2013-02-09 15:35:24

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 5-të gjatë vitit kishtar “C”


Të gjithë njerëzit janë të thirrur prej Zotit: edhe ai njeri që nuk dëgjon!
Ja përsëri në takimin javor me Fjalën e Zotit të liturgjisë së dielës, këtë herë do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë hyjnore të dielës së 5-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë sipas kalendarit liturgjik.
Liturgjia e Fjalës Hyjnore e kësaj së diele vijon me temën e kumtimit të Ungjillit dhe të ndjekjes apo të ecjes gjurmëve të Jezusit. Tema kryesore e Fjalës së Zotit të kësaj së diele është ajo e thirrjes, sikur do të dëgjojmë në tri leximet biblike të liturgjisë hyjnore. Fjala e Zotit e kësaj së diele na ndihmon të kuptojmë se si në planin e Zotit, në planin e dashurisë së tij, gjen vend të rëndësishëm impenjimi i njeriut, bashkëpunimi i tij në përhapjen e mesazhit të shpëtimit hyjnor.
Hyji ka dashur që Fjala e Tij të përhapej në saje të bashkëpunimit të njeriut. Para kësaj përgjegjësie të madhe, reagimi i parë i çdo njeriu duket se është i përbashkët: perceptimi i paaftësisë, i papërshtatëmërisë personale për një mision kaq fisnik e të lartë. Kështu ishte për Izainë profet, i cili e konsideron veten “njeri me buzë të papastërta”, e Pali pohon, “unë jam më i vogli ndër apostuj; unë nuk jam i denjë as të quhem apostull”. Po kështu edhe Pjetri, në Ungjill, para fuqisë së fjalës së Mësuesit Hyjnor, nuk mundi të bëj asgjë tjetër përpos se të rishqyrtojë gjendjen personale prej mëkatari.
Vetëm hiri i Zotit që na dhurohet falas, mund të na përtërijë brendinë e zemrës e të shpirtit e të na bëjë të aftë të jemi atë çka nuk do të kishim menduar kurrë të bëhemi e të jemi. Thirrja është të mos kemi frikë, sepse me Zotin gjithçka është e mundur në jetë. Thirrja e Zotit nuk është vetëm për të ndjekur rrugën e jetës meshtarake e rregulltare, por që të gjithë të bëhemi e të jemi bijë të Zotit, të krishterë të vërtetë. Kisha është e tërë misionare po sot ka pak misionarë, Kisha është e tërë apostolike po mjerisht ka shumë pak apostuj. Këndej të gjithë, priftërinj, rregulltarë, rregulltare e besimtarë jemi të thirrur prej Zotit t’ia kumtojmë me fjalë e me jetë dashurinë e Tij hyjnore çdo personi, botës mbarë. Thirrja e Zotit është dhuratë: e këtë nuk duhet ta harrojë çdo person i thirrur. Nëse duam më shumë thirrje, secili le ta jetojë thirrjen personale. Nëse duam më shumë apostuj, secili ta jetojë pjesën e vet të apostullimit. Me pak fjalë: të bëhemi e të jemi më të krishterë e atëherë do të jetë më lehtë ta dëgjojmë zërin e Jezusit e ti përgjigjemi thirrjes së Tij.
Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Is 6, 1-2.3-8

Profeti na tregon takimin e madh të jetës së tij: Ai ka parë Hyjin, tre herë të shenjtë. Hyji rrinte ndenjur në një fron të lartë dhe të madhërishëm dhe profeti është trembur para Zotit të botës.
Ishte përgatitur një tryezë ku Hyji u dhurohej të gjithëve e më shumë mëkatarëve të ftuar nga Hyji vetë. Këtu qëndron shenjtëria tronditëse e Hyjit: Ai bëhet një realitet i thjeshtë dhe i përvuajtur ashtu si buka, për të shuar urinë e njerëzve të padenjë dhe të uritur.

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Në vitin e vdekjes së mbretit Ozi, e pashë Zotin duke ndenjur në një fron të lartë e të madhërishëm. Kindat e petkut të tij e mbushnin Tempullin. Serafinët qëndronin në këmbë përngjatë tij. I brohoritnin njëri-tjetrit: “Shenjt! Shenjt! Shenjt Zoti i Ushtrive! Plot është toka mbarë me lavdinë e tij!” E u dridhen pragjet e shtatkave të dyerve nga zëri shungullues dhe shtëpia u mbush me tym.
Unë thashë: “I mjeri unë, qetash sharrova, sepse jam njeri me buzë të papastra, banoj në popull buzësh të papastra, e me sy të mi e pashë Mbretin, Zotin e Ushtrive!”
Atëherë njëri nga serafinët vrapoi drejt meje: në dorë kishte një gacë që e mori me mashë nga elteri. Me të ma preku gojën e më tha: “Ja, me gacë i preka buzët e tua, mëkati yt u shlye, faji yt u fal!”
Atëherë e dëgjova zërin e Zotit që thoshte: “Kë të dërgoj? Kush do të na shkojë?” Unë përgjigja: “Qe, ku më ke, më dërgo mua!”
Fjala e Zotit.

