2013-02-09 15:22:42

Shenjtorët e Javës 10 -17 shkurt, sipas kalendarit kishtar


E diel 10 shkurt, Kisha katolike kremton të dielën e 5-të gjatë vitit kishtar, e gjithnjë më 10 shkurt nga kalendari kishtar përkujtohet edhe shën Skolastika, virgjër, shën Silvani dhe i Lumi Alojze Stepinac. Liturgjia e kësaj së diele na flet e paraqet historinë e tri thirrjeve në kontekste e perspektiva të ndryshme. Thirrjen e Izaisë profet në leximin e parë, takimin e Palit apostull me Jezusin, në leximin e dytë dhe peshkimin e begatë, madje të mrekullueshëm të shën Pjetrit Apostull, në tregimin ungjillor.
Të hënën më 11 shkurt, Kisha Katolike kremton festën e Zojës së Lurdës, Zoja e mrekullive dhe e shërimit të sëmundjeve. Leximet biblike na rrëfejnë se është i Lum e pra, i shëruar, ai njeri të cilit i janë falur mëkatet. Vetëm Jezusi na liron, na bashkon e na shtyn t’i thurim lavde veprave të Zotit. 11 shkurti është edhe Dita botërore e të Sëmurit.
Të martën më 12 shkurt, kalendari përkujton shenjtorët martirë të Abitenit dhe shën Benediktin e Anianit. Leximet e ditës vënë në pah vëmendjen që i jepet Eukaristisë në predikimin e apostujve. Është një mrekulli, që zbulon mëshirën e Jezusit për ne dhe nevojën tonë për t’u ushqyer me bukën e jetës. Në këtë ditë, Radio Vatikani feston përvjetorin e themelimit.
Të mërkurën më 13 shkurt bie e Mërkura e Përhime. Me këtë ditë nis koha e fortë shpirtërore e Krezhmëve, kohë që na fton të bëjmë vepra bamirësie, të pendohemi, të kthehemi në rrugën e Zotin dhe të lutemi e agjërojmë. Posaçërisht duhet t’i lutemi me gjithë zemër Zotit për të na falur të gjitha lëshimet, gabimet, me vetëdijen se të gjithë jemi mëkatarë. Nënvizojmë se e Mërkura e Përhime është ditë urate, agjërimi e pendese.
Të enjten më 14 shkurt, kalendari përkujton shën Çirilin, murg e shën Metodin, ipeshkëv, Pajtorë të Evropës si dhe shën Valentinin. Shembulli i jetës së tyre na kujton se mbarë kufijtë e tokës do të shohin shëlbimin, që vjen nga Zoti përmes nxënësve të tij, të cilët në rrjedhë shekujsh venë në jetë porosinë e Krishtit: “Shkoni në mbarë botën e predikoni Ungjillin!”. E Pajtorët e Evropës qenë pionierë të inkulturimit, përmes të cilit krijohen kushtet që feja të rrënjoset në çdo kulturë.
Të premten më 15 shkurt
kalendari përkujton shën Onezimin, nxënës i Shën Palit, dhe Shën Faustinin e shën Gjovitën, martirë. Këta na kujtojnë se mbarë popujt e tokës do t’i shërbejnë Zotit, por edhe se nuk është aspak e lehtë të ecësh gjithnjë në dritën e Atij të Lumit.
Të shtunën më 16 shkurt
kalendari përkujton shën Gjylianën, virgjër e martire. Liturgjia e kësaj dite vë në dukje se kush e humbet jetën për kauzën e Krishtit e të Ungjillit të Tij, ka për ta shpëtuar.
Të dielën e ardhshme më 17 shkurt, Kisha do të kremtojë të dielën e 1-të të Kohës së Krezhmëve, që papraprin e përgatit festën e Pashkëve. E gjithnjë më 17 shkurt kalendari kishtar përkujton edhe Shtatë themeluesit e Urdhrit të Shërbëtorëve të Virgjërës Mari, ndërmjet të cilëve Aleks Konfalonieri.
Nё kёtё tё dielё tё parё tё kohës liturgjike të Krezhmëve nisim rrugёtimin shpirtëror, qё do tё na çojё drejt Pashkёs sё Ngjalljes së Jezu Krishtit. Leximet biblike na shoqërojnë në zbulimin e fytyrës së Zotit-dashuri e në zbulimin e pagëzimit tonë në Krishtin Zot e Shpëtimtar. Janё lexime, qё pёrmbajnё shpalljen e gjithçkaje bëri Zoti për shëlbimin e njerëzimit, me anë të dashurisë së Tij të pakufishme.
Nё kёtё tё dielё, qё quhet ndryshe edhe e diela e tundimit, Ungjilli na pёrshkruan tundimet e Jezusit nё shkretёtirё. Ёshtё njё hyrje e pёrgjithshme nё kёtё kohё tё Krezhmëve, e cila fillon nёn shenjёn e luftёs sё brendshme, qё e pret njeriun para se të marrë vendimet pёrfundimtare për jetën. E besimi në Hyjin Atë ёshtё njё nga kёto vendime, që Jezusi na i mëson me jetё e na i këshillon me fjalë edhe neve, duke na nxitur t’i biem mohit djallit e së keqes e të përqafojmë udhën e Jetës, që Zoti na tregon e ofron.







All the contents on this site are copyrighted ©.