2013-02-16 17:18:22

Atë Lombardi: Konklavi, ndoshta, para gjysmës së marsit. Papa në Kastel Gandolfo për dy muaj


Në konferencën e sotme për shtyp, pasi u takua me Papën Benedikti XVI, i cili i tha të përshëndesë gazetarët, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi, konfirmoi veprimtaritë e sotme e të nesërme të Atit të Shenjtë dhe hodhi hipotezën se Konklavi mund të zhvillohet para gjysmës së marsit, nëse të gjithë kardinajtë do të kenë ardhur në Vatikan. Gjithashtu, sqaroi se Papa, pasi të shkojë në Kastel Gandolfo, më 28 shkurt, do të qëndrojë atje dy muaj.
Banesa e Kastel Gandolfos nuk do të mbyllet, pasi në të nuk ka dokumente të veçanta, ashtu si në apartamentin papnor në Vatikan. Gjatë dy muajve do të përfundojë edhe restaurimi i kuvendit të klauzurës, ku do të shkojë më vonë Benedikti XVI. Atë Lombardi theksoi se vendimi për t’u kthyer në Vatikan është marrë për arsye “logjistiko-organizative, por edhe për të qenë në bashkim e në vazhdimësi shpirtërore me pasardhësin”.
Nesër, në orën 18.00, fillojnë ushtrimet shpirtërore të Krezhmëve, në praninë e Papës, i cili nuk do të ketë veprimtari gjatë javës së ardhshme, përveçse një takimi të shpejtë me sekretarin e tij personal, imzot Georg Genshvajn, për urgjencat e ditës. Tri meditimet e përditshme të kardinalit Xhanfranko Ravazi, që sivjet mban ushtrimet shpirtërore, do të transmetohen në “podcast” nga Radio Vatikani. Çdo mbrëmje, njëra prej tyre do të transmetohet edhe në valët e radios, e do të ketë edhe një sintezë të të trejave në buletinin e saj. Më vonë, reflektimet do të botohen në formën e plotë. Në përfundim të ushtrimeve shpirtërore, konfirmohet takimi me presidentin italian Xhorxho Napolitano, që akoma nuk dihet nëse do të jetë publik, apo privat. E duke pasur parasysh 27 e 28 shkurtin, atë Lombardi tha:
“Sipas Prefekturës së Shtëpisë Papnore, për Audiencën e përgjithshme të 27 shkurtit, kanë lajmëruar se do të vijnë 35 mijë vetë deri tani e, natyrisht, shifra do të rritet. Besimtarët dhe autoritetet mund ta përshëndesin Atin e Shenjtë, në këtë rast të fundit, në të cilin Papa do të jetë i pranishëm publikisht. Ndërsa, më 28 shkurt, siç e kemi thënë, do të zhvillohet takimi me Kolegjin e kardinajve dhe nisja për Kastel Gandolfo, pasdite”.
Atë Lombardi saktësoi se kur Papa të mbërrijë në Kastel Gandolfo, me heikopter, ka gjasa të ketë një çast përshëndetje për besimtarët, me Benediktin XVI në shesh.
Zëdhënësi i Selisë së Shenjtë foli edhe për lajmet, që janë përhapur nga shtypi e televizioni, përsa u përket bisedave ndërmjet Papës dhe Peter Sevald, biografit, me të cilin u realizua libri-intervistë “Drita e botës” e të cilit Jozef Racinger i pati thënë “mund të mjaftojë ç’kam bërë deri tani”. Atë Lombardi sqaroi se këto biseda janë zhvilluar në nëntorin e në dhjetorin e kaluar, prandaj nuk përbëjnë lajm të ri. Qëllimi ishte shkrimi i biografisë së Benediktit XVI.
Duke iu kthyer temës së Konklavit për zgjedhjen e Papës së ri, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit shpjegoi se ai mund të fillojë para 15-20 marsit, në ndryshim nga afati i parashikuar në Kushtetutë, vetëm nëse të gjithë kardinajtë do të jenë të pranishëm në Romë:
“Në Kushtetutë thuhet ndërmjet ditës së 15-të e asaj të 20-të, por ky afat përdoret “për të pritur”, pra për t’u dhënë atyre, që kanë nevojë, kohën e duhur për të ardhur në Vatikan. Në rast se kardinajtë do të jenë të gjithë këtu, Kushtetuta mund të interpretohet ndryshe”.
I pyetur nga gazetarët pse në editorialin e sotëm për Radio Vatikanin, e quan dorëheqjen e Papës “akt qeverisjeje të Atit të Shenjtë”, atë Lombardi saktësoi:
“Sepse është pjesë e një perspektive, siç e ka thënë vazhdimisht ai vetë, në të cilën Kisha shkon përpara, në të cilën Kisha ka energji të tjera. Papa ka parasysh zgjedhjen e një pasardhësi, që të ketë – siç e tha ai vetë – fuqi në korp e në shpirt, një personalitet që mund të përballojë sfidat e kohës sonë në mënyrë të përshtatshme, gjë që, ai vetë e ndjente se po bëhej e vështirë me kalimin e kohës dhe me pakësimin e forcave”.
Së fundi, i pyetur për presidentin ri të IOR-it (Instituti për Veprat Fetare), atë Lombardi saktësoi se si presidenti i ri, ashtu edhe Këshilli Mbikqyrës, në të cilin merr pjesë tani edhe Ernst von Freyberg, do ta plotësojnë mandatin e tyre në vitin 2018.








All the contents on this site are copyrighted ©.