2013-02-14 16:21:34

Papa takohet me famullitarët romakë: “Faleminderit për dashurinë tuaj për Kishën e Papën!”.


Shumë meshtarë romakë, mbledhur sot në Sallën e Palit VI, kryesuar nga kardinali mëkëmbës, Agostino Valini, e ndoqën takimin me Benediktin XVI me emocion të madh, që u lexohej në të gjitha tiparet e fytyrës së përlotur. E emocioni arriti kulmin posaçërisht kur kardinali-mëkëmbës, Agostino Valini, i drejtoi Papës përshëndetjen, në emër të të gjithë famullitarëve, në këtë takim të fundmë, krejt të jashtëzakonshëm.
“Atë i Shenjtë - tha në përshëndetjen e tij kardinali Valini, edhe ai me zë të ngashëruar nga emocioni - gjatë këtyre viteve ju na keni kërkuar t’ju shoqërojmë me lutje e, në këto ditë, kjo kërkesë bëhet edhe më e domosdoshme. Në emër të meshtarëve të Romës, që Papën e deshën dhe e duan me gjithë zemër, shtoi mëkëmbësi, ju siguroj se do të lutemi edhe më shumë për ju.
Dy javë para se ta përfundojë ministerin e tij papnor, Ati i Shenjtë mbajti një reflektim kushtuar përvojës së Koncilit II të Vatikanit. E, para se ta niste reflektimin, duke folur lirisht, pa tekst të shkruar, Benedikti XVI pohoi se edhe pas 28 shkurtit, do të jetë gjithnjë pranë meshtarëve në lutje, nësa do të jetojë krejt i fshehur nga bota.
Fjala e Papës u prit me një duartrokitje të stuhishme, që u ndërpre vetëm kur Benedikti XVI e rifilloi reflektimin, duke shprehur gëzimin që po shikonte se Kisha e Romës është plot gjallëri e kleri i saj, vërtet katolik, universal e në përkim me identitetin e tij. Pastaj, në një çast emocioni të natyrshëm, u rrëfeu meshtarëve si do të jetojë pas përfundimit të ministerit papnor:
Edhe pse do të tërhiqem tani, në lutje, jam gjithnjë pranë jush, i sigurtë se edhe ju të gjithë do të jeni gjithnjë pranë meje, ndonëse për botën do të mbetem i fshehur”.
Pastaj, me përvujtëri të madhe, e quajti reflektimin e tij të thellë teologjik, bisedë të thjeshtë, kushtuar Koncilit II të Vatikanit. Ishte fjalim pa tekst, bisedë vërtet krejt e lirshme, që nisi me fillimin e punës së tij kur, profesor i ri, impenjohej pranë kardinalit të Këlnit, Frings, një nga protagonistët e stinës konciliare. Papa u kthye, me kujtime në vitet ’60. Kujtoi ndjenjat e shpresat e tij për Koncilin:
“Ne shkuam në Koncil jo vetëm me gëzim, por edhe me entuziazëm. Ishin ditë të jashtëzakonshme pritjeje; prisnim që gjithçka të rinohej, mendonim se po vinin Rrëshajë të reja, epokë krejt e re për Kishën”.
Besonim, vijoi, se Kisha po bëhej përsëri forca e së nesërmes, e edhe forca e së sotmes. E shpresonim edhe se do të gjindej përsëri rruga e bashkimit të Kishës me forcat më të mira të botës, për t’i hapur njerëzimit udhën e ardhmërisë. Vuri, kështu, theksin, mbi shpirtin kishtar universal, që i ndihmoi Etërit konciliarë t’i kapërcenin disa vështirësi fillestare në organizimin e punimeve. Posaçërisht, kujtoi, episkopati francez e ai gjerman, jashtëzakonisht aktivë, kishin interesa të ndryshme të përbashkëta: nga reforma e liturgjisë, tek ekleziologjia, nga Fjala e Zotit, tek ekumenizmi:
“Unë mendoj tani, duke u kthyer mbrapa në kohë, se ishte gjë shumë e mirë të fillohej me liturgjinë, kështu del në pah përparsësia e Hyjit, përparësia e Adhurimit”.
Ishte me të vërtetë akt i Provanisë, kujtoi, që në fillim të Koncilit është liturgjia, është Hyji, është Adhurimi. Prej këndej, Papa e vijoi reflektimin me misterin e Pashkëve, parë si qendër e përkatësisë së krishterë e prej këndej, qendër e vetë jetës së krishterë, shprehur në Kohën e Pashkëve e në ditën e dielë:
Në këtë kuptim, është mëkat që sot e diela u shndërrua në fundjave, në sa është fillimjave, ditë e parë, fillesë; e këtë duhet ta kemi mirë parasysh shpirtërisht, është fillimi, zanafilla e Krijimit, e përtëritjes së Kishës, takim me Krijuesin e me Krishtin e Ngjallur”.
Theksoi, më pas, vëmendjen e jashtëzakonshme kushtuar nga Koncili hartimit të teksteve, që të ishin sa më të kuptueshme, si dhe pjesëmarrjes aktive të besimtarëve. Por, për fat të keq, vërejti se këto parime edhe u keqkuptuan, sepse kuptim i lehtë, nuk do të thotë banalizim, pasi tekstet e mëdha të liturgjisë kërkojnë formim të vazhdueshëm të të krishterit, që të hyjë gjithnjë më në thellësi të misterit e kështu, të mund ta kuptojë. Nuk mjafton, theksoi Papa, ta kuptosh tekstin, thjesht sepse është në gjuhën tënde:
“Vetëm një formim i përhershëm i zemrës e i mendjes mund të krijojë me të vërtetë mundësinë e kuptimit të teksteve si dhe sigurimin e pjesëmarrjes, që është diçka më tepër se veprimtari e jashtme, është hyrje në shpiritn e njeriut, në qenien e tij, në bashkim me Kishën e kështu, në bashkim me Krishtin”.
Për temën e Kishës, vijoi Papa, Koncili pohoi se nuk është organizatë, nuk është diçka strukturore. Është edhe kjo, por parë si organizëm, si realitet i gjallë, që hyn në shpirtin e besimtarit, në mënyrë që ta bëjë element konstruktiv, si i tillë. Njëkohësisht, shtoi, nuk mund të pranohet që një grup të deklarojë se është Kishë:
“Jo, kjo ‘ne jemi Kisha’ kërkon pikërisht përfshirjen e besimtarit në bashkësinë e besimtarëve të të gjitha kohëve, të të gjitha vendeve”.
Koncili na mëson se, duke hyrë në bashkim me Krishtin, bëhemi vërtet popull i Zotit, tha Papa. Kujtoi, kështu, ballafaqimin mbi temën e kolegjialitetit dhe u ndalua, më pas, edhe tek dialogu ndërfetar dhe ekumenizmi, përballuar nga Koncili; e akoma, edhe tek roli i mediave në interpretimin e punimeve koncilare. Ripohoi, në përfundim, se mbetet edhe shumë për të bërë, që të arrihet tek ai lexim, i cili përkon realisht me frymën e Koncilit, zbatimi i të cilit nuk është ende i plotë. Në përfundim të reflektimit të tij monumental mbi Koncilin II të Vatikanit, Benedikti XVI i përshëndeti për herë të fundit meshtarët e tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.