2013-02-09 15:24:13

Ekspozita “Udha e Pjetrit”. Kryeveprat e artit, për ta bërë fenë sa më të prekshme


Kësaj jave, u përurua në Kështjellën e Shën Engjëllit në Romë, në praninë e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Tarçizio Bertone, ekspozita “Udha e Pjetrit”. Është një ndër nismat e Vitit të Fesë. Deri më 1 maj, në Kështjellën e Shën Engjëllit do të mund të shihen kryevepra, që vijnë nga muzetë më të rëndësishme të Evropës.
“Duke vizituar ekspozitën – tha kardinali Bertone, në ceremoninë e përurimit – bukuria e veprave të artit dhe tregimi i jetës së Shën Pjetrit Apostull, na kujtojnë ç’mund të bëjë njeriu për Zotin e Zoti për njeriun e, na ngjallin dëshirën të jemi edhe ne, pavarësisht nga kufizimet tona, njerëz të Hyjit”. “Feja e krishterë – vazhdoi kardinali – nuk është zotërimi i ftohtë e arrogant i së vërtetës, është pushtimi i shpirtit nga zbulimi se Zoti është dashuri, në të cilin mund të mbështetemi”. Pikërisht kjo fe ka bërë të lindin kryevepra në shekuj, si në fushën e artit, ashtu edhe në fusha të tjera, nga bamirësia tek mendimi, nga puna kërkimore tek impenjimi për të mirën e përbashkët.
Çdo shoqëri e di se krishterimi është për të një aleat i besueshëm e këmbëngulës. Asnjë shoqëri, theksoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, nuk mund të mbahet pa një aleancë të fuqishme ndërmjet anëtarëve të saj, bazuar në besimin e ndërsjelltë, në lidhjet, në impenjimin për drejtësi e në përgjegjësinë, që ndjen secili kur ndjek të njëjtat vlera me anëtarët e tjerë të së njëjtës bashkësi.

Por ç’lidhje ka me fenë, paraqitja e kryeveprave në ekspozitën “Udha e Pjetrit”?

Të dëgjojmë don Alesio Xheretin, i cili është kujdesur për zgjedhjen e tyre e për organizimin e ekspozitës:
Menduam se në Vitin e Fesë, gjëja më e bukur do të ishte të tregonim ç’është feja e jo ta përkufizonim atë në mënyrë abstrakte. Për këtë arsye vendosëm të paraqesim aventurën njerëzore e shpirtërore të Shën Pjetrit Apostull. Kriteri i parë pra, është narrativ(tregimtar): ekspozita nuk është ndërtuar mbi bazën e konfrontimit ndërmjet shkollave artistike, por mbi bazën e çasteve të jetës së Shën Pjetrit, duke treguar kështu aspektet e ndryshme të shfaqjes së fesë në përvojën e tij jetësore. Kriteri i dytë ka të bëjë me shpjegimin e gjuhëve të ndryshme të përdorura në vepra, në mënyrë që vizitori të hyjë në ngjarjet e jetës së Shën Pjetrit e në atmosferën, në të cilën zhvillohen. Fjala e shkruar, shfaqjet teatrale përgjatë ekspozitës, projektimi kinematografik në një çast të caktuar, muzika, ndriçimi, që nuk na fton vetëm të shohim veprat, por të ndjekim një paraqitje të vërtetë dramaturgjike; janë të gjitha kritere të kësaj udhe, që e përfshijnë vizitorin në një tregim të madh, duke e ftuar pastaj të dalë jashtë e të shohë nga llozha e Kështjellës së Shën Engjëllit, kupolën e Bazilikës së Shën Pjetrit, duke menduar se aty përfundoi e, në një farë mënyre, filloi udha e Pjetrit.

Sipas jush, cilat janë veprat më emblematike, para të cilave ia vlen të ndalesh?

Nuk është e lehtë të zgjedhësh, sepse veprat janë fryt i një përzgjedhjeje shumë të kujdesshme. Mendoj se ndër veprat e pranishme, monedha e tagrit të Tempullit gjetur nga Shën Pjetri brenda peshkut, pikturuar nga Matia Preti, është veçanërisht e fuqishme. Pastaj, “Lutja në kopsht” e Marçelo Venustit, afër artistikisht me Mikelanxhelon, mund të jetë vepra, para së cilës të ndalemi më shumë, jo vetëm për arsye stilistike e historike, por edhe sepse është një nga rastet e rralla të paraqitjes së çastit kur Jezusi zgjon Pjetrin në Kopshtin e Ullinjve. Pastaj, “Mohimi i Pjetrit” i Zhorzh de La Tur, një nga veprat më të rëndësishme të ekspozitës, një nga nokturnet më të bukura të historisë së artit, pranë “Lotëve të Pjetrit”, vepër e Guerçinos, e paekspozuar ndonjëherë, prekëse, mallëngjyese. E pastaj, agimi më i bukur i historisë së artit, ai i Eugjen Burnond, që paraqet nxitimin e shën Pjetrit e të shën Gjonit për të shkuar në varrin bosh të Jezusit, në mëngjesin pas Ringjalljes.







All the contents on this site are copyrighted ©.