2013-02-14 16:21:46

Atë Lombardi: Papën do të vazhdojmë ta quajmë Benedikti XVI


Mallëngjim, qetësi shpirtërore e shumë dashuri: këto janë ndjenjat, që e rrethuan Papën në kremtimet e djeshme në Vatikan e në takimin e sotëm me klerin e Romës. I kujtoi zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi, gjatë konferencës së sotme për shtyp, duke folur për Meshën e djeshme të së Mërkurës së Përhime:
“Pati një duartrokitje që nuk do të mbaronte kurrë, nëse Papa nuk do të thoshte: ‘Faleminderit! Tani, t’i kthehemi lutjes!’”
Më pas, disa informacione teknike. Atë Lombardi sqaroi se nuk ka asnjë përpjekje, apo grup studimi për të ndryshuar Kushtetutën apostolike “Universi Dominici Gregis”, me të cilën, Papa i atëhershëm, i Lumi Gjon Pali II vendosi rregullat e Selisë Vakante, në vitin 1996. Prandaj, mbetet në fuqi norma, sipas së cilës Konklavi për zgjedhjen e Papës së ri do të mblidhet në periudhën nga dita e 15-të deri në ditën e 20-të, pas fillimit të Selisë Vakante.
Gjithashtu, shpjegoi se kufiri i moshës së kardinajve për pjesëmarrjen në Konklav është 80 vjeç dhe i referohet ditës së parë të Selisë Vakante, prandaj të gjithë kardinajtë, që e mbushin këtë moshë në mars, mund të marrin pjesë, pasi Selia Vakante fillon më 1 mars.
Së fundi, fati i sekretarit personal të Papës, i cili do të vazhdojë të jetë edhe Prefekt i Shtëpisë Papnore, detyrë, që kryen në këtë moment:
“Papa shoqërohet në Kastel Gandolfo dhe në kuvendin e murgeshave të klauzurës në Vatikan, nga imzot Georg Genshvajn dhe nga ‘Memores Domini”, pra nga laiket e shuguruara, që e ndihmojnë në apartamentin papnor”.
I pyetur nga gazetarët si do t’i drejtohemi Papës në të ardhmen, atë Lombardi shpjegoi se “akoma nuk është e qartë” nëse do të jetë “ipeshkëv nderi i Romës”, ndërsa për emrin Benedikti XVI, tha:
“Mendoj se mund të pohoj se Benedikti XVI është një titull, nga i cili nuk mund të heqë dorë: është emri i tij si Papë, që e ka mbajtur për të gjithë Kishën e për të gjithë botën zyrtarisht, për tetë vjet. Prandaj, sigurisht do të vazhdojmë ta quajmë Benedikti XVI. Kjo nuk ndryshon e nuk mund të ndryshojë, pa dyshim!”
Edhe një herë, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë përsëriti se dorëheqja e Papës ka të bëjë me moshën e tij të shtyrë e jo me rënien gjatë udhëtimit në Meksikë, apo me arsye të tjera, siç thuhet në media. Së fundi, atë Federiko Lombardi nuk konfirmoi fjalët lidhur me presidentin e Institutit për Veprat Fetare, apo bankës së Vatikanit IOR, që në disa media thuhet se do të jetë prof. De Corte.







All the contents on this site are copyrighted ©.