Dom Gjergj Meta:Benedikti XVI: Një Papë nën shenjën e kundërshtisë..
Benedikti XVI: Një Papë nën shenjën e kundërshtisë... Askush nuk mund të
thotë se ky ka qenë një Pontifikat i lehtë. Madje do të thoja se në historinë e 100
vjetëve të fundit ka qenë më i vështiri edhe pse ndër më të shkurtrit. Ky është një
Papë i cili do të kalojë në histori për tre gjëra: përvujtërinë, guximin dhe thellësinë
e tij. Fjalët e para të thëna kur u zgjodh në krye të Kishës Katolike ishin këto
: “…zotërinjtë kardinalë më kanë zgjedhur mua, një punëtor i përvujtë në vreshtin
e Hyjit”. Një shprehje që në gojën e "Rojtarit” të Doktrinës katolike për rreth 27
vjet, tingëllonte disi e çuditshme. Megjithatë ai e tregoi këtë edhe në fund të këtij
mandati duke thënë para kardinalëve në Koncistor e para gjithë botës: “…kërkoj falje
për të metat e mia”. Fjalë edhe këto që në gojën e një lideri, i më se dy miliard
besimtarëve në botë, tingëllon shumë e rëndësishme. Kemi parë në këto vite liderë
që kanë ardhur e kanë shkuar, kanë bërë e stërbërë e askush prej tyre nuk ka kërkuar
falje qoftë edhe për një gjë më të vogël. Një shembull ky i Papës i cili i vetëdijshëm
për kohën dhe momentin, ofrohet për secilin nga ne e sidomos për udhëheqësit e çdolloj.
Askush nuk e detyronte Papën të jepte dorëheqjen. Një akt i pastër lirie, nga ato
akte që kërkojnë guxim.
Ky Papë ka guxuar shumë. Jam i bindur se herët
a vonë bota dhe historia do t'i japin të drejtë në shumë aspekte që deri më tani e
kanë kritikuar. Janë katër momente në të cilat guximi i tij u kthye në leksion prej
udhëheqësi dhe dashuruesi të së vërtetës. Së pari kur ende pa u bërë Papë
ai tha se sëmundja e madhe e kohës sonë është diktatura e relativizmit. Dukej
se pikërisht kjo fjalë nuk do ta çonte në krye të Kishës për shkak të progresistëve
brenda saj që mendonin se këto janë fjalë jashtë modës dhe e kthejnë Kishën pas. Po
ashtu edhe jashtë Kishës këto fjalë tingëlluan si mesjetare dhe të papranueshme. Papa
Benedikti XVI ishte i qartë dhe i vendosur të bëhej në këtë rast një shenjë kundërshtie.
Së dyti dialogu me botën islamike në fjalimin e Rachensburgut, i cili krijoi
aq shumë polemika prej disa ekstremistëve me matricë islamike, por jo vetëm. Më vonë
u kuptua se ky dialog i botës së krishterë me botën islamike, nuk mund të ishte një
makiazh me fjalët “hajde të shkojmë mirë se nuk kemi asnjë dallim”, por një dialog
që lind në humus-in e të vërtetës dhe bëhet ndërmjet subjektesh me identitete të ndryshme,
sepse vetëm kështu është i mundshëm një dialog, përndryshe është një monolog. Kjo
ishte hera e dytë që ai u bë një shenjë kundërshtie ndaj klisheve eklektiste
brenda dhe jashtë kishës, ndaj doktrinave të papalca që gjarpëronin në ambiente ateiste
jashtë Kishës dhe pseudoprogresiste brenda Kishës. Po! Edhe brenda Kishës ai nuk kuptua
prej të gjithëve, duke e akuzuar si tradicionalist e të mbyllur ndaj të ndryshmëve.
Krejt e kundërta... Momenti i tretë ishte skandali i pedofilisë.
