2013-02-12 15:16:59

Takimi i ri i atë Lombardit me gazetarët: Papa nuk hoqi dorë nga papnia, sepse është i sëmurë.


Papa është mirë e krejt i qetë; nuk hoqi dorë, sepse ishte i sëmurë, por vetëm për shkak të brishtësisë së moshës së shtyrë: e pohoi atë Lombardi në takimin e sotëm me gazetarët, një ditë pas dorëheqjes së Papës. Benedikti XVI, sqaroi, ka bërë kohët e fundit një operacion të zakonshëm për zëvendësimin e baterisë së pacemaker, por kjo nuk ka asnjë peshë mbi vendimin e tij. Rikonfirmohet i gjithë kalendari i takimeve, deri më 28 shkurt, ditë e fundit e papnisë së Benediktit XVI, që nga takimet me ipeshkvijtë italianë, në vizitë ‘ad Limina’, me presidentin e Rumanisë e të Guatemalës, lutjet e Engjëllit të Tënzot dhe audiencat e përgjithshme, deri tek e fundmja, më 27 shkurt, që duhet të mbahet në Sheshin e Shën Pjetrit, mbasi parashikohet një dyndje e madhe besimtarësh. Nuk do të ketë enciklikë kushtuar fesë.

Drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë ftoi t’u kushtohet vëmendje fjalëve që do të thotë Papa ditët e ardhshme, duke nisur që nesër, si në audiencën e përgjithshme, ashtu edhe në ritet e së Mërkurës së Përhime në Bazilikën e Shën Pjetrit.
Atë Lombardi shpjegoi, siç u tha dje në ”L’Osservatore Romano”, se shtegtimi në Meksikë e në Kubë, për shkak të lodhjes, ishte, për Benediktin XVI, një etapë gjatë së cilës u poq mendimi për të hequr dorë nga ministeri, ndonëse vendimin përfundimtar do ta merrte më vonë.

Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit nënvizoi se nuk do të ketë asnjë problem për pasardhësin e Benediktit XVI lidhur me praninë në Vatikan të një pape tjetër, edhe pse si ipeshkëv nderi i Romës. E njohim mirë natyrën e Benediktit XVI, njeri jashtëzakonisht i matur e i kujdesshëm, pohoi atë Lombardi, ashtu si e dimë se nuk ndërhyn në punë, që nuk i takojnë a që mund t’i shkaktojnë shqetësimin qoftë edhe më të vogël pasardhësit. Ky problem nuk ekziston, vërejti atë Lombardi, edhe pse është situatë e re, madje, pasardhësi do ta ndjejë veten të mbështetur nga lutja, dashuria e pjesëmarrja e një njeriu, i cili më shumë se askush tjetër në botë mund t’i kuptojë shqetësimet e atij, që vjen pas.
Gazetarëve nuk iu dha asnjë hollësi mbi mënyrën si do të quhet e si do të vishet Papa, pasi të rikthehet në Vatikan, nga Kastel Gandolfo: janë çështje për t’u përcaktuar.
28 shkurti, ora 20.00, siç e thamë më lart, për Papën do të jetë dita e fundit, e jetuar në mënyrë të zakonshme.

Atë Lombardi i falënderoi gazetarët për punën e kryer, për komentet e shumta, respektuese e reflektive, përmes të cilave pasqyruan guximin e përvuajtërinë, ndjenjën e përgjegjësis dhe qartësinë e këtij vendimi historik si dhe për mirëkuptimin e mënyrës me të cilën Papa po e jeton këtë vendim, marrë para syve të Zotit, e prej këndej, pasuar nga paqja e shpirtit.Zëdhënësi vatikanas saktësoi, më pas, se kardinali Dgjivish nuk deshi të bënte krahasim ndërmjet Benediktit XVI e Gjon Palit II, siç nënvizuan disa media, dhe paraqiti një tekst me deklaratat reale të kryeipeshkvit të Krakovisë, përmes të cilave shprehet dashuria e nderimi i tij i thellë për Papën Ratcinger.







All the contents on this site are copyrighted ©.