2013-02-12 15:15:12

Vatikani e Shqipëria vazhdon bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë


Selia e Shenjtë dhe Republika e Shqipërisë vijojnë e madje pèrforcojnë bashkëpunojnë në fusha të ndryshme të shëndetësisë, si mbështetje në drejtim të diagnostikimit, menaxhimit spitalor dhe trajnim stafi, etj. Zyra e Shtypit e Ministrisë së Shëndetësisë së Shqipërisë bëri të ditur se ministri shqiptar Vangjel Tavo zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Vatikan, në kuadër të nënshkrimit të disa marrëveshjeve në fushë të shëndetësisë.

Marrëveshjet e nënshkruara parashikojnë mbështetje në drejtim të diagnostikimit, menaxhimit spitalor, trajnim të stafeve mjekësore e shkëmbim eksperience, etj. Ndërkohë, parashikohet bashkëpunimi me disa spitale kryesore, bën të ditur MSH. Marrëveshje janë nënshkruar me spitalin “Zemra e Shenjtë”, “Bambino Gesu”, si dhe poliklinikën Agostino Gemelli.
MSH ka pasur bashkëpunim në vite me institucionet shëndetësore, Ente të Selisë së Shenjtë në Vatikan. Kështu, në 2010 është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi ndërinstitucionale me Universitetin Katolik të “Zemrës së Shenjtë”, Fakultetin të Mjekësisë dhe Kirurgjisë “A. Gemelli”, Poliklinikën Universitare “ Agostino Gemelli” dhe qendrën e kërkimit dhe formimit të teknologjisë së lartë për shkencat biomjekësore “Gjon Pali II” e Kampobasos. Marrëveshja konsistonte në pritjen e pacienteve shqiptarë me patologji të rënda dhe të komplikuara, jo të shërueshme apo me kura të vështira, favorizim për formim profesional për personelin shqiptar mjekësor ose jo mjekësor në Poliklinikën Universitare "Agostino Gemelli” dhe bursa për mjekë dhe infermierë specialistë, si dhe përfshirjen e mjekëve shqiptarë në proceset e trajnimit në distance.
Para disa vitesh, më 2007, është nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Qendrën Kërkimore Spitalore të Selisë së Shenjtë “Bambino Gesu” dhe më 2008, një plan bashkëpunimi ndërinstitucional me spitalin “ Casa Sollievo della sofferenza”, San Giovanni Rotondo.







All the contents on this site are copyrighted ©.