Me 14 shkurt kalendari kujton shën Valentinin, martir
Me 14 shkurt kalendari Kishtar përkujton Shën Valentinin, martir Emri i
Shën Valentinit përmendet për herë të parë në një dokument zyrtar të Kishës së shekujve
V-VI; në një dokument tjetër të shekullit VIII, shënohet data e vdekjes së Shenjtit,
përshkruhen torturat që pësoi, prerja e kokës në orët e vona të natës dhe varrosja. Tekste
të tjera e përmendin Shën Valentinin që në vitin 197, si qytetar e ipeshkëv i Ternit
e, sidomos, si njeri i famshëm për shenjtërinë e jetës, për bamirësinë e përvujtërinë,
për apostullimin e zellshëm e për mrekullitë. U burgos nën Aurelianin Perandor dhe
iu pre koka në Romë. Ishte data 14 shkurt 273. Trupi iu mbart në Terni, ku ndodhen
edhe sot e kësaj dite reliket e tij. Shenjti nderohet si pajtor i të dashuruarve.
Pse? Festa e ipeshkvit e martirit Valentin lidhet me festimet e lashta greke, italike
e romake, që organizoheshin për nder të zotave paganë Panit, Faunit e Luperkut. Këto
festime lidheshin me pastrimin e arave dhe ritet e pjellorisë. Me që nisen të bëheshin
tepër të çthurura, qenë ndaluar nga Augusti dhe Gelasi. Kisha i kristianizoi këto
rite pagane dhe e njohu Shenjtin si mbrojtës i të fejuarve e të dashuruarve, në prag
të bashkimit me kurorën e martesës e të lindjes së fëmijëve. Sipas legjendës, Shenjti
martir, dashurues i trëndafilave, ua dhuronte këto lule erëmira çifteve të fejuara
për t'u uruar bashkim të lumtur. Prej këndej festa e Shën Valentinit është përplot
me aromën e trëndafilave, simbol i dashurisë ndërmjet burrit e gruas. Vetë Zoti është
dashuri. Në dashuri gjinden paqja, bashkimi i familjes dhe i mbarë njerëzimit.