Vatikan: Vijon vizita ‘ad Limina’ e ipeshkvijve italianë. Sot me Papën u takuan
ipeshkvijtë e Lacios, pas vizitës së prelatëve të Romës, më 10 janar. Ipeshkvijtë
e Lacios i shoqëronte edhe Ipeshkvi ushtarak i Italisë, imzot Vinçenco Pelvi.
Romë: Dita e dytë e Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit Papnor të Kulturës,
me temë “Kulturat rinore bashkëkohore”, që u hap me një seancë në Universitetin LUMSA,
pasuruar me një koncert muzike rok. Vazhdon, me dyer të mbyllura, deri më 9 shkurt.
Ngjarja, me frymë ndërkombëtare, u paraqit të enjten në Vatikan, nga kryetari i dikasterit
për kulturën, kardinali Xhanfranko Ravazi. Temat kryesore të Asamblesë janë: Kisha
ka nevojë t’i dëgjojë të rinjtë, të mësojë gjuhën e tyre për t’u transmetuar vlerat
e vërteta e për t’u hapur udhën e takimit me Krishtin. Duhet edhe të punojë për të
zbuluar shkaqet e ndërprerjes së dialogut të botës të të rriturve me të rinjtë. Atyre
u duhet krijuar më tepër hapësirë në Kishë, sepse ka shumë rëndësi që Kisha të
hyjë në kulturën dixhitale bashkëkohore. Dita e sotme, shumë e pasur me veprimtari,
filloi me Meshën Shenjte në Kishën e Shën Marisë në Traspontinë e përfundoi me lutjen
e mbrëmjes. Ndërmjet dy veprimtarive, shumë diskutime, kryesisht lidhur me të lindurit
në botën dixhitale, dhe vizita në Pallatin Apostolik. I pranishëm edhe jezuiti, Atë
Antonio Spadaro, drejtor i revistës së etërve jezuitë, “Qytetërimi katolik”.
Gjermani:
Pranë universitetit katolik të Eishtat-Ingolshtdt sot u mbajt takimi shkencor ndërkombëtar
me temë: “Të ndihmohet njeriu, që vuan”, organizuar nga Këshilli Papnor për punonjësit
e shëndetësisë, në perspektivë të Ditës botërore të të sëmurit, që do të kremtohet
më 11 shkurt, në festën liturgjike të Zojës Lurdë. Punimet i kryesoi kryetari i dikasterit
vatikanas, imzot Zimovski, së bashku me ipeshkvin vendas, imzot Hanke, ndërsa punimet
i hapi profesor Shenk, drejtor i shkollës së lartë katolike. Takimi përfundoi me një
mesazh për të sëmurët, të moshuarit, nevojtarët dhe punonjësit e shëndetësisë. Kardinali
Marks, kryeipeshkëv i Munih-Frisingës dhe kancelar i madh i universitetit, mbajti
fjalimin e mbylljes së veprimtarisë. Të pranishmit vizituan edhe spitalin e Eishtatit
si dhe Shtëpinë e Shën Elizabetës, drejtuar nga Karitasi vendas.
Kubë: Këshilli
Provincial i Administratës të provincës së Santiagos, në Kubë, vendosi t’ia kthejë
kryedioqezës dy kisha e një shtëpi famullitare, që i përkisnin. Dha edhe autorizimin
për ndërtimin e një Kishe të re, në përkujtim të vizitës së Benediktit XVI, marsin
e kaluar. Pronat në fjalë qenë konfiskuar në fillim të viteve ’60. “Falënderojmë
Zotin dhe të gjithë ata, që na ndihmuan për këtë arritje, në dobi të mbarë bashkësisë”-
lexohet në një notë, përmes së cilës njoftohet se do të rindërtohen edhe ngrehina
të tjera fetare, si Kisha e Shën Jozefit, e shndërruar nga revolucioni në Akademi
Shkencash dhe Kisha e Zojës së dashurisë së krishterë, kthyer në shkollë fillore.
Pakistan:
U arrestua sot nga policia e Kasurit, në provincën e Penxhabit, Shabir Ali, një nga
dy myslimanët e akuzuar për dhunimin dhe rrahjen e 15 vjeçares katolike Fouzia Bibi.
Tjetri vijon të ndiqet. Për bashkësinë katolike ky është një hap para në zbatimin
e drejtësisë. Flitet se së shpejti do të pasohet nga hapi i dytë, procesi gjyqësor
dhe dënimi i fajtorit. Shpresohet se tani e tutje rastet e dhunimeve, rrëmbimeve,
kthimeve me forcë në fenë islame, shpërdorimit të ligjit mbi blasfeminë, që trondisin
pambarimisht jetën e bashkësive jo myslimane në Pakistan, do të marrin fund një herë
e mirë e të krishterët nuk do të shikohen më me përbuzje, si nënshtetas të klasit
të tretë.
