2013-02-07 13:00:53

Çelësi i fjalëve të Kishës: Besojma e Palit VI, pjesa V


Të dashur dëgjues, në rubrikën “Çelësi i fjalëve të Kishës”, e cila ka arritur në emisionin e saj të 176-të, vazhdojmë të transmetojmë “Besojmën” e Papës Pali VI. Nuk është ndonjë “Besojmë” e ndryshme nga ajo, që themi në meshë, e njohur si Besojma e Nikesë, por Papa e ka pasuruar me komentin e vet. Kujtojmë se Ati i Shenjtë e pati shqiptuar nga Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan, më 30 qershor 1968, në përfundim të Vitit të Fesë, shpallur për të kremtuar 1900-vjetorin e martirizimit të shën Pjetrit e të shën Palit. Në pjesën e sotme, Pali VI shpjegon ç’do të thotë të besosh në Kishën e Krishtit:
“NE BESOJMË se Kisha, e themeluar nga Jezu Krishti e për të cilën u lut Ai vetë, është pa dyshim një e vetme, në fe, në kult e në lidhjen e bashkimit hierarkik. Në gjirin e kësaj Kishe, si pasuria e riteve të ndryshme liturgjike, ashtu edhe ndryshueshmëria e ligjshme e trashëgimive teologjike e shpirtërore dhe disiplinat e veçanta, jo vetëm që nuk e dëmtojnë unitetin e saj, por e vënë në dukje edhe më shumë (shih Lumen gentium, 23; Orientalium Ecclesiarum, 2, 3, 5, 6).
Duke pranuar pastaj, jashtë organizmit të Kishës së Krishtit, ekzistencën e elementeve të shumta të së vërtetës e të shenjtërimit, që i përkasin edhe asaj e synojnë bashkimin katolik (shih Lumen gentium, 8), e duke besuar në veprimin e Shpirtit Shenjt, që zgjon në zemrën e dishepujve të Krishtit dashuri për atë bashkim (shih Lumen gentium, 15), Ne kemi shpresë se të krishterët, të cilët nuk janë akoma të bashkuar plotësisht në një Kishë të vetme, do të bashkohen një ditë në një grigjë të vetme me një Bari të vetëm.
NE BESOJMË se Kisha është e nevojshme për shëlbimin, sepse Krishti, që është i vetmi Ndërmjetësues dhe e vetmja udhë shpëtimi, bëhet i pranishëm për ne në Korpin e Tij, që është Kisha (shih Lumen gentium, 14). Por plani hyjnor i shëlbimit përfshin të gjithë njerëzit: e ata që, pa pasur faj, nuk e njohin Ungjillin e Krishtit dhe Kishën e Tij, por kërkojnë sinqerisht Zotin dhe, nën ndikimin e Hirit të Tij, përpiqen të kryejnë vullnetin e Hyjit, ashtu siç ua dikton ndërgjegjja; edhe ata, me një numër që e di vetëm Zoti, mund të shëlbohen (shih Lumen gentium, 16).
NE BESOJMË se Mesha, e kremtuar nga meshtari - që përfaqëson vetë Krishtin në sajë të pushtetit të marrë me Sakramentin e Urdhërit Shenjt - meshë e ofruar prej tij në emër të Krishtit e të anëtarëve të Korpit të Tij mistik, është Flijimi i Kalvarit, hyjnisht i pranishëm në elter. NE BESOJMË se, ashtu si buka e vera e shuguruar nga Zoti në Darkën e Mbrame u shndërruan në Korpin e Gjakun e Tij, që vetëm pak orë më pas do të ofroheshin për ne në Kryq, në të njëjtën mënyrë, buka e vera e shuguruar nga meshtari shndërrohen në Korpin e në Gjakun e Krishtit, që mbretëron në lavdi në Qiell; e besojmë se prania e mistershme e Hyjit, në atë, që vazhdon të duket njësoj si më parë për shqisat tona, është prani e vërtetë, reale dhe substanciale (shih Dz.-Sch. 1651)”.








All the contents on this site are copyrighted ©.