2013-02-13 11:22:07

Benedikti XVI besimtarëve: kam hequr dorë me liri të plotë, për të mirën e Kishës, nuk kam forca të nevojshme për misionin tim papnor. Ju falënderoj për dashurinë e lutjen tuaj.


U prit me ngrohtësi e dashuri të madhe Benedikti XVI sot, në audiencën e tij të parafundit të përgjithshme të papnisë, në Sallën e Palit VI, në Vatikan. Ishte dalja e parë publike, pas njoftimit për dorëheqjen nga selia papnore, më 28 shkurtin e ardhshëm. Benedikti XVI u ndal shkurt tek vendimi i tërheqjes nga shërbimi pjetrin, në udhëheqje të Kishës, duke theksuar edhe një herë arsyen e këtij gjesti historik e të rëndësishëm, plot dashuri për të mirën e Kishës, në realitetin bashkëkohor.
Ja edhe fjalët, që u drejtoi besimtarëve të pranishëm, në fillim të audiencës:
Të dashur vëllezër e motra,
Siç e dini, vendosa të heq dorë nga ministeri, që Zoti ma besoi më 19 prill 2005. E bëra këtë me liri të plotë, për të mirën e Kishës, pasi u luta gjatë dhe rrëmova, para syve të Zotit, ndërgjegjen time, thellësisht i vetëdijshëm për seriozitetin e këtij akti, por po aq i vetëdijshëm edhe se nuk jam më në gjendje ta kryej misionin tim papnor me atë energji, që kërkon. Më ndihmon e më shndrit siguria se Kisha është e Krishtit, i Cili nuk do ta lërë kurrë pa drejtim e kujdes. Ju falënderoj të gjithë për dashurinë dhe lutjen, me të cilën më shoqëruat. E ndjeva gati fizikisht, në këto ditë aspak të lehta për mua, forcën e uratës, që ma dhanë dashuria e Kishës e lutjet tuaja. Vijoni të luteni për mua, për Kishën, për Papën e ardhshëm. Zoti do të na prijë!”. Pas përshëndetjes, Papa Benedikti XVI vijoi katekizmin e zakonshëm të audiencës së përgjithshme, duke u ndaluar sot tek tundimet e Jezusit. Katekizmi i Papës u mbajt në një ditë të veçantë liturgjike, të Mërkurën e Përhime e në fillim të kohës së Kreshmëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.