Psalmi 138

T’i këndojmë Zotit, para engjëjve të tij
----------------
Me gjithë shpirt të falënderoj, o Zot,
sepse i dëgjove fjalët e gojës sime.
Të këndoj në praninë e engjëjve,
adhuroj në drejtim të Tempullit tënd të shenjtë.
----------------
E lavdëroj Emrin tënd
për dashurinë e besnikërinë tënde,
sepse e madhërove tesve premtimin tënd.
Sa herë të thirra në ndihmë, ti më vështrove,
shpirtit tim ia kërthndeze fuqitë.
----------------
Do të të lavdërojnë, o Zot, të gjithë mbretërit e tokës,
sepse i dëgjuan premtimet e gojës sate.
Do t’i këndojnë udhët e Zotit,
sepse e madhe është lavdia e Zotit.
----------------
Çka kam filluar, Zoti do ta kryejë për mua.
E amshueshme është, o Zot, mirësia jote:
mos e përbuz veprën e duarve të tua!
----------------

Leximi i dytë 1 Kor 15, 1-11

Pali na paraqet “Besojmën” e parë të krishterë.
Mesazhi që duhet të shpallet është themeli i besimit tonë: Krishti i vdekur, i varrosur, i ringjallur në të tretën ditë, i shfaqur të Dymbëdhjetëve është i pranishëm në bashkësinë që i lutet.
Të besosh do të thotë t’i referohesh besimit të bashkësisë primitive të ndërtuar nga dëshmitarët okularë.

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Tani, o vëllezër, po ju përkujtoj Ungjillin, që ju pata predikuar, që e pranuat e në të cilin qëndroni. Me anë të tij jeni në udhën e shëlbimit nëse do ta mbani ashtu si jua kam predikuar; përveç se në paçi besuar kot.
Dhe njëmend, më së pari ju shpalla ato të vërteta që edhe unë vetë i mora: se Krishti vdiq për mëkatet tona sikurse e paralajmëroi Shkrimi shenjt. Qe varrosur e të tretën ditë u ngjall së vdekuri, si u tha në Shkrimin shenjt. Iu duk Kefës e pastaj të dymbëdhjetëve. Pastaj u duk vëllezërve që ishin së bashku më shumë se pesëqind vetë, prej të cilëve shumica janë ende gjallë e disa kanë vdekur. Pastaj iu dëftua Jakobit e mandej të gjithë apostujve. Më së fundi m’u dëftua edhe mua, dështakut.
E në të vërtetë, unë jam më i vogli ndër apostuj; unë nuk jam i denjë as të quhem apostull, sepse e kam salvuar Kishën e Hyjit. Por, në saje të hirit të Hyjit, jam ky që jam, dhe hiri i tij në lidhje me mua nuk ka qenë i kotë. Madje u mundova të veproj më shumë se të gjithë ata, njëmend, jo unë vetëm, por edhe hiri i Hyjit me mua. Pra, si unë, ashtu edhe ata: kështu predikojmë e kështu edhe ju besuat.
Fjala e Zotit.

Ungjilli Lk 5, 1-11

Jezusi i kërkon Simon Pjetrit të hedhë rrjetën për peshk. Ai e bën duke ndjekur fjalën e Mësuesit. Mrekullia e peshkimit është një rast për të ftuar dishepujt të bëhen peshkatarë të njerëzve.
Krishti dhe dishepujt e tij janë angazhuar të shpëtojnë njerëzimin e mbizotëruar nga fuqia e së keqes. Të jesh peshkatar i njerëzve sot, do të thotë të angazhohesh në të gjitha situatat për të shpëtuar njeriun nga shkatërrimi i së keqes.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Ishte një ditë Jezusi në bregun e liqenit të Gjenezaretit e, ndërsa populli po shtyhej rreth tij për të dëgjuar fjalën e Hyjit, pa dy lundra buzë bregut të liqenit: peshkatarët kishin dalë e po i lanin rrjetat. Hyri në njërën prej atyre lundrave – në atë që ishte e Simonit – dhe iu lut ta largonte pakëz prej tokës. U ul e, prej lundrës, mësonte turmën.
Kur pushoi së foluri, i tha Simonit: “Grahi në ujë të thellë e qitni rrjetat tuaja për të zënë peshk.” Simoni i tha: “Mësues, gjithë natën u përpoqëm e nuk zumë asgjë; por, pasi po thua ti, do t’i qes rrjetat.” Si bënë kështu, zunë një sasi të madhe peshqish – gati po u shqyheshin rrjetat. Atëherë u dhanë shenjë shokëve në lundrën tjetër të vinin e t’u ndihmonin. Ata erdhën dhe i mbushën të dy lundrat aq sa gati u fundosën.
Kur pa Simon Pjetri, i ra ndër këmbë Jezusit dhe i tha: “Largohu prej meje, Zotëri, se jam njeri mëkatar!” Vërtet, për arsye të peshkut që zunë, mbeti shtang prej habisë ai dhe të gjithë tjerët që ishin me të; gjithashtu edhe Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, bashkëgjuetarë të Simonit. Jezusi i tha Simonit: “Mos ki frikë! Tash e tutje do të zësh njerëz.” Ata, si i sollën lundrat në breg, lanë gjithçka e shkuan pas tij.
Fjala e Zotit.
E këtu mund t’i dëgjoni leximet biblike dhe komentin mbi liturgjinë e Fjalës Hyjnore...........RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.