Paktet Lateranense, model ligjor për mbrojtjen e lirisë fetare. Këndvështrim i
“L’Oservatore Romano”.
Paktet Lateranense të 1929-tës janë shembull i mjetit ligjor, që mbron lirinë fetare.
Kështu i vlerëson gazeta vatikanase “L’Osservatore Romano” në numrin e saj të sotëm,
kushtuar marrëveshjes historike ndërmjet Italisë e Selisë së Shenjtë, e cila më 11
shkurt, 82 vjet më parë sanksionoi lindjen e Qytet–Shtetit të Vatikanit. Një marrëveshje,
ka ripohuar në shumë raste Benedikti XVI, që për Kishën është burim garancie, jo privilegjesh. Këndvështrimi
i gazetës vatikanase është thellësisht aktual. Në një epokë, kur të thuash se je i
krishterë, është si të thuash se je armik i një ligji, i një shteti, i një kulti tjetër,
ose më shkurt, i një fronti gjithnjë më të gjerë indiference moderne, i cili nuk dëshiron
të trazohet nga ata, që praktikojnë një fe tejet të lashtë, Paktet ‘e vjetra’ Lateranense
janë shembull, pikë e vërtetë referimi, për kë dëshiron të garantojë me ligj të drejtën
e praktikimit të një besojmë. Parë me sytë e së sotmes, Paktet Lateranense dhe Marrëveshja
e Vilës Madama e vitit 1984, e cila harmonizoi normat konkordare me Kushtetutën republikane,
përfaqësojnë, lexohet në L’Osservatore Romano, një të dhënë me peshë: janë mjete
pozitive të mbrojtjes e të promovimit të lirisë fetare, parë si e drejtë individuale,
kolektive dhe institucionale. Mbrojtja e saj, vijon artikulli, nuk mund të konsiderohet
si objektiv i arritur një herë e përgjithmonë. Ajo kërkon tension të përhershëm e
përshtatje të përvojës juridike me kërkesat, që krijohen nga evolucioni i vazhdueshëm
i shoqërisë
Më 10 dhjetorin e kaluar, duke pritur në audiencë ambasadorin e
ri italian pranë Selisë së Shenjtë, Benedikti XVI pohoi se thelbi i këtyre pakteve
ndërkombëtare nuk duhet kuptuar si “shprehje e vullnetit të Kishës ose Selisë së Shenjtë
për të ruajtur pushtetin, privilegjet ose pozitat ekonomike e shoqërore. Përkundrazi
shprehin vullnetin e mirë nga ana e shtetit, për t’u garantuar njerëzve të veçantë
e Kishës mundësinë e ushtrimit të plotë të lirisë fetare. Ja, pra, pse përfundimi
pozitiv i “Çështjes romake”, që çoi në nënshkrimin e Pakteve të ‘29-tës, ka vlerë
ende sot, pohonte Papa dy vjet më parë, në një fjalim kushtuar Piut XI, Papës që i
realizoi: “Mbetesh vërtet i prekur përballë veprës së urtë e të fortë të
këtij Pape, që për Kishën deshi vetëm lirinë, e cila do t’i krijonte mundësinë për
ta kryer plotësisht misionin e saj. Edhe Qytet-Shtetin e Vatikanit, lindur pas Pakteve
Lateranense e, në veçanti, pas Traktatit, Piu XI e konsideroi si mjet për të garantuar
pavarësinë e nevojshme nga çdo pushtet njerëzor, për t’i dhënë Kishës dhe Kryebariut
të saj mundësinë ta vërë plotësisht në jetë mandatin e marrë nga Krishti Zot (14
shkurt 2009, Fjalimi me rastin e 80-vjetorit të Qytet-Shtetit të Vatikanit).