2013-02-18 13:33:02

Dukja e shkurtër e Papës Çelestinit V


Papa Çelestini V është figurë, që njihet shumë edhe përmes Ferrit të Dantes, i cili, në Këngën III, vargu 60, duke e takuar simbolikisht shpirtin e tij të dënuar, shkruan: “Mbasi disa dallova n’ atë kalim/ Unë hijen e atij njoha e pashë/ Që për dobi kreu t’randin mosporanim”(përkthimi është i Pashko Gjeçit), vargje jo të lehta për t’u komentuar. Pietro Marove, Çelestini V i ardhshëm, lindi më 1209 ose në fillim të vitit 1210. Burimi më i sigurtë për jetëshkrimin e tij është “Vita Coelestini”, ku lexojmë se kur vdiq, i harruar nga bota, më 19 maj 1296, i kishte mbushur 87 vjeç.
Pjetri u zgjodh papë në vitin 1294. Hyri në Akuila, qytet ku do të kurorëzohej më 28 korrik, i hipur mbi një gomar. Por, sapo ishte ulur në fronin papnor, nisi të mendonte menjëherë për të dhënë dorëheqjen. Ishte njeri me shpirt vetmitari, që i pëlqente heshtja e lutja, larg zhurmave të botës. Kaloi si meteor në historinë e papnisë e u zhduk pas portës së një kuvendi, në Akuila, ku edhe i mbylli sytë për dritën e kësaj bote, që më shumë e kishte vrarë, sesa ndritur.
Më 4 korrik 2010, në sa Vizitonte Sulmonën, Benedikti XVI i pati ftuar të gjithë të jetojnë thjeshtë, sipas shembullit të Shën Çelestinit V, sepse një jetë e tillë siguron lirinë e mendjes e të zemrës. Kishës i kërkoi ta kumtojë me guxim Ungjillin edhe në çaste persekutimesh; besimtarëve, të shkëputen nga shqetësimet e tepërta për gjërat e përditshme:
“… kumtimi i qetë, i qartë e i guximshëm i mesazhit ungjillor, edhe në çaste persekutimi, pa iu nënshtruar joshjes së modës, dhunës as imponimit; shkëputja nga shqetësimet për gjëra, si paraja e veshjet, duke u mbështetur fort në provaninë e Atit; vëmendja e kujdesi i posaçëm për të sëmurët në korp e në shpirt (cfr Lk 10, 5-9). Këto ishin edhe karakteristikat e papnisë së shkurtër e të vuajtur të Çelestinit V e këto, edhe karakteristikat e veprimtarisë misionare të Kishës në çdo epokë”, pati nënvizuar asokohe Benedikti XVI.
Duke kujtuar, më pas, se pikërisht atë ditë kremtohej 800-vjetori i lindjes së Shën Çelestinit V, e se me këtë rast u shpall edhe një Vit jubilar çelestinian, që do të përfundonte në gusht të të njëjtit vit, Benedikti XVI theksoi se shenjtëria nuk është kurrë jasht mode:
“Shenjtëria nuk e humbet kurrë forcën e saj tërheqëse, nuk del jashtë mode, madje, me kalimin e kohës, shkëlqen gjithnjë më shumë, duke shprehur tensionin e përhershëm të njeriut drejt Zotit”.
Benedikti XVI e quajti Çelestinin V, njeri që kërkoi Zotin në heshtje të plotë, sepse kështu mund të dëgjohet zëri i Hyjit, i vetmi që është i aftë ta drejtojë njeriun në jetë. Ftoi, prandaj, të reflektohet për këtë edhe në shoqërinë tonë, në të cilën çdo hapësirë e çdo çast duket se duhet mbushur me nisma, me veprimtari, me tinguj. Shpesh, nënvizoi Benedikti XVI, njeriu nuk ka kohë as për të dëgjuar ç’i thotë tjetri, e aq më pak, për të dialoguar:
“Nuk duhet të kemi frikë të krijojmë heshtje jashtë e brenda nesh, në se duam të bëhemi të aftë për të perceptuar jo vetëm zërin e Zotit, por edhe atë të njerëzve, që kemi pranë, të të tjerëve”.
Papa kujtoi edhe një mësim tjetër të Çelestinit V: “Gjithçka kemi në jetë, është dhuratë e Zotit!”.
Në qendër të jetës së Çelestinit V ishte gjithnjë Krishti, ishte Kryqi. Kryqi, pohoi më pas Benedikti XVI, e pajisi Shenjtin me vetëdijen e qartë të mëkatit, por dhe të mëshirës së pafundme të Zotit.
Nga qyteti i Sulmonës, në çastin e lutjes së Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI i kërkoi Kishës ta drejtojë si duhet njeriun, që kërkon Zotin:
“Besnike ndaj trashëgimisë së Shën Çelestinit V, ta lidhë ngushtë besnikërinë e plotë ndaj Ungjillit me mëshirën, në mënyrë që ata, të cilët kërkojnë Zotin, të mund ta gjejnë”.
Papa i ftoi të gjithë për një jetë të thjeshtë e të përvujtë, duke kërkuar vetëm atë, që është vërtet e domosdoshme:
“Edhe ne, që jetojmë në një epokë me lehtësi e mundësi më të mëdha, jemi të thirrur ta çmojmë stilin e jetës së përkorë, për t’i ruajtur të lira mendjen e zemrën e për t’i ndarë pasjet tona me vëllezërit”.
Në një kohë, kur Papa Benedikti XVI përgatitet të mbyllet në heshtje, larg bote, në një manastir klauzure, të duket sikur mendonte për vete, atë ditë kur fliste për një papë tjetër, shumë të largët në kohë, që e kishte ndërruar fronin e Papës, me qelën e zhveshur të murgut. Dante e pati flakur në ferr, po Kisha e lartoi në nderimet e elterit, me vetëdijen se duhet të ishte lartuar më parë në lumturinë e Parajsës.







All the contents on this site are copyrighted ©.