2013-02-16 19:32:36

Kardinali Skola: Papa i kërkon Lombardisë të jetë zemra e fesë në Evropë


Lombardia duhet të jetë zemra e fesë në Evropë: ky është thelbi i fjalëve të Papës Benedikti XVI, i cili priti sot ipeshkvijtë e këtij rajoni të Italisë, në vizitë “ad Limina” në Vatikan. Menjëherë pas audiencës, ftuam në mikrofonin tonë, kryeipeshkvin e Milanos, kardinalin Anxhelo Skola:
I paraqitëm Papës, me realizëm, dritat e shumta, që shndrisin në Kishën lombarde. Ne kemi një bazë katolicizmi popullor, akoma mjaft të shëndoshë, që gjatë këtyre viteve, falë Koncilit II të Vatikanit, ka mësuar, për shembull, të marrë pjesë në meshë me një seriozitet e vëmendje, që të bëjnë përshtypje. Kur vizitoj famullitë e Milanos, në kundërshtim me çthuhet nganjëherë pa u menduar, vërej pjesëmarrje të jashtëzakonshme, njerëz që rrinë në këmbë dy orë në meshë. Prindërit i sjellin të gjithë fëmijët për të marrë Sakramentet. Në Milano është rritur edhe numri i të rinjve të shkollave të mesme, që duan të marrin pjesë në orën e fesë. Shoh edhe shenja të mëdha bamirësie. Në të gjithë Lombardinë, veprimtaria e Kishës është e rëndësishme, përmes Karitasit e mijëra mjeteve të tjera, aq sa institucionet shtetërore nuk mund të mbahen pa këtë ndihmë. Më delikate, është gjendja kulturore. Ka vështirësi në dëshmimin e fesë, në çuarjen e përvojës së bashkësisë fetare në çdo familje, në ambientin e punës e në fushat e tjera të jetës. Papa nguli këmbë në transmetimin e gëzimit të fesë, temë e rëndësishme e papnisë së tij. Lombardia, na tha, duhet të jetë zemra e fesë në Evropë.
Hirësi, Konferenca Ipeshkvnore e Lombardisë ishte e fundit, që u takua me Papën para 28 shkurtit. Si e latë?
Ishim shumë të mallëngjyer, të gjithë ipeshkvijtë, një për një. Papa na përshëndeti dy herë, në fillim e në fund, na dhuroi një kryq e të gjithë ipeshkvijtë i shfaqën dashurinë e tyre e të besimtarëve. Mallëngjimi ishte i madh, vetëm Papa ishte më i qetë se ne. I thamë se e ndjejmë mbi vete përgjegjësinë e të fudnmëve, që priti në audiencë, gjatë vizitës “ad Limina”. Na u përgjigj: “Kjo përgjegjësi do të thotë se duhet të bëheni dritë për të gjithë”. Shpresojmë të jemi në gjendje.








All the contents on this site are copyrighted ©.