2013-02-17 09:17:18

Shenjtorët e javës 17 - 24 shkurt


E diel 17 shkurt, Kisha katolike kremton të dielën e 1-të të Kohës së Krezhmëve, që paraprin dhe përgatit festën e Pashkëve të mundimit, vdekjes me kryqëzim dhe ngjalljes së Jezu Krishtit, Shpëtimtar.
E gjithnjë më 17 shkurt kalendari kishtar përkujton edhe Shtatë themeluesit e Urdhrit të Shërbëtorëve të Virgjërës Mari, ndërmjet të cilëve Aleks Konfalonieri.
Nё kёtё të diele të parë të kohës liturgjike të Krezhmëve, pra, nisim rrugëtimin shpirtëror, që na çon drejt Pashkës së Ngjalljes së Jezu Krishtit. Leximet biblike na shoqërojnë në zbulimin e fytyrës së Zotit-dashuri e në zbulimin e pagëzimit tonë në Krishtin Zot e Shpëtimtar. Janë lexime biblike, që përmbajnë shpalljen e gjithçkaje Zoti bëri për shëlbimin e njerëzimit, me anë të dashurisë së Tij të pakufishme.
Të hënë më 18 shkurt kalendari përkujton të Lumi Gjovani nga Fiesole, i njohur me emrin i lumi Angjeliko, meshtar domenikan. Festa e tij na kujton sa i madh është ndryshimi ndërmjet asaj që themi e asaj që bëjmë. Duke pasur për model Atin qiellor e për mësues Krishtin, të mos harrojmë kurrë se duhet të sillemi si shërbëtori para zotërisë e si nxënësi para mësuesit.
Të martën më 19 shkurt, kalendari liturgjik përkujton shën Konrad Konfalonierin. Ungjilli i kësaj sdite na flet për Jezusin që shëron një njeri të sëmurë të paralizuar. Vërejmë fenë e miqve të të sëmurit që bëhet gjest konkret, e kështu të sëmurit iu dha mundësia të takonte Mësuesin Hyjnor e të fitonte shërimin e plotë.
Të mërkurën me 20 shkurt bie përkujtimi I Shën Eleuterit dhe shën Leonit të Katanies, ipeshkëv. Liturgjia e ditës na kujton se kush beson në Zotin, lëshohet në dorë të tij si fëmijët në duart e prindërve.
Të enjten më 21 shkurt, kalendari përkujton shën Pier Damianin, ipeshkëv i Ostia-s, kardinal e doktor të Kishës. Liturgjia e ditës na kujton se Jezusi është kundër sjelljeve formale, dokeve e zakoneve meskine, krijuar nga traditat njerëzore, që ndryshojnë me kohë, sepse e zvogëlojnë shpirtin e njeriut. Zoti do që njeriu të ecë në rrugën e së mirës me vetëdije e liri të plotë.
Të premten që vjen më 22 shkurt, kalendari përkujton shën Maksimianin e Ravenës e shën Margaritën e Kortonës. Në liturgji besimtari me Psalmistin e larton zërin plot besim drejt qiellit duke thënë: “Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon!”.
Të shtunën më 23 shkurt, kalendari kishtar përkujton Shën Polikarpin, ipeshkëv i Smirnës e martir dhe Shën Gjyzepinen Vanini, virgjër. Ata na kujtojnë se Ati është gjithnjë te pragu, në pritje të kthimit tonë. Tek ai nuk paraqitemi si shërbëtorë, sepse një të arritur, Ai, na jep përsëri menjëherë dinjitetin e pafundmë të bijve të vet.
Të dielën e ardhshme më 24 shkurt, Kisha do të kremtojë të dielën e dytë të Krezhmëve, e gjithnjë më 24 shkurt kalendari kishtar përkujton edhe shën Sergjin, Evecin e Pjetrin, martirë. Liturgji e së dielës na kujton domethënien e thirrjes së Hyjit Atë mbi malin e shndërrimit për ta dëgjuar zërin e të Birit të Tij të dashur, Jezu Krishtit. Dëgjimi i zërit të Zotit, në lutje, është fryt feje e besimi. Në udhëton drejtë Pashkëve, Krishti Ngjallur i dëftohet atij njeriu që e kërkon me zemër të sinqertë.







All the contents on this site are copyrighted ©.