2013-02-15 13:10:22

Çelësi i fjalëve të Kishës: Eukaristia në "Besojmën" e Palit VI


Të dashur dëgjues, në emisionin e javës së kaluar të kësaj rubrike, duke vazhduar t’ju njohim me “Besojmën” e Papës Pali VI, u ndalëm në momentin kur Ati i Shenjtë shpall se të krishterët besojnë në një Kishë të vetme dhe se Mesha e kremtuar nga meshtari, është Flijimi i Kalvarit, i pranishëm në mënyrë sakramentore, në elter. Pali VI vazhdon të shpjegojë më pas se Krishti ndodhet pikërisht në bukën e verën, që meshtari i ngre drejt qiellit për t’i shuguruar. Por të dëgjojmë, si vijon Papa, duke ju kujtuar se Ati i Shenjtë e pati shqiptuar këtë “Besojmë” nga Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan, më 30 qershor 1968, në përfundim të Vitit të Fesë, shpallur për të kremtuar 1900-vjetorin e martirizimit të shën Pjetrit e të shën Palit:
“Krishti nuk mund të jetë i pranishëm në këtë Sakrament – vazhdon të flasë për Eukaristinë, Papa Pali VI – veçse përmes shndërrimit të bukës në Korpin e Tij e përmes shndërrimit të verës në Gjakun e Tij, ndërsa mbeten të pandryshuara vetëm cilësitë e bukës e të verës, që i perceptojmë me anë të shqisave. Ky shndërrim i mistershëm quhet nga Kisha, me plot të drejtë, transubstanciacion (pra shndërrim i substancës, i thelbit të lëndës).Çdo shpjegim teologjik, që përpiqet ta shqyrtojë në një farë mënyre këtë mister, për të qenë në përkim me fenë katolike, duhet të ngulë këmbë në faktin se në realitetin objektiv, pavarësisht nga ne, buka e vera nuk ekzistojnë më pas shugurimit, pasi, që nga ai çast kemi përpara Korpin dhe Gjakun e adhurueshëm të Zotit tonë Jezu Krisht, në formën e lëndëve sakramentore të bukës e të verës (shih Dz.-Sch. 1642, 1651-1654; Pali VI, Litt. Enc. “Mysterium Fidei”), pikërisht ashtu si deshi Zoti, për të na u dhuruar neve si ushqim e për të na bashkuar me Korpin e Tij Mistik (shih S. Th. III, 73, 3).
Ekzistenca e vetme dhe e pandashme e Hyjit të lavdishëm në Qiell nuk shumëfishohet, por bëhet e pranishme nga Sakramenti në vende të shumta të tokës, ku kremtohet Mesha. Pas Flijimit, kjo prani mbetet në të Shenjtnueshmin Sakrament, në tabernakull, zemra e gjallë e secilës prej kishave tona. E është për ne detyrë jashtëzakonisht e ëmbël të nderojmë e të adhurojmë në Hosten Shenjte, që na shohin sytë, Fjalën e Mishëruar, që s’mund të shihet e që, pa zbritur nga Qielli, bëhet e pranishme para nesh.
Ne rrëfejmë se Mbretëria e Zotit, filluar këtu poshtë në Kishën e Krishtit, nuk është e kësaj bote, e cila kalon; e zhvillimi i saj i vërtetë nuk mund të ngatërrohet me përparimin e qytetërimit, të shkencës e të teknikës njerëzore, por ka të bëjë me njohjen gjithnjë e më të thellë të trashëgimisë së pashqyrtueshme të Krishtit, me shpresën gjithnjë e më të madhe në pasuritë e amshuara, me përgjigjen gjithnjë e më të zjarrtë ndaj dashurisë së Zotit dhe, në dëshmimin gjithnjë e më të plotë të hirit e të shenjtërisë ndërmjet njerëzve. Por është pikërisht kjo dashuri, që e bën Kishën të shqetësohet vazhdimisht për pasuritë e vërteta tokësore të njerëzve. Ndërsa nuk pushon s’u kujtuari bijve të vet, se nuk kanë banesë të përhershme këtu poshtë, ajo i nxit edhe të kontribuojnë – secili, sipas thirrjes dhe mjeteve të veta – për të mirën e qytetit të tyre tokësor, të promovojnë drejtësinë, paqen, vëllazërimin ndërmjet njerëzve, të ndihmojnë vëllezërit, sidomos më të varfërit dhe më nevojtarët. Kujdesi i veçantë i Kishës, Nuses së Krishtit, për nevojat e njerëzve, për gëzimet e shpresat e tyre, për përpjekjet e travajët e tyre, nuk është tjetër, veçse dëshira e saj e madhe për të qenë e pranishme, për t’i shndritur me dritën e Krishtit e për t’i mbledhur rreth Tij, Shëlbyesit të tyre të vetëm. Ky kujdes nuk do të thotë kurrë se Kisha pajtohet me gjërat e kësaj bote, apo se e pret me më pak zjarr Zotin e Mbretërinë e amshuar”.








All the contents on this site are copyrighted ©.