Dita e të sëmurit. Imzot Zimovski: në kujdesin për të sëmurët, t’i jepet rëndësi përmasës
sakramentore
U kremtua sot në të gjithë botën Dita e të Sëmurit, pikërisht në festën e Zojës së
Lurdës, Pajtores së të vuajturve e të sëmurëve. Kremtimi kryesor për Kishën Katolike
qe në Bavari të Gjermanisë, në shenjtëroren e Altëting, vetëm 16 km larg nga shtëpia
ku ka lindur Papa Racinger. Meshën e kryesoi i dërguari i Benediktit XVI, imzot Zigmunt
Zimvoski, kryetar i Këshillit Papnor për Veprimtarët e Shëndetësisë. Në mesazhin e
tij për këtë ditë, me temë “Shko e bëj edhe ti kështu”, Ati i Shenjtë propozon si
model figurën e Samaritanit të Mirë, duke kujtuar se kujdesi i Kishës për të sëmurët
fillon së pari, nga Sakramentet. Të dëgjojmë vetëm imzot Zigmunt Zimovskin, në mikrofonin
tonë: Ne kremtojmë Vitin e Fesë, prandaj duhet ta thellojmë fenë tonë përsa
u përket Sakramenteve, që na afrojnë me Jezu Krishtin. Për të sëmurët, Sakramentet
më të rëndësishme janë tre, siç nënvizon Ati i Shenjtë në mesazhin e tij: janë Sakramentet
që shërojnë shpirtin, pra Pendimi, Vojimi i të sëmurëve e, veçanërisht, Eukaristia
si shujtë shpirtërore. Ne duhet të kemi parasysh se kujdesi baritor për të sëmurët
shprehet mbi të gjitha, në përmasën sakrametore. Mesazhi i Papës për këtë
vit, propozon tema mjaft konkrete, apo jo? Çdo Ditë Botërore e të Sëmurit ka
temën e vet. Këtë vit propozohet tema e Samaritanit të Mirë; çdo vit, temat janë shumë
konkrete. Ju e dini se pas tre vjetësh do të shkojmë në Tokën Shenjte e atje, duam
të përqendrohemi në besimin e Shën Marisë, në shembullin që dha, duke shkuar tek Shën
Elizabeta për t’i shërbyer kësaj gruaje në moshë, që priste një fëmijë: ky është shërbimi.
E Maria, siç thotë Papa në Mesazhin e tij, është e para, që na jep shembullin e Samaritanes
së Mirë. Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje në katër ditët, që udhëtuan
në Gjermani? Po i kthehem mesazhit të Benediktit XVI, në të cilin thuhet se
Dita Botërore është rast i përshtatshëm për reflektim, lutje dhe afërsi me të sëmurët:
këto tri përmasa. E ne kështu bëmë, në dy ditët e para në Ajhshtet, ku reflektuam
mbi temën e Samaritanit të Mirë; u takuam edhe me të sëmurët në spitalin e qytetit
e vizituam një shtëpi për të moshuarit. Në një atmosferë shumë prekëse, një rregulltare
dhe një laike iu afruan të sëmurëve me ujin ebekuar e pastaj, ndezën qirinjtë, që
kishim në dorë. Të gjithë u lutëm për nevojat e botës. Çdo i sëmurë, çdo i moshuar,
madje, edhe ata që mezi flisnin, shprehën një dëshirë, një lutje. Nëna e një meshtari
iu lut Zotit që i biri të jetë sa më i mirë për famullinë e vet, si Samaritani i Mirë.
Të tjerë u lutën për të vdekurit… ishte vërtet prekëse. Ne si Kishë duhet ta hapim
zemrën për të sëmurët, për të vuajturit, për njerëzit, që kanë nevojë për kujdesin
tonë, për zemrën tonë…