2013-02-15 14:12:18

Ernst von Freyberg emërohet president i Këshillit Drejtues të I.O.R.


Selia e Shenjtë, përmes një Komunikate, jep njoftimin për emërimin e Kryetarit të ri të Këshillit Drejtues të Institutit për Veprat Fetare (I.O.R)
Komisioni Kardinalor i Kontrollit të Institutit për Veprat Fetare (I.O.R.), sipas normës së Statutit, mori masat e nevojshme për emërimin e Presidentit të ri të Këshillit Drejtues. Është avokati Ernst von Freyberg. Katër anëtarët e tjerë të Këshillit Drejtues do të vijojnë detyrën e tyre.
Ky vendim është rezultat i vlerësimit të thellë dhe intervistave të ndryshme nga ana e Komisionit Kardinalor, gjithnjë me ndihmën e Këshillit Drejtues.
Bëhet fjalë për një veprimtari të gjatë prej disa muajsh, të përpiktë e të thelluar, që krijoi kushtet për të vlerësuar një numër të madh personalitetesh të nivelit të lartë profesional e moral, edhe me ndihmën e Agjencisë ndërkombëtare të pavarur, leader në përzgjedhjen e drejtuesve të lartë të ndërmarrjeve.
Sipas Komunikatës, Ati i Shenjtë, që e ndoqi nga afër të gjithë procesin e përzgjedhjes së Presidentit të Këshllit Drejtues të I.O.R, e miratoi plotësisht vendimin e Komisionit Kardinalor.
Ernst von Freyberg, gjerman, 55 vjeç, i martuar, është anëtar i Urdhërit të Kalorësve të Maltës. Është edhe bashkëdrejtues i Shoqatës për Shtegtimet në Lurdë pranë kryedioqezës së Berlinit, themelues e anëtar i Freyberg Stifung, që nga krijimi, më 2009. Fondacioni mbështet tri organizata katolike në Francë, Gjermani e Austri, shkollën fillore të Frankfurtit si dhe jep bursa studimi.
Është edhe anëtar i Këshillit Drejtues të Flossbach von Storch AG, shoqëri drejtuese e kursimeve me seli në Këln; anëtar i Këshillit të Manpower GmbH, shoqëri e shërbimit të punës së përkohshme, me 22 mijë nëpunës në Gjermani. Prej këndej mund të thuhet se avokati von Freyberg ka një përvojë të thellë në lëndën e financës si dhe në drejtimin financiar.









All the contents on this site are copyrighted ©.