Një skandal mu në zemër të Kishës, në ata që duhet të ishin mbrojtësit e pastërtisë,
priftërinjve, që po mbahej në fre dita ditës e që ai, si ish prefekt i Kongregatës
për Doktrinën e Fesë, që ka kompetencë mbi këto raste, dinte mirë se për çfarë bëhej
fjalë. Asnjë kthim mbrapa. Të hapet gjithçka dhe publikisht. Kjo nuk i pëlqeu shumë
njerëzve. Ata që ishin jashtë Kishës e sulmuan, sepse u gjenden papritur përballë
gjërave të hapura. Donin të gjenin scoop-in, por nuk e gjetën. E atëherë u
mbërthyen duke sulmuar, duke falsifikuar letrat e lojës e duke luajtur bllofin. Papa
ecte përpara. Asnjë tolerancë ndaj pedofilisë në Kishë. Sigurisht kjo i prishi rehatinë
edhe shumëkujt brenda Kishës që ishte mësuar t'i fshihte e t'i mbulonte gjërat. E
kjo kërkonte guxim të cilin ai e pati pa iu dridhur qerpiku e deri në fund duke kërkuar
nga Kisha të ripëtërihej e të pastrohej. Momenti i katërt është dorëheqja
e tij. Pikërisht edhe kjo befasoi shumëkënd që ishte mësuar të shihte te Benedikti
XVI njeriun e hekurt. Ai lëshoi vendin për të mirën e Kishës që në krye të saj të
vijë dikush me më shumë energji dhe predispozitë fizike e psikike. Sot nuk është e
lehtë të lëshosh vendin se shihet si dobësi, por krishterimi ka lindur si një dobësi.
Nga dobësia e njeriut - Hyj në kryq. Ky është krishterimi: merre ose leje. Çdo ditë
Papa me predikimet e tij na e ka thënë e tash na e tha me shembullin e jetës së tij. Pikërisht
thellësia, moment tjetër karakterizues i këtij njeriu, që për mua është patjetër ndër
etërit e Krishterimit, e vizionar për një rend botëror që nuk mund të ndërtohet pa
Zotin. Benedikti XVI nuk u rrin gjërave në skaj apo përciptazi. Depërton thellë e
më thellë në misterin e Fjalës së mishëruar, të Hyjit të Përtejmë. Një Bari i mirë
që din t'u flasë njerëzve për Zotin, i cili nuk ngatërron pozicionin e tij me atë
të çdolloj lideri tjetër. Ai është peshkatar njerëzish, sikurse Pjetri para dy mijë
vjetësh, e po ashtu sikurse ai është i vetëdijshëm për cakun e vet.
Prej datës
28 shkurt 2013 Kisha Katolike nuk do të ketë një Papë, derisa Kardinalët me anë të
ritit antik të Konklavit, do të zgjedhin një tjetër. Ku do të shkojë Benedikti, apo
Jozef Ratzinger në mbarim të këtij muaji të brishtë, sikurse paraqitet ai vetë kur
ti e takon e i prek duart? Paraardhësi tjetër i tij që dha dorëheqjen, Celstini
V, u detyrua të rrinte në Aquila i mbyllur pothuajse në burg nga ata që nuk e donin.
Aty kaloi jetën e tij duke u lutur dhe u vlerësua shumë në historinë e Kishës si njeri
i devotshëm e i shenjtë. Sot kanë ndryshuar kohë e sigurisht Papa nuk do të shkojë
në burg. Por Papa një shenjë na e ka dhënë se ku do të shkojë: "për sa më përket mua,
edhe në të ardhmen, do t'i shërbej me gjithë zemër, me një jetë të kushtuar lutjes,
Kishës së Shenjtë të Hyjit". Do të lëshojë sigurisht pallatin apostolik, zyrat e Vatikanit,
për të shërbyer në "dhomat sekrete" të Atit, që gjenden në zemrën e tij. Prej aty,
duke u lutur, ai do të jetë në shërbim të Kishës dhe të njeriut. Shërbim më pak i
dukshëm, por më shumë i efektshëm. E tani nuk do të ndalin spekulimet, hamendjet,
"misteret", abuzimet mbi këtë ngjarje. Nuk mund të ndalen, pasi jetojmë në një regjim
lirie, por një gjë më ra ndërmend ndërsa dëgjova lajmin. Megjithëse, sikurse thotë
Papa në mesazhin e tij të dorëheqjes, "...në botën e sotshme, e cila është prekur
nga shndërrime dhe e trazuar nga çështje të një rëndësie të madhe për jetën e besimit...",
anija e Pjetrit, Kisha, mund të luhatet, shpresa gjithmonë mbështetet jo te fjalët
e njerëzve, por te Fjala e Përjetshme e Atit, që edhe nëse kalon qielli e toka, ajo
kurrë nuk kalon. E kjo fjalë është: "Dyert e Ferrit nuk do të ngadhënjejnë" mbi Kishën
e Krishtit.