Benedikti XVI ipeshkvijve katolikë të Shqipërisë më 23 maj 2008
Benedikti XVI: Fjalimi drejtuar ipeshkvijve katolikë të Shqipërisë në vizitë ad
Limina më 23 maj të vitit 2008
Të nderuar e të dashur Vëllezër, me gëzim
të madh ju pres të gjithë së bashku, ndërsa jeni duke kryer shtegtimin tuaj ad Limina.
Ky është rast i përshtatshëm që Pasardhësi i Shën Pjetrit t’i njohë nga afër vështirësitë
që duhet të përballoni në tokën e dashur të Shqipërisë. Ju përshëndes përzemërsisht
dhe ju falënderoj që më folët me zemër të hapur për realitetin e ndërlikuar të Kishës
në Shqipëri, ngarkuar me vështirësi, por jo më pak edhe me shpresa. Ju shpreh mirënjohjen
time posaçërisht për fjalët që më drejtoi Kryetari i Konferencës suaj Ipeshkvnore
në emër të të gjithëve, duke më shprehur kështu ndjenjat tuaja. Ju falënderoj, të
dashur Sivëllezër në Ipeshkvi! E mirë se erdhët!? E njohim të gjithë tashmë trashëgiminë
e trishtuar që i la Shqipërisë regjimi i kaluar diktatorial, i cili e pati shpallur
ateizmin si ideologji të Shtetit. Është e qartë se një orientim i tillë antidemokratik
i marrëdhënie ndërmjet qytetarëve, ju la trashëgim vështirësi jo të pakta në planin
njerëzor e ju ngarkon me detyrën për të zbuluar një gramatikë të përbashkët, që mund
ta mbështesë përsëri ndërtesën e shoqërisë. Por ju, pasardhës të Apostujve, jeni të
thirrur të jeni, mbi të gjitha, dëshmitarë të një trashëgimie tjetër, mirëbërëse e
ndërtimtare: asaj të mesazhit të shëlbimit që solli Krishti në botë. Në këtë kuptim,
pas natës së errët të diktaturës komuniste, e cila nuk qe e aftë ta kuptonte popullin
shqiptar e traditat e tij stërgjyshore, Kisha mundi të rilindë për virtyt të Provanisë
hyjnore, falë edhe forcës apostolike të Paraardhësit tim të nderuar, Shërbëtorit të
Hyjit, Gjon Palit II, që erdhi mes jush për vizitë në vitin 1993, duke rindërtuar
hierarkinë e qëndrueshme katolike, për të mirën e besimtarëve dhe për dobinë e popullit
shqiptar. Një nga aktet e para të Papës së madh, qe njohja e heronjve të fesë:
kujtoj këtu, posaçërisht, dëshminë e shkëlqyer të kardinalit Koliqi, korife i një
grupi të madh martirësh. Rikrijimi i Hierarkisë katolike ishte njëkohësisht edhe njohje
e lidhjes së ngushtë të popullit tuaj me Krishtin si dhe ndihmesë për t’u krijuar
hapësirën e duhur forcave të reja të katolicizmit në trojet e Shqipërisë. Ju jeni
rojtarë të kësaj lidhjeje, e ju takon posaçërisht juve detyra ta promovoni në veprimtaritë
tuaja e në nismat tuaja, këtë unitet, që duhet të shprehë misterin themelor e jetëdhënës
të Korpit të Krishtit, në bashkim me shërbimin e Pasardhësit të Pjetrit. Në këtë perspektivë,
nuk mund të mos shikojmë sa themelor është bashkëpunimi i ngushtë i ipeshkvijve, pikërisht
për t’u bërë ballë me sukses problemeve dhe vështirësive të Kishës në Shqipëri. Si
mund të mendohet që njëra dioqezë do të mund ta zhvillojë me sukses veprimtarinë e
saj, në se nuk e ka parasysh edhe mendimin e Ipeshkvijve të tjerë, bashkëpunimi me
të cilët është i domosdoshëm për t’iu përgjigjur si duhet shpresave të një populli
të vetëm, të cilit i drejtohet Kisha? Vetëm bashkëpunimi i përzemërt e vëllazëror
ndërmjet Barinjve, mund t’i sjellë dobi të madhe popullit të dashur shqiptar, si në
planin shoqëror, ashtu edhe në atë ekumenik e ndërfetar. Prandaj, të nderuar Sivëllezër,
duhet të jeni një gjë e vetme në Krishtin në shpalljen e Ungjillit e në kremtimin
e Mistereve hyjnore; shpreheni bashkimin me Kishën universale me vëllazërim të thellë
e të vërtetë ipeshkvnor. Do të ishte e pakonceptueshme nisma e një Bariu i cili, në
përpjekjen për të përballuar situata konkrete, nuk do të shqetësohej për ta koordinuar
veprimtarinë personale me atë të Sivëllezërve Ipeshkvij. Ka çështje të veçanta, që
lidhen me probleme të veçanta, të cilat duhen zgjidhur me ndihmesën e të gjithëve
e me një frymë dashurie e durimi baritor. Ju porosis të gjithëve të punoni me maturi
ungjillore, me dashuri të vërtetë të krishterë, duke kujtuar se kanunet kishtare janë
mjete që shërbejnë për të promovuar në mënyrë të rregullt bashkimin në Krishtin dhe
veprimtarinë për të mirën e grigjës së Shëlbuesit. Kjo ka të bëjë edhe me veprimtaritë
ungjillëzuese e katekistike dhe gjen shprehjen e vet edhe në veprimtarinë shoqërore.
