2013-02-12 13:21:38

Benedikti XVI, Papa i gëzimit!


“T’i lutemi me këmbëngulje Zotit, që pas dhuratës së madhe të Papës Gjon Pali II, të na japë sërish një bari, siç ia do zemra”. Është paraditja e 18 prillit 2005. Në Bazilikën e Vatikanit, mbushur plot e përlot me besimtarë, dekani i kolegjit kardinalor, Jozef Racinger, kremton “Missa pro eligendo Pontifice”. Në sytë e zemrat e prelatëve, që po përgatiteshin për të zgjedhur Pasardhësin e 265-të të Shën Pjetrit, kalonin akoma imazhet e funeralit të Karol Vojtilës, Papës, që për 27 vjet me radhë, udhëhoqi me guxim të pashembullt Barkën e Shën Pjetrit. Shumë vërejtën se qe pikërisht bashkëpunëtori më i ngushtë, ai, që kremtoi funeralin e tani, edhe Meshën për fillimin e Konklavit. Duket si dorëzimi i një stafete ideale. Ndjenjë, që konfirmohet të nesërmen, kur, në përfundim të një prej Konklavave më të shkurtra të epokës së fundit, kardinali protodiakon Jorge Arturo Medina Estévez shpall formulën e “Habemus Papam”:
“Annuntio vobis, gaudium magnum, habemus Papam!”
Është ora 18.45 e bota njihet me emrin e Papës së ri. Ai është Jozef Racinger, i cili nga ai çast do të thirrej Benedikti XVI, sipas emrit që zgjodhi vetë. Ashtu si paraardhësi, edhe Papa i ri nuk kufizohet thjesht në bekimin e popullit nga Llozha Qendrore e Bazilikës së Vatikanit, por u drejtohet të pranishmëve si edhe atyre, që e ndjekin përmes shtypit, radios, televizionit dhe internetit. Që në fillim, bëhet e qartë se me ç’frymë e shihte Benedikti XVI shërbimin e tij për Kishën Katolike:
“Të dashur vëllezër e të dashura motra, pas Papës së madh Gjon Pali II, kardinajtë më zgjodhën mua, një punëtor i thjeshtë e i përvuajtur në vreshtën e Zotit” (19 prill 2005).
Që nga hapat e para, përvijohet profili i një bariu të butë, por këmbëngulës, që me përvuajtëri, i shërben së vërtetës ungjillore, siç kujton edhe motoja e tij ipeshkvnore: “Cooperatores Veritatis” (Bashkëpunëtor i së Vërtetës). E, siç nënvizon edhe vetë, në Meshën e fillimit të papnisë, më 24 prill 2005. Mëse 300 mijë vetë kishin mbushur Sheshin e Shën Pjetrit dhe rrugën e Pajtimit. Në një homeli, që u ndërpre 37 herë nga duartrokitjet e fuqishme, Papa paraqiti programin e tij të ardhshëm:
“Programi im i vërtetë i qeverisjes është të mos bëj vullnetin tim, të mos ndjek idetë e mia, por të dëgjoj, së bashku me gjithë Kishën, fjalën e vullnetin e Zotit e të drejtohem prej Tij, në mënyrë që Ai vetë ta udheheqë Kishën në këtë orë të historisë” (24 prill 2005).
