Kardinali Filoni në Indi për jubileun e Shenjtërores mariane të Vailankani-t
Kardinali Fernando Filoni, prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, nesër
do të jetë në Indi, si i dërguar i posaçëm i Benediktit XVI me rastin e 50-vjetorit
të ngritjes së Shenjtërores kushtuar “Zojës së Shëndetit”, në Vailankani, në rangun
e bazilikës minore, si dhe me rastin e 25-vjetorit të Konferencës së ipeshkvijve katolikë
të Indisë. Është vizita e tij e parë në këtë vend, si prefekt i dikasterit misionar. Të
dielën, më 10 shkurt, paradite do të takohet me prelatët e Konferencës ipeshkvnore
indiane, pasdite, kremtimi jubilar në Shenjtëroren mariane, paraprirë nga bekimi i
një shtatoreje, kushtuar të Lumit Gjoni XXIII, i cili më 3 nëntor 1962 i njohu shenjtërores
titullin e bazilikës së vogël. Shenjtërorja e Vailankani-t ndodhet 2.400 kilometra
në jug-lindje të Nju Delhit, në shtetin indian Tamil Nadu. Vizitohet çdo vit nga 20
milionë shtegtarë të krishterë e edhe besimtarë të feve të tjera, të pranishme në
Indi. Fama e kësaj shenjtëroreje është aq e përhapur në mbarë Azinë, sa të quhet
“Lurda e Lindjes”. Zoja e Shëndetit është e veshur me sarin tipik indian. Mbi kokën
e saj bie menjëherë në sy, Kurora e artë. Edhe historia e shenjtërores flet për
këtë Zojë, si për një pikë takimi ndërmjet krishterimit e kulturës indiane, gjë që
gjeti shprehjen e vet në dy dukje të Nënës së Shëndetit, duke nisur nga shekulli XVI.
Të hënën, më 11 shkurt, kardinali Filoni do të jetë në Çenai, ku do të
vizitojë tempullin kushtuar Shën Tomës Apostull. Do të kremtojë Meshën Shenjte në
katedrale dhe do të përurojë seminarin për laikët. Të martën, më 12 shkurt,
në Ranki, kardinali do të bekojë besimtarët e mbledhur në katedrale e, më pas, do
të takohet me seminaristët e Kolegjit të Shën Albertit, ku do të hapë kremtimet kushtuar
njëqind vjetorit të themelimit të seminarit. Ditën pas do të kryesojë Meshën e
së Mërkurës së Përhime e edhe do t’i përhijë besimtarët, për të bekuar edhe gurin
e parë të një spitali të ri. Në mbrëmje do të jetë në Delhi ku, më 14 shkurt,
do të vizitojë Memorialin e Gandit. Pasdite, në Faridabad, do të takohet me bashkësinë
malabareze e do të bekojë gurin e parë të famullisë së re. Të premten, më 15
shkurt, Prefekti i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, do të shkojë për vizitë
në qendrën e Konferencës ipeshkvnore indiane dhe do të kryesojë Meshën Shenjte në
katedralen e Delhit . Më 16 shkurt, rikthimi në Romë.