2013-02-17 09:15:06

Dorëheqja e Papës në reagimet e ipeshkvijve shqiptarë


Java e kaluar do të mbahet mend nga e gjithë bota e do të kujtohet mirë edhe nga Kisha Katolike. Më 11 shkurt, në Koncistorin e thirrur për tri shenjtërime të reja, Papa Benedikti XVI shpalli solemnisht se do të japë dorëheqjen, duke filluar nga data 28 shkurt, në orën 20.00.
“I përqendruar” dhe “ i vendosur”: kështu e përshkroi Papën zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi, kur iu desh, menjëherë pas lajmit, të informonte gazetarët, me një konferencë shtypi, që tashmë, është bërë e përditshme. Vendimin, siç sqaron gazeta vatikanase “L’Osservatore Romano”, Jozef Racinger e ka marrë që pas udhëtimit në Kubë e në Meksikë, marsin e vitit të kaluar, por ua ka komunikuar vetëm dy ditë para 11 shkurtit, dekanit të kolegjit kardinalor, Anxhelo Sodano dhe Sekretarit të Shtetit, Tarçizio Bertone, i cili është edhe Kamerlengu i Kishës Katolike, pra, ai, që do të marrë në dorë udhëheqjen e saj nga çasti i fillimit të Selisë Vakante.
Siç po bën edhe këto ditë, Papa Benedikti XVI do të ndjekë kalendarin e veprimtarive, të përcaktuara më parë, që do të kurorëzohet me audiencën e përgjithshme të së mërkurës, 27 shkurt. Parashikohet pjesëmarrje e jashtëzakonshme, prandaj, audienca do të mbahet në Sheshin e Shën Pjetrit e jo në Sallën e Palit VI. Më 28 shkurt, në orën 18.00, Ati i Shenjtë do të shkojë me helikopter në Kastel Gandolfo, për t’u kthyer në Vatikan, në kuvendin e klauzurës, që ka zgjedhur si banesë, vetëm pas përfundimit të Konklavit për zgjedhjen e Papës së ri. Përveç murgeshave vizitandine, që do të kujdesen për Papën në kuvend, me të do të banojnë edhe Sekretari i tij personal, imzot Georg Genshvajn dhe laiket e shuguruara “Memores Domini”, që i shërbejnë zakonisht.
Si ta interpretojmë vendimin e Papës? Vlen për të gjithë, komenti i kardinalit Kamilo Ruini, i cili foli qartë: “Si katolik e si meshtar, më parë se si kardinal, mendoj se vendimet e Papës nuk diskutohen, por pranohen, edhe kur shkaktojnë dhimbje. Benedikti XVI ka dashur e u ka shërbyer gjithnjë Krishtit, Kishës dhe njerëzimit, me jetën dhe me papninë e tij. Në këtë rrethanë të veçantë, të lutemi, pra, për të, për Kishën e për familjen njerëzore”.
Por të dëgjojmë edhe komentet e ipeshkvijve shqiptarë, imzot Anxhelo Masafra, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë e kryeipeshkëv metropolit i Shkodrës, imzot Rrok Mirdita, kryeipeshkëv metropolit i Tiranës dhe imzot Zef Gashi, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Shën Çirili e Metodi e kryeipeshkëv i Tivarit….RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.