Kush beson, nuk është kurrë vetëm, shton Jozef Racinger, i cili e ndan fenë e vet me një Kishë të gjallë, me një Kishë të re, sepse – shpjegon – ajo mban në vetvete të ardhmen e botës. E duket se Provania Hyjnore, jo më kot, në udhëtimin e tij të parë ndërkombëtar, e çoi në shtegtim me të rinjtë, në Ditën Botërore të Rinisë në Gjermani, në tokën e tij amtare. Në Këln, një milion të rinj luten me Papën, që do ta takojnë edhe në Sidnej, në vitin 2008 e në Madrid, më 2011, ku bën përshtypje heshtja e kësaj turme djemsh e vajzash, që adhurojnë Hosten e Shenjtë, në një shesh të stërmadh, ku s’pipëtin asgjë. Jozef Racinger u kërkon të mos turpërohen nga krishterimi e u kujton se revolucioni i vërtetë vjen nga Zoti e është revolucioni i dashurisë. Çfarë përfaqësojnë Ditët Botërore të Rinisë për Benediktin XVI? E thotë vetë Papa, ndërsa shkon me avion drejt Madridit:
“Do të thosha se këto Ditë Botërore të Rinisë janë sinjal, janë ujëvarë drite; e bëjnë të dukshme fenë dhe praninë e Zotit në botë, e na japin kështu, guximin për të qenë besimtarë” (18 gusht 2011).
Por, për të qenë drita e botës, paralajmëron Papa, të rinjtë katolikë duhet të jenë gati të ecin kundër rrymës, kundër modave të çastit e mënyrave mbizotëruese të jetesës. Bota e sotme dëshiron ta mënjanojë fenë, duke e kufizuar vetëm në sferën private e pikërisht, në Meshën para Konklavit, kardinali i atëhershëm Racinger fliste për “diktaturën e relativizmit, që nuk njeh asgjë si të përcaktuar e që si masë ka vetëm vetveten”. Me këto deklarata, Ati i Shenjtë nuk dëshiron aspak të kthehet mbrapsht, duke pasur kujdes të mos e veshë Kishën me rrobën e prapambetjes. Madje, në janar 2009, kur nuk i lejohet të flasë në Universitetin “La Sapienza” të Romës, nënvizon rolin pozitiv të laikëve, që dinë të vlerësojnë përmasën fetare. E në vitin 2010, themelon një dikaster për Ungjillëzimin e Ri, që synon të luftojë “eklipsimin e Zotit” edhe në vendet me traditë të lashtë të krishterë. Më pas, takohet me artistët në Kapelën Sikstina e hedh idenë e “Oborrit të jo besimtarëve”, nismë, që do të realizohet nga Këshilli Papnor i Kulturës:
“Dialogut me fetë, sot, i duhet shtuar sidomos dialogu me ata, për të cilët feja është diçka e jashtme, Zoti është i panjohur, por, megjithatë, nuk do të donin të mbeteshin thjesht pa Zot, por do të kishin dëshirë ta afronin atë, të paktën si të Panjohur”(21 dhjetor 2009).
Papa, që e vlerëson jashtëzakonisht shën Augustinin, tregohet i bindur se “opcioni i kishterë” është edhe sot më i arsyeshmi e më njerëzori. Arsyeja na ndihmon për ta kuptuar këtë fe. E pikërisht në fushën e marrëdhënieve ndërmjet fesë e arsyes, duke folur para parlamentarëve të Partisë Popullore Evropiane, në mars 2006, Benedikti XVI vë në dukje tri emergjenca për njeriun perëndimor: mbrojtjen e jetës, mbrojtjen e familjes dhe lirinë e edukimit. Janë vlera të padiskutueshme, thekson. E jo sepse kështu do krishterimi, por sepse kjo është natyra e njeriut. Këto tema, së bashku me temën e paqes, të mbrotjes së të fundmëve të shoqërisë, të lirisë fetare, mbizotërojnë në Magjisterin e Papës, në homelitë e në fjalën e tij. Papa teolog i habit të gjithë me gjuhën e kuptueshme të Enciklikave të tij: “Deus caritas est”, mbi dashurinë e krishterë (2006); “Spe Salvi”, mbi shpresën e krishterë (2007) dhe “Caritas in Veritate”, mbi zhvillimin e gjithanshëm të njeriut (2009). Kjo e fundit zgjon interes në nivel botëror. Në mesin e krizës ekonomike botërore, që shpërtheu në vitin 2008 në SHBA-të e pastaj u përhap në të gjithë globin, Papa jep reflektimin e tij personal për ta vendosur njeriun në qendër të dinamikave ekonomike e financiare:
“Nuk duhet të harrojmë, siç kujtoja në Enciklikën “Caritas in veritate”, se edhe në fushën e ekonomisë e të financës, qëllimet e drejta, transparenca dhe kërkimi i rezultateve të mira mund të ecin bashkë e nuk duhen ndarë kurrë” (10 dhjetor 2011).
