2013-02-11 13:44:23

Kardinali Sodano: ylli i papnisë së Tij do të vezullojë përgjithmonë mes nesh.


Shenjtëri, i dashur dhe i nderuar Pasardhës i Pjetrit, si një rrufe në qiell të kthjellët, jehoi në këtë sallë mesazhi juaj prekës. E dëgjuam të përhumbur, si dëgjohet një kumt gati-gati i pabesueshëm. Në fjalët tuaja vërejtëm dashurinë e madhe, që keni pasur gjithnjë për Kishën Shenjte të Hyjit, për këtë Kishë, që ju e deshët aq shumë. Tani, më lejoni t’ju them, në emër të këtij çenakulli apostolik, kolegjit kardinalor, në emër të këtyre bashëkëpunëtorëve tuaj të dashur, më lejoni, pra, t’ju them se jemi më shumë se kurrë pranë jush, ashtu si ishim gjatë këtyre tetë vjetëve të ndritshme të papnisë suaj. Më 19 prill 2005, me sa më kujtohet, në përfundim të Konklavit, unë ju pyeta, me zërin, që më dridhej nga emocioni: “A e pranoni zgjedhjen tuaj kanonike si Papë?”. E ju nuk vonuat, ndonëse me emocion, të përgjigjeshit. Pohuat se e pranoni, duke u mbështetur në Hirin e Zotit e në ndërmjetësimin amtar të Marisë, Nënës së Kishës. Ashtu si Maria, edhe ju, në ato ditë, thatë ‘po-në’ tuaj dhe e nisët papninë tuaj të ndritshme, në hullinë e vazhdimësisë, të asaj vazhdimësie, për të cilën ju na keni folur aq shumë në historinë e Kishës; në hullinë e vazhdimësisë me 265 paraardhësit në katedrën e Pjetrit, gjatë dymijë vjet historie, nga Apostulli Pjetër, peshkatar i përvuajtur i Galilesë, deri tek Papët e mëdhenj të shekullit të kaluar, duke nisur nga Shën Piu X, deri tek i Lumi Gjon Pali II.
Atë i Shenjtë, para 28 shkurtit, siç thatë edhe Ju vetë, ditë, në të cilën dëshironi të thoni fjalën e fundit të shërbimit tuaj papnor, kryer me aq dashuri e përvuajtëri, para 28 shkurtit, do të kemi mundësinë t’jua shprehim më mirë ndjenjat tona. Kështu do të bëjnë gjithë barinjtë e besimtarët, përhapur nëpër botë, e po kështu, edhe njerëzit vullnetmirë, njëherësh me autoritetet e shumë vendeve. Pastaj akoma, në këtë muaj, do të kemi gëzimin ta dëgjojmë zërin tuaj prej bariu të mërkurën, ditën e Përhimjes, e pastaj edhe të enjten, me klerin e Romës, në lutjet e Engjëllit të Tënzot të këtyre të dielave e në audiencat e të mërkurave. Do të kemi, prandaj, edhe shumë raste të tjera për ta dëgjuar zërin tuaj atëror. Por misioni juaj do të vijojë. Ju na thatë se do të jeni gjithnjë pranë nesh me dëshminë tuaj e me lutjen tuaj. Sigurisht yjet në qiell do të vijojnë të vezullojnë e kështu do të vezullojë mes nesh edhe ylli i papnisë suaj. Jemi pranë jush, Atë i Shenjtë, e na beko!RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.