Më 12 shkurt përkujtojmë Papa Kristo Negovanin – Harallambi, martir i gjuhës dhe
i kishës ortodokse shqiptare. Sot më 12 shkurt kalendari përkujton 108-vjetorin
e vrasjes së meshtarit, shkrimtarit e patriotit shqiptar Papa Kristo Negovani. Lindur
në fshatin Negovan, në Follorinë të Greqisë Papa Kristua qe një ndër klerikët veprimtarë
më të shquar të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Mësimet fillore i kreu në shkollën
greke të fshatit. Studimet e mëtejshme i vijoi në gjimnazin e Athinës, por pas tre
vjetësh u shtrëngua t’i ndërpresë sepse ndërkaq kusarët i kishin vrarë të atin. Në
1894 emigroi në Braila të Rumanisë ku punoi tre vjet si marangoz. Gjatë kësaj kohe
Papa Kristua zuri miqësi dhe u familjarizua me veprimtarë të Shoqërisë së Stambollit,
Drita të Bukureshtit e të tjerë të cilët e frymëzuar që t’i dilte zot gjuhës shqipe
e cila rrezikonte të zhdukej si pasojë e shovinizmit të fqinjëve. Prej tyre atdhetarëve
shqiptar në Rumani mësoi edhe të shkruajë shqip me alfabetin e Stambollit. Fillimisht
mësues i katundit të Negovanit, Papa Kristua u shugurua meshtar ortodoks. Qe një ndër
frymëzuesit e Kishës ortodokse autoqefale shqiptare, e cila do të bëhej realitet vetëm
me Fan Nolin. Kisha dhe shtëpia e tij u bënë çerdhe të shqiptarizmës. I nxiste të
gjithë besimtarët, papushim që të mbronin gjuhën dhe zakonet shqiptare. Natën
e 12 shkurtit të vitit 1905 një grup të panjohurish e morën me zor nga Kisha ndërsa
shpërndante naforën. E çuan në periferi të fshatit dhe e masakruan me thika dhe
sopata duke thënë: “Shko tani të bësh propagandë për Shqipërinë dhe të thuash ungjillin
shqip”. Bashkë me të vranë edhe të vëllain, Theodosin, edhe ky patriot. Vrasjen
e tij e vajtuan të gjithë shqiptarët si brenda ashtu edhe jashtë atdheut, ndër të
cilët, Zef Skiroi, i kushtoi madje edhe një vjershë. Si përgjigje ndaj vrasjes
së Papa Kristos, më 9 shtator 1906, çeta e Bajo Topullit vrau dhespot Fotin, mitropolitin
e Korçës, i cili akuzohej se kishte qenë porositësi kryesor i vrasjes së vëllezërve
Negovani. Ndër veprat letrare të këtij martiri të gjuhës e të kishës ortodokse
autoqefale shqiptare vlen të përmenden: “Istori e dhjatës vjetërë”, botuar në Bukuresht
në 1899; “Bënjatë e shënjtorëvet dërgimtarë” që sot do të tingëllonte si “Bëmat e
Apostujve”, në Sofje më 1903 etj. Ka shkruar e përkthyer në shqip edhe përralla e
shumë vjersha me karakter didaktik për fëmijë.