Përveç tre Enciklikave, Papa publikon edhe katër Këshillime apostolike pas sinodale e 19 Motu proprio, ndër të cilat “Summorum Pontificum” mbi përdorimin e liturgjisë romake para reformës së vitit 1970. Të shumta, letrat e publikuara në raste të ndryshme, ndër të cilat spikat ajo për katolikët në Kinë, e vitit 2007. Një gjest pa precedent, që nënvizon afërsinë e Papës me besimtarët e vendit të madh aziatik. Por, gjatë papnisë së tij, Jozef Racinger boton edhe tekste më personale: për shembull, libri-intervistë “Drita e botës” e sidomos trilogjia mbi Jezusin e Nazaretit, në të cilën Papa pasqyron mendimin e tij si besimtar e teolog për figurën historike të Jezusit. Në të dyja rastet, libri hyn në kategorinë e më të lexuarve në botë. E jo më pak e rëndësishme është përpjekja e Papës për të kumtuar Ungjillin në mediat e vjetra e të reja:
“Sot, jemi të thirrur të zbulojmë, edhe në kulturën dixhitale, simbole dhe metafora domethënëse për personat, që mund të na ndihmojnë t’i flasim për Mbretërinë e Zotit njeriut bashkohor” (28 shkurt 2011).
Benedikti XVI jep intervista për emitente radiofonike, u dërgon mesazhe me celular të rinjve të DBR-së, u përgjigjet pyetjeve në TV me rastin e së Premtes së Madhe, lidhet me satelit me astronautët e stacionit kozmik ndërkombëtar e, nënshkruan një editorial për gazetën “Financial Times”. Sidomos, inkurajon mediat vatikanase e katolike në përgjithësi, të ungjillëzojnë internetin. Dhe e bën duke dhënë shembullin personal. Në dhjetor 2012, Papa hyn në Twitter me faqen e tij @Pontifex në 9 gjuhë të ndryshme, nga latinishtja në anglisht, për të përhapur – siç shkruan në Mesazhin për Ditën e Komunikimeve Shoqërore – “drita e ëmbël e fesë” në rrjet. Por para se të hyjë në “kontinentin dixhital”, Papa viziton të pesë “kontinentet gjeografike”. Kryen 24 udhëtime ndërkombëtare, disa prej të cilave me rëndësi historike, si ai në SHBA-të, ku shkon në OKB e në Ground Zero të Nju Jorkut, si ai në Tokën Shenjte, në Jordani e pastaj, në Liban, ku takohet me të rinjtë sirianë, të tronditur nga lufta. Më tej, në Mbretërinë e Bashkuar, ku shqipton një fjalim të paharrueshëm në Uestminster Holl dhe në Berlin, ku Papa flet para Bundestagut. Prekëse, vizita e Benediktit XVI, bir i Gjermanisë, në kampin e shfarosjes Aushvic-Birkenau:
“Jam sot këtu, si bir i popullit gjerman e, pikërisht për këtë, duhet e mund të them si ai: nuk mund të mos vija këtu. Duhej të vija. Ishte dhe është detyrim para së vërtetës dhe të drejtave të atyre, që vuajtën; ishte dhe është detyrim para Zotit, të jem këtu si pasardhës i Gjon Palit II e si bir i popullit gjerman” (29 maj 2006).
