2013-02-11 16:12:03

Përmbledhje nga takimi i atë Lombardit me gazetarë për dorëheqjen e Papës


Papa na zuri paksa në befasi e pastaj, në një ditë që, kemi parasysh Vatikanin, është festive, prej këndej, na u desh të organizohemi shpejt e shpejt për këtë ngjarje tejet të rëndësishme. Siç e dinin shumë nga ju, sot paradite do të mbahej Koncistori i zakonshëm publik për disa çështje shenjtërimesh e, prej këndej, do të caktohej edhe dita e shenjtërimit të disa shenjtorëve të rinj. Me këtë rast u thirrën – prandaj quhet koncistor publik - kardinajtë, të gjithë kardinajtë, që janë në Romë e që mund të marrin pjesë. Ishte, prandaj, një numër i madh kardinajsh. Kush mundi t’i ndjekë edhe pamjet, e unë munda t’i ndjek, pa se në sallën e Koncistorit, rreth Atit të Shenjtë, ishin shumë kardinaj. Mund të themi se Papa e zgjodhi këtë rast, posaçërisht domethënës, në mes të kardinajve, së paku atyre që janë këtu në Romë, për ta dhënë këtë njoftim kaq të rëndësishëm.RealAudioMP3

Tekstin e dorëheqjes Papa e lexoi në gjuhën latine, në përfundim të Koncistorit.

Në të Ati i Shenjtë thekson se e rrëmoi vazhdimisht ndërgjegjen para syve të Zotit. E kështu arriti tek ky përfundim personal, i thellë, i marrë në atmosferën e lutjes përballë Zotit, nga i cili e ka marrë misionin, që po kryen. U bind, kështu, se forcat e tij, për shkak të moshës së shtyrë, nuk janë më të përshtatshme për të ushtruar si duhet ministerin papnor. E ky është edhe shkaku kryesor i vendimit. Rrëmimi i ndërgjegjes për forcat, në lidhje me ministerin, me detyrën, që duhet kryer. Vijon, pastaj, duke pohuar se është plotësisht i vetëdijshëm që ky minister, për natyrën e vet shpirtërore, duhet kryer jo vetëm me vepra e me fjalë, por edhe me vuajtje e me lutje, prej këndej, është edhe vlera e vuajtjes dhe e lutjes në këtë minister.

Ndërmjet shkaqeve të dorëheqjes së Papës, siç vërehet në fjalët e tij, janë edhe rrethanat e botës së sotme, në krahasim me të kaluarën, posaçërisht impenjative, për shpejtësinë e cilësinë e ngjarjeve e të problemeve, që krijojnë e, prej këndej, edhe kërkesa për më shumë energji, se në të kaluarën. Energji, që Papa pohon se i janë pakësuar muajt e fundit.
Domethënëse fraza: “Mëse i vetëdijshëm për këtë akt, me liri të plotë, deklaroj se heq dorë nga shërbimi i Ipeshkvit të Romës, Pasardhës i Shën Pjetrit”. Kjo është deklarata, si të themi, formale, e rëndësishme në këndvështrimin juridik. Në Kodin e së Drejtës Kanonike, neni 332, paragrafi 2, lexojmë: “Në rast se Papa i Romës heq dorë nga detyra e tij, kërkohet, për vlefshmëri, që dorëheqja të bëhet lirisht e të shprehet siç i takon. Nuk kërkohet, ndërkaq, që ndokush ta pranojë”.
Dy pikat themelore janë liria dhe shprehja e duhur.
Liri e shprehje publike, siç është publik Koncistori, në të cilin Papa shprehu vullnetin e tij.

Benedikti XVI do të vijojë t’i kryejë plotësisht funksionet e shërbimit të tij, deri më 28 shkurt, në orën 20.00. Nga ky çast, nis situata e selisë vakante, e cila rregullohet në këndvështimin juridik e kanonik, nga tekstet, që kanë të bëjnë me selinë vakante në Kodin e së Drejtës Kanonike dhe në Kushtetutën Apostolike të Gjon Palit II ‘Universi dominici gregis’ mbi vendin vakant të Selisë Apostolike.

Deklarata e Papës, pra, është në përkim të plotë me atë, që pati deklaruar edhe në librin-intervistë “Drita e botës”, të Peter Seewald, në të cilin lexojmë dy pyetje të sakta, që hamendësojnë mundësinë e dorëheqjes.
Seewald-i e pati pyetur Papën, e kjo ishte pyetja e parë, për situatat e vështira, për peshën e tyre mbi papninë e për ndikimin mbi një dorëheqje të mundshme. E Papa u përgjigj: “Kur rreziku është i madh, nuk mund të ikësh, e ja pse ky, sigurisht, nuk është çasti për të hequr dorë(bëhej fjalë për çështjen e shpërdorimeve e kështu me radhë); pikërisht në çaste si ky, është e nevojshme të qëndrosh e ta kapërcesh situatën e vështirë. Kështu mendoj unë. Mund të hiqet dorë në çaste të qeta, ose kur nuk mundesh më, sepse të shterrojnë forcat. Nuk mund të ikësh në çastin e vështirë e të thuash: ‘Le të meret dikush tjetër me të”.
Papa, pra, kishte thënë, kështu, se nuk ishin vështirësitë ato, që mund ta shtynin për të dhënë dorëheqjen, madje ishin për të mos e dhënë.Pyetja e dytë e Seewald-it: “Prej këndej, mund ta marrim me mend se ka edhe situata, që ju ju duken të përshtatshme për dorëheqjen e papës?”. Përgjigjja ishte: “Po, kur Papa bindet plotësisht se nuk është më në gjendje fizike, mendore e shpirtërore ta kryejë detyrën, që i është besuar, atëherë ka të drejtë, e në disa rrethana, edhe detyrë, të heqë dorë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.