2013-02-11 11:21:08

Dita botërore e sëmurit: kremtimet në Altötting të Gjermanisë


Etapa e parë e udhëtimit të delegacionit papnor me rastin e Ditës XXI botërore të të sëmurit, në Altötting të Gjermanisë, nisi të premten e kaluar, me fjalimin e kardinalit Reinhard Marks, kryeipeshkëv i Munih-Frisingës në mbyllje të punimeve të takimit shkencor, organizuar nga Universiteti i Eishtat-Ingolshtadt, i vetmi universitet katolik aktiv në vendet e gjuhës gjermane. Në takimin, me temë: “Të ndihmohet njeriu, që vuan”, organizuar nga Këshilli Papnor për punonjësit e shëndetësisë, në perspektivë të Ditës botërore të të sëmurit, që u kremtua sot, më 11 shkurt, në festën liturgjike të Zojës Lurdë, morën pjesë specialistë të disiplinave të ndryshme, psikologë, mjekë të bazës, teologë, ekonomistë e menaxherë, të gjithë të sektorit spitalor, për ta parë nga këndvështrime të ndryshme problematikën e mjekimit të njeriut që vuan edhe, e sidomos, duke u nisur nga mjekimi shpirtëror i të sëmurit e duke e përballuar problemin e sensibilizimit të punonjësve të shëndetësisë, të cilët shpesh lihen vetëm në veprimtarinë e tyre prej samaritanësh të mirë, për shkak të kufizimeve ekonomike në rritje për sektorin shëndetësor.Punimet i kryesoi imzot Zigmunt Zimovski, kryetar i Këshillit Papnor për baritorinë e shëndetësisë, së bashku me ipeshkvin vendas, imzot Hanke, ndërsa i hapi profesor Shenk, drejtor i shkollës së lartë katolike. Përfaqësuesit e qeverisë federale e të Rajonit të Bavarisë e mirëpritën delegacionin vatikanas dhe shprehën vlerësimin e tyre për nismat e shumta e të rëndësishme të Këshillit Papnor, e edhe për vëmendjen e treguar në përgatitjen e Ditës botërore të të sëmurit, çast i rëndësishëm për njerëzit që vuajnë, tepër shpesh të lënë pas dore për arsye se bota e sotme shikon më shumë dobinë e interesin vetjak.
Etapa shkencore e ditës u pasua nga ajo baritore. Delegacioni papnor shkoi nga Eihshtat, në Munih, ku vizitoi spitale e u takua me njerëz të sëmurë e të vuajtur. Jo rastësisht këto takime po zhvillohen në pjesën qëndrore të shtegtimit, që do të përfundojë nesër. Për pjesën liturgjike, ngjarja arriti kulmin me Meshën e madhe në përkujtimin liturgjik të Zojës Lurdë, që u kremtua në Altötting, ku nderohet Zoja e Hireve, shumë e njohur edhe përtej kufijve bavarezë, e shumë e dashur për Benediktin XVI.







All the contents on this site are copyrighted ©.