Papa thekson disa herë se nuk duhen harruar tmerret e shfarosjes së hebrenjve nga nazizmi e fashizmi. Thirrje, që dëgjohet edhe më shumë pas deklaratave negacioniste të ipeshkvit lëfevrian, Uiliamson. Gjithsesi, Benedikti XVI i vazhdon përpjekjet për dialog me Vëllazërinë e Shën Piut X, pra, me lëfevrianët, për bashkimin e tyre të plotë me Kishën Katolike. E në përgjithësi, impenjimi ekumenik është një nga sfidat më të rëndësishme të papnisë së tij: Ati i Shenjtë takohet në Stamboll me Patrikun ekumenik Bartolomeu I, i cili i kthen vizitën në Romë; hap një fazë të re në marrëdhëniet me Patrikanën ortodokse të Moskës. Në Erfurt, në kuvendin augustinian të Martin Luterit, takohet me Kishën protestante gjermane. Me pas, me Kushtetutën “Anglicanorum Coetibus”, themelon një Ordinariat për anglikanët, që duan të bashkohen plotësisht me Kishën Katolike. Papa impenjohet jashtëzakonisht edhe në dialogun me fetë e tjera, duke kapërcyer vështirësitë e keqkuptimet fillestare. Sidomos në marrëdhëniet me myslimanët. Duke folur në universitetin e Regensburgut, në shtator 2006, Benedikti XVI citon mendimin e perandorit bizantin Manueli II Paleolog mbi Islamin, që shkakton reagime të ashpra në botën myslimane e madje, edhe sulme kundër bashkësive të krishtera në vende të ndryshme. Pak ditë më vonë, Papa shpjegon qëllimin e vërtetë të atij citimi:
“Qëllimi im ishte krejtësisht i ndryshëm: duke u nisur nga ç’thotë më pas Manueli II, i cili flet në mënyrë pozitive, me fjalë shumë të bukura rreth arsyes, që duhet të udhëheqë transmetimin e fesë, desha të shpjegoj se jo arsyeja e dhuna, por feja e arsyeja ecin së bashku”.
Këto fjalë nuk bien në vesh të shurdhër. Vetëm pak kohë më pas, 38 të urtë e liderë fetarë islamikë, që pastaj, do të bëheshin 138 e së fundi, 216, i shkruajnë Papës një letër të hapur për të gjetur terrenin e përbashkët të takimit ndërmjet të krishterëve myslimanëve. Është fillimi i një epoke të re dialogu, me bazë dashurinë e të vërtetën, një nga çastet kulmore të së cilës përfaqësohet pa dyshim, nga vizita e Benediktit XVI në Xhaminë Blu të Stambollit. Jo më pak të rëndësishme, vizitat e Papës në singogat e Romës, të Këlnit e të Nju Jorkut dhe pjesëmarrja në Ditën e Paqes në Asizi, në tetor 2011, ditë e hapur jo vetëm për njerëzit e fesë, por edhe për jo besimtarët. Vitet e papnisë së Benediktit XVI karakterizohen, fatkeqësisht, nga persekutimet e reja kundër të krishterëve, që bëhen bashkësia më e persekutuar e botës. Dhunë, që godet të krishterët në shtetin indian të Orisës, në Pakistan, në Nigeri, në Afrikën e Veriut, në Azinë Juglindore. E në Lindjen e Mesme, siç theksohet në Sinodin për ipeshkvijtë e rajonit:
“Prandaj, fjalët e mendimet e Sinodit duhet të jenë një britmë e fuqishme drejtuar të gjithë njerëzve me përgjegjësi politike apo fetare, që ta ndalin kristianofobinë, të ngrihen në mbrojtje të refugjatëve e të të vuajturve dhe të gjallërojnë frymën e pajtimit” (20 dhjetor 2010).
