2013-02-08 16:35:35

Ngushëllimet e Papës për vdekjen e kardinalit Xhovani Keli: ishte 94 vjeç.


Ndërroi jetë në Romë, kardinali Xhovani Keli, kryetar nderi i Këshillit Papnor të baritorisë për emigrantët edhe endacakët: ishte 94 vjeç. Mesha e dritës, kryesuar nga kardinali Anxhelo Sodano, dekan i Kolegjit kardinalor, do të kremtohet nesër, në orën 17.30, në bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan.
Në një telegram, drejtuar imzot Françesko Ravinale, ipeshkëv i Astit, Papa shpreh ngushëllimet për humbjen e kardinalit Keli, të cilin e quan “ bari i zellshëm, besnik ndaj Ungjillit e Kishës”. Benedikti XVI kujton me mirënjohje kontributin e çmuar që i dha Selisë Apostolike dhe bashkëpunimin për disa dhjetëvjeçarë në fushën delikate të emigracionit. Kardinali Keli, shkruhet në telegramin papnor, lë pas dëshminë e një jete, shkrirë në Kishë, për Kishën e besimtarët e posaçërisht, për formimin e krishterë të rinisë.
Lindur në Torino, më 1918; shuguruar meshtar në Asti, më 1942; në shërbim diplomatik e më pas kurial të Selisë së Shenjtë; bashkëpunëtor i ngushtë i kardinalit Kazaroli, në përpjekjet për të çarë perden e hekurt e për të depërtuar në Kishën e heshtimit, më 1986 emërohet kryetar i parë i Komisionit për baritorinë e emigrantëve dhe endacakëve, më pas, Këshill Papnor e më 21 tetor 1988 krijohet kardinal nga Papa Gjon Pali II.
Me vdekjen e tij Kolegji kardinalor numëron 209 kardinaj, 118 me të drejtë zgjedhore, 91, mbi moshën 80 vjeç.








All the contents on this site are copyrighted ©.