Islami në Itali: habia e madhe, por edhe respekti i madh për vendimin e Papës
Lajmi për dorëheqjen e Benediktit XVI vijon të jehojë në mbarë botën, duke i prekur
thellë njerëzit, besimtarë e jo besimtarë. Posaçërisht të prekur, besimtarët e feve
të mëdha monoteiste, që e ndjejnë veten shumë pranë jetës së Kishës Katolike, në një
çast kaq të veçantë. Regjistruam, për programin tonë, komentet e dy përfaqësuesve
të Islamit në Itali. Të dëgjojmë, së pari, komentin e doktor Abdellah Redouane,
sekretar i përgjithshëm i Qendrës islamiko-kulturore të Italisë, që përfshin edhe
Xhaminë e Romës:
Përgjigje: - Reagimi im i parë ishte mosbesimi.
Por mbasi lajmi u konfirmua, mosbesimi ia lëshoi vendin çudisë. Dëshiroj të shfrytëzoj
rastin, në emër të Qendrës islamiko-kulturore të Italisë, për t’i shprehur Papës urimet
tona më të përzemërta, e si besimtarë, i lutemi Zotit ta ndihmojë në këtë çast, pas
një vendimi kaq të vështirë, duke kujtuar, gjithnjë si besimtarë, se mëshira e Zoti
është e pambaruar.
Pyetje: - Keni pasur rastin ta njihni personalisht
Benediktin XVI?
Përgjigje: - E kam takuar tri herë, në rrethana
të ndryshme. Ajo, që më prek më shumë në këtë vendim, është mbi të gjitha përmasa
e humanitetit dhe e përvujtërisë, që vijnë nga Pasardhësi i Shën Pjetrit. Diçka e
jashtëzakonshme, mesazh tejet i rëndësishëm.
Pyetje: - Ç’mund të
na thoni për dialogun me Islamin gjatë kësaj papnie?
Përgjigje: -
Marrëdhëniet me Islamin, siç e dimë të gjithë, kanë hasur në disa vështirësi, por
nuk më duket e arsyeshme të flasim për këtë, pikërisht në këtë rast. Ajo që mund
të bëjmë tani, është ta ndihmojmë Papën e t’i krijojmë një atmosferë të qetë në këto
çaste, aspak të lehta për të e për Kishën.
Pyetje: - Papa ka folur
shpesh lidhur me impenjimin e feve për paqen, duke dënuar të gjitha tipet e fondamentalizmit...
Përgjigje:
- Ky është qëndrim, që duhet ta mbajnë të gjithë besimtarët, e edhe të
gjithë burrat e gratë vullnetmira. Është rruga e drejtë. Ftesës së tij duhet t’i përgjigjen
të gjithë, sepse nuk është e thënë se duhet vetëm të dialogojmë, duhet edhe të ecim
e të shkojmë në të njëjtin drejtim, sepse jemi të gjithë në të njëjtën barkë, si familje
njerëzore e si besimtarë.
Po vijojmë me komentin e dytë, atë të Izedin
Elzirit, kryetar i Unionit të bashkësive islamike të Italisë:
Përgjigje:
- E prita lajmin, si të gjithë, besoj, me habi. Nga njëra anë, ky është
akt guximi, përgjegjësie të madhe e, nga ana tjetër, Papa duhet respektuar në zgjedhjen
e kësaj rruge, që flet vetë për pëvujtërinë dhe humanitetin e tij të madh.
Pyetje:
- Ç’mendoni për Papën e papninë e tij, posaçërisht në këndvështrimin e dialogut
me Islamin?
Përgjigje: - Natyrisht në marrëdhëniet ndërmjet
dy realiteteve kaq të ndryshme, në këtë rast botës islamike e botës katolike, si në
çdo marrëdhënie, ka çaste ngritjeje e rënieje. Në këtë periudhë kemi pasur çaste të
vështira, por nuk kanë munguar as çastet e besimit të madh. Më pëlqen të kujtoj kremtimin
e Lutjes për paqe në Asizi, ku Papa deshi të na mblidhte përsëri së bashku, të gjithë
besimtarët, për një lutje ndërfetare, që tashmë njihet prej të gjithëve si e ‘Asizit’.
Pyetje:
- Ishte, pastaj, edhe shtegtimi në Turqi, ku Papa hyri në Xhaminë Blu të Stambollit,
dhe u lutur së bashku me imamin dhe islamikët e pranishëm...
Përgjigje:
- Edhe ky ishte çast tejet i rëndësishëm, në të cilin Papa dëshmoi se një
i krishterë mund të hyjë në xhami e madje edhe mund të lutet, sipas mënyrës së tij,
Besoj se nuk është nevoja të flasim për shembuj të tjerë të tillë pozitivë.
Pyetje:
- Ju, keni pasur rast ta takoni personalisht Benediktin XVI?
Përgjigje:
- Po, e disa herë. Njeri i përvuajtur, i urtë, i qetë, i thellë, që nuk
shikon fasadën e sendeve, por shkon në thellësi e përpiqet ta kuptojë e ta inkurajojë
punën që bëhet për dialogun ndërfetar.