Por nëse nga njëra anë, Kisha vuan persekutimet kundër të krishterëve, nga ana tjetër, pëson shkandullin e abuzimeve seksuale kundër të miturve nga ana e disa priftërinjve e rregulltarëve. Kjo plagë doli në pah që gjatë papnisë së Gjon Palit II, sidomos në disa vende si SHBA-të dhe Irlanda. Por bomba shpërthen pikërisht ndërsa Kisha Katolike kremton Vitin Meshtarak, shpallur nga Benedikti XVI në 150-vjetorin e vdekjes së Shën Gjon Maria Vianejt, meshtar shembullor:
“E kështu, ndodhi që, pikërisht në këtë vit gëzimi për Sakramentin e meshtarisë, të dalin në dritë mëkatet e meshtarëve, sidomos abuzimi ndaj të vegjëlve, përmes të cilit, meshtaria, si detyrë për të shfaqur kujdesin e Zotit për njeriun, kthehet në të kundërtën e vet” (11 qershor 2010).
Papa i vë gjoksin kësaj emergjence, që e shpërfytyron Kishën. Takohet personalisht me viktimat e abuzimeve në udhëtimet e tij në Maltë, në SHBA-të, në Australi e në Mbretërinë e Bashkuar. Çaste mallëngjyese, që e prekin Papën thellë në zemër. Shkruan një letër baritore për besimtarët në Irlandë. E sidomos, vendos rregulla të reja për çështjet e abuzimeve, me të cilat i bën më të shpejta e më të ashpra procedurat për të dënuar ata, që e njollosin rroben e meshtarisë me këtë krim të shëmtuar:
“Duhet të gjejmë një vendosmëri të re për fenë e të mirën. Duhet të jemi në gjendje të pendohemi. Duhet të përpiqemi e të bëjmë ç’është e mundur për t’i përgatitur mirë meshtarët, sepse një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë më kurrë” (20 dhjetor 2010).
E njëjta vendosmëri karakterizon ndërhyrjen e Atit të Shenjtë në procesin e risimit të veprimtarive ekonomike të Vatikanit, sidomos në punën e Institutit për Veprat Fetare, apo bankës së Vatikanit, IOR. Me të njëjtën transparencë, përballon çështjen “Vatileaks”, e cila mbyllet me dënimin e kujdestarit të dhomës së tij, Paolo Gabriele, për vjedhjen e dokumentave personale nga tryeza e punës së Papës. Jozef Racinger do t’i bëjë një vizitë në burg e do ta falë më pas.
Në vazhdimësi me papninë e Gjon Palit II, edhe Benedikti XVI shpall të lumë e shenjtorë disa figura të mëdha të Kishës, nga don Guanela tek atë De Vëster, nga don Njoki tek Rozmini, nga Meri MekKilop tek Sharl de Fukò e Kateri Tekakuita, shenjtja e parë lëkurëkuqe. Mbetet i paharrueshëm lumnimi i Gjon Palit II, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, ku marrin pjesë 2 milion besimtarë. Gjatë homelisë, Benedikti XVI i drejtohet kështu Paraardhësit e mikut të tij të dashur:
“I lumi ti, o Papë i dashur Gjon Pali II, sepse besove! Vazhdo – të lutemi – ta mbështesësh nga Qielli fenë e Popullit të Zotit. Sa herë na ke bekuar nga ky shesh… Sot, po të lutemi: Atë i Shenjtë, na beko! Amen” (1 maj 2011).
Për t’i ndihmuar besimtarët të thellohen në arsyet e shpresës së krishterë, Papa shpall disa Vite të veçanta: përveç Viti Meshtarak, kremton Vitin kushtuar Shën Palit, në dymijë vjeçarin e lindjes së Apostullit të Popujve. Më pas, në 50-vjetorin e Koncilit II të Vatikanit, shpall Vitin e Fesë. Koncili, vëren Papa, është akoma busulla, që e orienton Kishën në det të hapur. Që nga fjala e tij e parë para Kuries Romake, në dhjetor 2005, nënvizon se Koncili është vazhdimësi e risim në jetën e Kishës e nuk duhet kuptuar si diçka, që ia ndryshon asaj rrugën krejtësisht:
“Kisha është, si përpara, ashtu edhe pas Koncilit, po ajo Kishë, një e vetme, shenjte, katolike dhe apostolike, në udhë përmes kohrave” (22 dhjetor 2005).
