqërore, në mënyrë të veçantë ata që pësojnë më shumë, janë shtresat më të dobëta të shoqërisë, fëmijët, gratë e të moshuarit.
Gjatë udhëtimit, kardinali Sarah dhe Sekretari i Cor Unum do të vizitojnë edhe vendet ku janë strehuar njerëzit, që kanë ikur prej luftimeve në Siri. Vizita tek refugjatët do të organizohet me Karitasi i Jordanisë e nga realitetet tjera bamirëse katolike që janë aktive me veprimtaritë e tyre humanitare në asistencën e në ndërhyrjet humanitare në këto zona. Po kështu, gjatë vizitës, parashikohet një takim i kardinalit Sarah me Mbretin e Jordanisë, Abd Allah II in al-Husayn.







All the contents on this site are copyrighted ©.