2013-02-09 15:22:23

Festë në Urdhërin e Maltës, për 900-vjetorin e Bulës papnore "Pie Postulatio Voluntatis"


Sot paradite, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone kremtoi Meshën solemne për 900-vjetorin e Bulës së Papës Paskuali II “Pie Postulatio Voluntatis”, me të cilën Ati i Shenjtë e vendoste nën mbrojtjen e Selisë së Shenjtë bashkësinë murgare të Spitalorëve të Shën Gjonit të Jeruzalemit, që njihet si Urdhëri i Maltës. Në mesditë, pjesëmarrësit i priti në audiencë Papa Benedikti XVI, i cili vuri në dukje rolin tejet të madh të Urdhërit të Maltës në ndihmë të popullsive në nevojë, sidomos në fushën e shëndetësisë. Më pas, u dha një pritje në Sallën Pali VI në Vatikan.
Kujtojmë se Urdhëri i Maltës, i themeluar për të ndihmuar shtegtarët që mbërrinin në Jeruzalem, është i pranishëm edhe në Shqipëri që nga viti 1995 e, veçanërisht në Shkodër, ku në Lagjen Perlat Rexhepi ndodhet selia e vullnetarëve. Ndër projektet e spitalorëve, që njihen me emrin “Malteser ndihmon në Shqipëri”, janë një kopsht fëmijësh, kurse për t’u mësuar nxënësve të shkollave të mesme si të japin ndihmën e parë, kampe verore, ndihma për personat me aftësi të kufizuara gjatë shtegtimeve fetare, shërbime të ndihmës së parë në plazh dhe kudo ku ka nevojë, duke krijuar kështu një bërthamë të parë të Mbrojtjes Civile në Shqipëri e shumë projekte të tjera.







All the contents on this site are copyrighted ©.