Romë: Pranë Universitetit Papnor Gregorian u mbajt sot takimi
me temë: “Pesëdhjetë vjet miqësi franko-gjermane, në shërbim të Evropës”. Në takim,
organizuar nga Ambasada e Francës dhe e Republikës Gjermane pranë Selisë së Shenjtë
me rastin e përvjetorit të Traktatit të Elizeut (1962), morën pjesë, përveç ambasadorëve
Jubert e Shvepe, edhe personalitete shtetërore nga të dy vendet. Takimin e drejtoi
rektori i madh i Universitetit Papnor, jezuiti Fransua- Zhaviè Dumortje.
Meksikë:
Vdiq në spital meshtari meksikan, atë José Flores Preciado, pas rrahjes për vdekje
nga disa të panjohur, në Kishën e Krishtit Mbret, ku rrëfente e kremtonte Meshën Shenjte
ditë për ditë. Sot, Mesha e dritës. Atë José, 84 vjeç, ishte njeri shumë i qetë,
profesor i latinishtes në seminare të ndryshme e rrëfyes i njohur. Me sa duket është
viktimë e njerëzve, që kishin hyrë në kishë për të vjedhur. Por rasti i tij flet vetë
për pasigurinë e vazhdueshme, në cilën jetojnë meshtarët në Meksikë, ku gjatë viteve
2012 u vranë edhe dy klerikë të tjerë.
Romë: Pranë qendrës Rusia
ekumenike, sot u paraqit libri kushtuar imzot Elias Shakur, shkruar nga Patricia Grigs,
titulluar “Historia e Elias Shakur. Një njeri tjetër i Galilesë”. Prelati, që njihet
si veprimtar i madh i paqes ndërmjet Izraelit e Palestinës, i pranishëm në takim,
foli thellësisht i emocionuar për librin e, sidomos, për jetën e tij në shërbim të
paqes në Lindjen e Mesme.
SHBA: “Çdo ditë në kongregatat e në bashkësitë
tona shikojmë pasojat e sistemit, që ndikon mbi ndarjen e familjeve, mbi shfrytëzimin,
shpërdorimin e deri vdekjen e emigrantëve. Këto vuajtje duhet të marrin fund, pohojnë
liderët e konfesioneve kryesore të krishtera të SHBA-së, në një deklaratë, botuar
në përfundim të takimit vjetor të Christian Churches Together (Cct). Përmes një note,
dërguar agjencisë Fides nga Konferenca ipeshkvnore e SHBA-së, njoftohet se imzot Joe
S. Vasquez, ipeshkëv i Austin (Teksas) organizoi një takim katër ditor, gjatë të cilit
u dëgjuan shumë emigrantë specialistë në problemet e emigracionit. Deklarata e barinjve
të krishterë arrin në çastin kulmor të debatit politik lidhur me reformimin e ligjit
mbi emigracionin. Prelatët deklarojnë se marrin pjesë gjallërisht në këtë debat, si
ndjekës të Jezus Krishtit, që i urdhëron ta mikpresin të huajin”.
Romë:
Sot Bashkësia e Shën Egjidit u mblodh në bazilikën e Lateranit për të kremtuar 45-vjetorin
e takimit të parë në Kishën e Re, me një liturgji, kryesuar nga imzot Vinçenco Palia,
kryetar i Këshillit Papnor për Familjen. Të pranishëm, të varfër, priftërinj të Romës
e të botës, ipeshkvij e kardinaj, lider ekumenikë, ambasadorë dhe përfaqësues institucionesh
nga Italia e vende të tjera të të pesë kontinenteve. Bashkësia e Shën Egjidit,
lindur në Romë në shkurt të vitit 1968, numëron sot mbi 60 mijë anëtarë, të gjithë
vullnetarë, që punojnë në 73 vende të botës.
Muzetë e Vatikanit: U mbajt
sot, në Muzetë e Vatikanit, konferenca shkencore me temë: “Një familje e madhe aristokratike
romake, ndërmjet Azisë së Vogël, Sicilisë e Romës; (Shek V pas Krishtit), dëshmia
e një epigrafi, ruajtur në Muzetë e Vatikanit”. Mbledhjen, në të cilën ishin të pranishëm
personalitete të arkeologjisë, kulturës e artit, e kryesoi drejtori i Muzeve Vatikanase,
Antonio Pauluçi. Referatin kryesor e mbajti profesori i historisë romake pranë Universitetit
të Sorbonës, në Paris, Fransua Shauson, i cili arriti ta rindërtojë tekstin e epigrafit
vatikanas, duke saktësuar onomastikën e plotë të gruas e, sidomos, duke rindërtuar
lidhjet farefisnore të saj me botën elitare greko-romake. Kemi të bëjmë, prandaj,
me një fitore shkencore lidhur me një dokument deri tani pak të njohur, por të denjë
për vëmendje edhe për publikun në përgjithësi, sidmos për njohësit dhe admiruesit
e lashtësisë.
Romë: U mblodh sot në Ergif Palace Hotel, Këshilli i përgjithëm
i Lëvizjes së krishterë të punëtorëve, me pjesëmarjen e jashtëzakonshme të kryetarit
të Konferencës ipeshkvnore italiane, kardinalit Anxhelo Banjasko.