Benedikti XVI për 50-vjetorin e Traktatit franko-gjerman: të mos minohen sfidat e
reja me interesa dritëshkurtra
“Ligji moral e natyror, vlerat dhe të drejtat njerëzore, të mbruajtura nga Ungjilli,
përbëjnë themelet e një politike, që vihet vërtet në shërbim të drejtësisë e të paqes,
si dhe të progresit të mbarë familjes njerëzore” - këtë pohon Benedikti XVI në një
mesazh, dërguar në emër të tij nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio
Bertone, me rastin e Konferencës, mbajtur dje në Universitetin Papnor Gregorian. Titullohej:
“Pesëdhjetë vjet miqësi franko-gjermane, në shërbim të Evropës: është Bashkimi Evropian
model për të tjerët?”. Në mesazh nënvizohet se arsyet, që çuan në këtë marrëveshje,
duhen rigjallëruar e risuar vazhdimisht, në mënyrë që ç’u arrit së bashku, të mos
minohet nga sfida të reja e nga interesa dritëshkurtra të veçanta e, posaçërisht,
të mos të arrijë puna deri në atë pikë, sa edhe të braktiset fare. Në tekstin,
lexuar nga kryeipeshkvi Dominik Mambertí, sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij
për marrëdhëniet me Shtetet, kujtohet impenjimi personal i etërve të Traktatit, Sharl
de Gol e Konrad Adenauer. Ende pa u nënshkruar marrëveshja, nënvizohet më pas në mesazh,
dy protagonistët e mëdhenj të Evropës së pasluftës, me pjesëmarrjen e tyre në Meshën
e Pajtimit, në katedralen e Reimsit, vunë në dukje, me forcë, se politika bazohet
mbi disa parime, të cilat nuk mund të përcaktohen plotësisht prej saj. Kujtohet edhe
se duhet ushqyer pa pushim flaka e shpresës, sepse paqja është detyrë e pandërprerë,
që vijon pambarimisht në kohë. Në takimin, organizuar nga Ambasada e Francës dhe
e Republikës Gjermane pranë Selisë së Shenjtë me rastin e përvjetorit të Traktatit
të Elizeut (1962), morën pjesë, përveç ambasadorëve Jubert e Shvepe, edhe personalitete
shtetërore nga të dy vendet. Takimin e drejtoi rektori i madh i Universitetit Papnor,
jezuiti Fransua- Zhaviè Dumortje.