Kohë, të karakterizuara nga tragjedia e luftës dhe e terrorizmit, në shumë vende të planetit. Papa bën ç’është e mundur për t’u dhënë fund konflikteve: përmes lutjes, sidomos. Por edhe me thirrje për paqen, veçanërisht për Irakun, Sirinë, Tokën Shenjte, Kongon dhe Malin. E akoma, me nisma diplomatike e me dërgimin e ndihmave materiale. Përmes Këshillit Papnor “Cor Unum”, dora e ngrohtë e Kishës Katolike shtrihet në ndihmë të popullsive të dëmtuara nga katastrofa natyrore, si ajo e Haitit, në janar 2010. Emergjencë e tipit tjetër, ajo e mbrojtjes së familjes, bazuar në martesën ndërmjet një burri e një gruaje. Nuk numërohen ndërhyrjet e Benediktit XVI për ta vendosur familjen në qendër të jetës së Kishës e të shoqërisë. Thirrje, që tingëllojnë më të fuqishme në dy Takimet Botërore të Familjeve, në të cilat merr pjesë: në Valencia, në vitin 2006, dhe në Milano, në vitin 2012. Nga Italia, Papa i kërkoi vjet gjithë Kishës, në të gjitha nivelet, të mos i mënjanojë ata, që vuajnë nga ndarja, ose divorci:
“Më duket detyrë e rëndësishme e famullisë dhe e bashkësisë katolike të bëjë vërtet ç’është e mundur që ata ta ndjejnë se duhen, se pranohen, se nuk janë ‘jashtë’ Kishës, pavarësisht se nuk mund t’u falet mëkati i ndarjes e nuk mund të marrin Eukaristinë; duhet ta kuptojnë se edhe kështu, jetojnë plotësisht brenda Kishës” (2 qershor 2012).
Intelektual i hollë, Papës i pëlqen të bëjë shaka. Madje, një nga tiparet e karakterit të Jozef Racinger është pikërisht humorizmi, që e bën të ngjashëm me njërin nga shkrimtarët e tij më të dashur: Çestertonin. Një shembull i këtij humori, edhe në mesin e vështirësive më të mëdha, shihet pasi theu polsin, gjatë pushimeve në Les Combes të Val d’Aostës, më 2009:
“Fatkeqësisht, Engjëlli im i Rojës më la të bija, natyrisht, duke iu bindur “urdhërave nga lart”… Ndoshta, Zoti dëshiron të më mësojë më shumë durim e përvuajtëri, të më japë më shumë kohë për lutje e meditim” (29 korrik 2009).
Butësia është tjetër tipar i karakterit të Papës, që vlerësohet nga të gjithë, që nga pushtetarët e deri tek të fundmit e kësaj bote. Një butësi shpirti, që shoqërohet gjithnjë me atë përvuajtëri, të cilën e pati përmendur në fillim të shërbimit të tij papnor. “Jam mëse i vetëdijshëm – pati thënë pak pas zgjedhjes në Katedrën e Shën Pjetrit – se nuk duhet ta mbaj i vetëm atë, që në të vërtetë, kurrë nuk do të mundem ta mbaj vetëm”. Mendim ky, i përsëritur disa herë:
“E gjithnjë e më shumë ndjej se i vetëm, nuk mundem ta kryej këtë detyrë, këtë mision. Por ndjej edhe se ju e mbani këtë peshë bashkë me mua: kështu, jam në bashkim me ju e sëbashku, mund ta çojmë përpara misionin e Zotit” (19 prill 2006).
Bari i përvuajtur, i butë e i vendosur në sajë të dashurisë për Kishën, Benedikti XVI e ka udhëhequr vërtet Barkën e Pjetrit në ujrat e qeta e të trazuara drejt portit të sigurtë të fesë në Jezu Krishtin.







All the contents on this site are copyrighted ©.