2013-02-11 11:19:26

Papa në Engjëllin e Tënzot: t’u kumtohet Krishti të gjithëve, pa u çkurajuar, me bindjen se është Zoti ai që shndërron


T’ua kumtojmë Krishtin të gjithë njerëzve, pa frikë nga ligështia jonë, sepse është mëshira e Zotit ajo, që shndërron e përtërin: këtë pohoi Papa në lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, përballë një numri të madh shtegtarësh, të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, në një ditë të akullt, ndriçuar nga dielli dimëror, që ndriste, pa ngrohur. Më pas Benedikti XVI kujtoi Ditën botërore të të sëmurit, kremtuar sot dhe u drejtoi përshëndetjen e vet popujve aziatikë, në festë për Vitin e ri hënor.
Apostujt e Ungjillit nuk çkurajohen kurrë duke ua kumtuar Krishtin të gjithë njerëzve, deri në skajet më të largëta të botës: kjo ishte ftesa e Papës, në sa komentonte fragmentin ungjillor të së dielës, në të cilin Jezusi e fton Pjetrin ta mposhtë mosbesimin, edhe mbasi ka hedhur rrjetat gjithë natën, pa zënë asnjë peshk. Pjetri i beson Zotit, hedh sërisht rrjetat e provon peshkimin e mrekullueshëm, para se të bëhet ‘peshkatar njerëzish’. Ky tekst ungjillor, nënvizoi Benedikti XVI, na bën të kuptojmë pedagogjinë e thirrjes së Hyjit, që nuk e shikon aq cilësinë e të zgjedhurve, sa fenë e tyre. E na lë të kuptojmë se thirrja për rrugën meshtarake e rregulltare është vepër e vetë Zotit:
Njeriu nuk është autori i thirrjes së tij, është përgjigje ndaj propozimit hyjnor; e ligështia njerëzore nuk duhet të shkaktojë frikë, në se Zoti thërret; duhet besuar gjithnjë më shumë në pushtetin e mëshirës së Tij, që shndërron e përtërin”.
E kjo mëshirë përfshin gjithë misionin e Kishës e cila, gjatë jetës tokësore, është e thirrur t’i mirëpresë të gjithë, të mirë e të këqinj. Pa harruar, veç, se pas ngjalljes, do të përfshijë vetëm të mirët. Prej këndej, lutja e Papës:
“Kjo Fjalë e Zotit gjallëroftë edhe në shpirtin tonë e në bashkësitë tona të krishtera, guximin, besimin e zellin për ta kumtuar e për ta dëshmuar Ungjillin. Dështimet e vështirësitë nuk duhet të na çkurajojnë. Ne duhet vetëm të hedhim rrjetat, pjesën tjetër e bën vetë Zoti”.
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi popujt e Lindjes së Largët, që kremtojnë Vitin e ri hënor. “Paqja, harmonia e mirënjohja ndaj qiellit, vërejti Ati i Shenjtë, janë vlera universale, që kremtohen në këtë festë gazmore e dëshirohen nga të gjithë, për të ndërtuar familjen, shoqërinë, kombin:
Uroj të realizohen për këta popuj dëshirat për një jetë më të lumtur e më të begatë. U drejtoj një përshëndetje të posaçme katolikëve të këtyre vendeve, duke uruar që, në këtë Vit të fesë, ta lënë dijen e Krishtit t’u prijë në udhën e tyre”.
Më pas Papa kujtoi se sot, festa liturgjike e Zojës Lurdë, kremtohet edhe Dita botërore e të sëmurit. Benedikti XVI i ftoi të gjithë të kujdesen për njerëzit që vuajnë e t’i vizitojnë të sëmurët, sipas porosisë së Krishtit, që me dashurinë e ndihmën tonë, të rigjejnë shpresën dhe besimin në Zotin, i cili i do.
Kremtimi solemn i Ditës u mbajt në Shenjtëroren mariane të Alttöting, në Bavari:
“Me lutje e zemër jam pranë gjithë të sëmurëve e bashkohem shpirtërisht me ata, që do të mblidhen në këtë Shenjtërore, shumë e dashur për mua”.Në përfundim, Papa vlerësoi lart nismën e “Grumbullimit të ilaçeve’, që dje organizoi mbledhjen e ilaçeve në Itali, Spanjë e Portugali.







All the contents on this site are copyrighted ©.