2013-02-15 15:55:40

Kryeipeshkvi Skola: “Vendimi i Papës, për të mirën e Kishës”


Kryeipeshkvi i Milanos, kardinali Angelo Scola, u shkruan besimtarëve një letër, që do të lexohet në të dielën e parë të Kreshmëve, pra pasnesër, më 17 shkurt. Vendimi i Benediktit XVI për të dhënë dorëheqjen më 28 shkurt ka të bëjë me vetëdijen, para Zotit, se kjo është në të mirën e Kishës, nënvizon kardinali. Papa e ka marrë këtë vendim në liri të plotë e, përmes tij, vazhdon të na përforcojë në fe.
Sipas kardinalit Scola, “dëshmia e Papës tregon ç’është jeta e plotë, e begatë, në gjendje të matet me fatin e njeriut, me Jezusin”. Secilit prej nesh, vazhdon kryeipeshkvi i Milanos, i takon tani “përgjegjësia për ta shoqëruar kolegjin kardinalor në mënyrë që të pranojë nismën e Shpirtit Shenjt për zgjedhjen e Papës së ri”.
Gjatë meshëve të së dielës së ardhshme, do të ketë edhe dy ndjete, kushtuar Benediktit XVI dhe Kishës. Për Papën, sqaron kardinali, do të luten ata, të cilët i janë mirënjohës për ndihmën, që u ka dhënë në udhën e fesë, përmes magjisterit të tij. Për Kishën, nënvizon kryeipeshkvi i Milanos, duhet t’i kërkojmë të gjithë Zotit, ta jetojë këtë kohë, e bashkuar në lutje, në dashuri e shpresë, në pritje të Papës së ri, që Shpirti i Shenjtë do t’i dhurojë grigjës së Krishtit për të vazhduar misionin e kumtimit të Ungjillit për çdo krijesë.
Që nga 1 marsi, pra nga dita e fillimit të Selisë Vakante, gjatë kremtimeve kishtare nuk do të përmendet më Benedikti XVI. Nga 4 marsi, në meshët e ditëve të zakonshme, por jo të premten, do të jetë e mundur të përdoret rendi i meshës për zgjedhjen e Papës, si në kishat e ritit romak, ashtu edhe në ato të ritit ambrozian.








All the contents on this site are copyrighted ©.