Kam parasysh sidomos fushën e shëndetësisë, të arsimit, të përpjekjes për t’i paqëtuar
shpirtrat dhe për gjithçka nxit bashkëpunimin ndërmjet përfaqësuesve të ndryshëm të
shoqërisë e të traditave përkatëse fetare. Fenomeni i emigracionit, si brenda,
ashtu edhe jashtë vendit, ju krijon probleme të vështira baritore, që duhen përballuar
me zemër Ipeshkvi, jo vetëm për besimtarët që jetojnë në trojet tuaja, por edhe për
ata të diasporës. Kjo kërkon nga ju bashkëpunimin me Sivëllezërit në vendet e tjera,
që të mundni kështu, të jepni ndihmesën baritore të nevojshme e urgjente. I njoh vështirësitë,
që kanë të bëjnë me mungesën e klerit. Jam në dijeni edhe se shumë meshtarë, ndonëse
punojnë në kushte të vështira, i ndihmojnë pa kursim besimtarët katolikë me origjinë
shqiptare në dhe të huaj. Kjo ju nderon, të dashur Sivëllezër, që tregoni kujdes,
sipas zemrës së Krishtit, për jetën shpirtërore të njerëzve tuaj edhe jashtë kufijve
të Atdheut. E kjo nderon edhe meshtarët, që ndajnë me ju shqetësimet baritore. Ka
edhe shumë probleme të natyrës praktike, për të cilat duhet të ndihmojnë edhe instancat
civile, përmes propozimeve, që nuk kanë të bëjnë vetëm me shqetësime të natyrës politike,
por edhe me situata konkrete shoqërore. Në këndvështrimin katolik, si në Atdhe, ashtu
edhe në rrethanat e mërgimit, është e nevojshme t’i ndiqni me vëmendje njerëzit tuaj
në mënyrë që, duke ua ruajtur identitetin e veçantë, të mos lihet pas dore edhe përfshirja
e tyre në gjirin e shoqërisë ku jetojnë. Në këtë këndvështrim, është e nevojshme që,
posaçërisht meshtarët e caktuar për kujdesin baritor të emigrantëve, të mos harrojnë
se të gjithë u përkasin Korpit të vetëm të Krishtit, që është i njëjtë në të katër
anët e tokës. Të shprehesh kështu, të nderuar vëllezër, do të thotë të pohosh se duhen
ndjekur me kujdes të madh të gjithë ata, të cilët Zoti i thërret të ecin pas Tij.
Prandaj theksoj se problemi i thirrjeve për rrugën e meshtarisë, duhet të jetë gjithnjë
shqetësimi juaj kryesor: nga kjo varet ardhmëria e Kishës. Dëshiroj, së fundi,
t’ju shpreh kënaqësinë për marrëveshjet e nënshkruara pak kohë më parë me autoritetet
e Republikës: besoj se këto masa do të ndihmojnë për rindërtimin shpirtëror të vendit,
duke pasur parasysh rolin pozitiv që luan Kisha në shoqëri. Nga ana ime, ju jap zemër
të vijoni shërbimin tuaj, për të realizuar programet që keni hartuar së bashku. Ndërsa
ia besoj mbrojtjen tuaj ndërmjetësimit qiellor të Marisë, Nënës së Këshillit të Mirë,
ju jap, me kënaqësi, juve, priftërinjve e rregulltarëve, rregulltareve dhe të gjithë
besimtarëve që i janë besuar kujdesit tuaj baritor, një Bekim të posaçëm Apostolik.