2013-02-09 15:21:38

Atë Lombardi: Të rinjtë në multi-versin kulturor


Nga data 6 deri më 9 shkurt, u zhvillua në Romë Asambleja e përgjithshme e Këshillit Papnor të Kulturës, e cila, këtë vit, iu kushtua krejtësisht të rinjve dhe kulturave të tyre në një botë të globalizuar. Pjesëmarrësit u pritën në audiencë nga Papa Benedikti XVI, i cili vuri në dukje anët pozitive dhe negative të botës rinore bashkohore, duke sqaruar se tashmë nuk mund të flitet vetëm për një univers rinor, por për shumë të tillë, për një shumëllojshmëri këndvështrimesh e perspektivash, ndër të cilat të rinjtë lundrojnë, duke përdorur teknologjinë. Janë njerëzit më të informatizuar të kohës, por ndoshta edhe më të mënjanuarit nga shoqëria. Karakterizohen nga sjellje kontradiktore, të cilat Kisha duhet t’i kuptojë e t’i ndjekë, për të luajtur rolin e saj udhërrëfyes, në dritën e Ungjillit të Krishtit. Kësaj teme ia kushton komentin e sotëm javor, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi. Ta dëgjojmë:
“Si t’i kuptojmë të rinjtë dhe mënyrën e tyre për të ndjerë, për të menduar e për t’u shprehur? Është e vështirë, sepse horizonti i sotëm kulturor copëzohet gjithnjë e më shumë e zhvillohet me shpejtësi marramendëse, duke sjellë me vete ndryshime në mendësi, në zakone e në sjellje. Kaq është e vërtetë, sa Papa, në vend që të flasë për një “uni-vers” kulturor homogjen, përmendi një “multi-vers”, pra një bashkësi universesh, karkaterizuar nga pluraliteti i këndvështrimeve dhe i perspektivave.
Por nëse është e vështirë, pikërisht për këtë arsye, është edhe urgjente të reflektojmë për kulturat rinore, siç përpiqet të bëjë Këshilli Papnor i Kulturës. Duhen kuptuar pyetjet, kërkesat e thella, të cilave u duhen dhënë përgjigje të përshtatshme e të qarta, me një gjuhë, që arrin në mendjet e zemrat e të rinjve, ashtu siç janë. Pyetje ka mjaft, edhe në rrymën e vazhdueshme të botës dixhitale e të muzikës pop apo rok, por shpesh nuk marrin përgjigje nga ne.
Prandaj, nuk mjafton vetëm reflektimi: me të rinjtë duhet të rrimë, të jemi solidarë me ta e të marrim pjesë në jetën e tyre, t’i duam e të kemi besim në ta, siç e tha mirë Papa. Pa besim të ndërsjelltë, nuk mund ta gjejmë gjuhën e përbashkët me ta, nuk mund ta ndajmë e t’ua transmetojmë atë fe, që nesër, ose do të jetë e tyrja, ose nuk do të jetë fare. Kisha ka nxjerrë gjithnjë edukatorë të mrekullueshëm, miq të vërtetë të të rinjve e, shumë të rinj duan t’i përdorin energjitë e tyre të jashtëzakonshme për arritjen e idealeve të mëdha. Nuk mund t’i zhgënjejmë. Të ecim e ta kërkojmë bashkë me ta kuptimin e jetës sonë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.