Papa në audiencën e përgjithshme: njeriu bëhet i madh vetëm në se e pranon vogëlsinë
para Zotit, që e krijoi.
“Zoti si autor i jetës njerëzore dhe i krijesës si dhe lidhja e posaçme që njeriu,
në vogëlsinë e tij, ka me Jetëdhënësin e të gjitha sendeve”: Ky ishte filli i artë
i katekizmit të sotëm të Benediktit XVI, mbajtur gjatë audiencës së përgjithshme,
në Sallën e Palit VI, në Vatikan. Vijoi të flasë për ‘Besojmën’, Papa, që reflektoi
sot për Hyjin “Krijues i qiellit e i tokës”, duke u nisur nga verseti i parë i Shkrimit
Shenjt, ku shkruhet: “Në fillim Hyji krijoi qiellin e tokën”(Zan 1,1). Është
Hyji, tha Papa, në zanafillë të të gjitha sendeve e, në bukurinë e krijimit, shpalos
gjithëpushtetin e tij prej Ati, që do”.Mëkati i rrjedhshëm, vijoi Ati i Shenjtë,
s’është tjetër veçse tundimi i njeriut për ta parë Zotin si armik të lirisë së tij. Një
pluhurizë, një kurrgjësend, një grusht dhe! Ky është njeriu, përballë madhështisë
së gjithësisë. Por, të mos harrojmë, një grusht dhe, me “frymën e jetës” së Zotit,
e, prej këndej, krijesë e pashoqe dhe krejt e veçantë, ndryshe nga të gjitha krijesat
e tjera, që e rrethojnë, ndonëse shpesh tundohet të çojë krye kundër Krijuesit të
vet. Benedikti XVI u ndalua tek fjalët e Besojmës, që e quajnë Zotin krijues i qiellit
e i tokës e, përmes këtyre fjalëve, nisi të shfletojë Librin e Zanafillës, duke e
lidhur me parimet e shkencës e të teknikës mbi zanafillën e universit e të njeriut.
Pasi ripohoi se Bibla nuk është doracak shkencash natyrore, Papa theksoi: “E
vërteta themelore, që na zbulojnë rrëfimet e Librit të Zanafillës, është se bota nuk
duhet parë si tërësi forcash kundërshtare, por e ka zanafillën dhe qëndrueshmërinë
e vet tek Logos, Arsyeja e amshuar e Hyjit, që vijon ta mbajë universin. Besimi se
Hyji është në bazë të të gjitha sendeve, ndriçon çdo aspekt të jetës dhe të jep guxim
ta përballosh me besim e shpresë aventurën e jetës”. Pra, Libri i Zanafillës,
shpjegoi Benedikti XVI, na ndihmon të njohim planin e Hyjit mbi njeriun e, posaçërisht,
identitetin e tij të jashtëzakonshëm: “Qenia njerëzore u bë sipas shëmbëllimit
e shëmbëlltyrës së Zotit. Të gjithë kemi në vete frymën jetike të Hyjit e çdo jetë
njerëzore, na kujton Bibla, është nën mbrojtjen e posaçme të Krijuesit. E kjo, edhe
arsyeja kryesore, që e bën të paprekshëm dinjitetin e njeriut, duke iu kundërvënë
çdo tundimi për ta vlerësuar sipas kritereve të dobisë e të pushtetit”. Fakti
që njeriu u krijua sipas shembëlltyrës së Hyjit, ndikon edhe mbi mjedisin, në të cilin
Hyji e vuri njeriun, duke e lënë këtë mjedis nën kujdesin e tij: “Njeriu duhet
ta shikojë botën jo si pronë, që mund të plaçkitet e të shfrytëzohet sipas qejfit,
por si dhuratë e Krijuesit, shenjë e vullnetit të tij shëlbues, dhanti që duhet kultivuar,
duhet ruajtur, duhet kujdesur e mbarështuar me respekt e harmoni, duke i ndjekur ritmet
dhe logjikën e saj, sipas planit të vetë Hyjit”. Gjithsesi, është edhe një
plagë, qysh në agun e ekzistencës së tij, që e pengon njeriun të lidhet me Hyjin,
me një lidhje bijnore ndërmjet Krijuesit e krijesës. Është plaga e mëkatit të rrjedhshëm.
Premisa e mëkatit, pohoi Papa, duhet parë në faktin se njeriu është ‘marrëdhënie’,
por kjo marrëdhënie u këput kur, me Adamin, njeriu zgjodhi rrugën e vet, kundër Hyjit.
Krishti e shëroi këtë plagë, duke e çuar përsëri njerëzimin drejt bashkimit të plotë
me Hyjin Atë. Është vetëdije, që duhet ta ushqejmë vazhdimisht, theksoi Papa: “Tundimi
na shtyn të mendojmë se mund ta ndërtojmë ne vetë botën, në të cilën jetojmë, pa pranuar
kufizimet tona si krijesë, kufizimet e së mirës, të së keqes e të moralitetit. Duke
shkuar kundër Krijuesit të vet, në të vërtertë njeriu shkon kundër vetvetes, mohon
zanafillën e vet e, prej këndej, edhe të vërtetën e vet; e e keqja hyn në botë, me
zinxhirin e saj të rëndë të dhimbjes e të vdekjes. Të dashur vëllezër e motra, të
jetojmë me fe, do të thotë të njohim madhështinë e Hyjit e të pranojmë vogëlsinë tonë,
kushtëzimin tonë si krijesa, duke e lënë Hyjin të na mbushë plot me dashurinë e tij
e kështu, të na ndihmojë të gjejmë edhe madhështinë tonë të vërtetë”. Benedikti
XVI e përsëriti këtë koncept edhe në një Tweet, që tashmë është bërë i zakoshëm pas
audiencave. Në të shkruhet: “Çdo gjë është dhuratë e Zotit: vetëm duke pranuar vartësinë
jetike nga Krijuesi, gjejmë liri e paqe”. Pas katekzimit në gjuhë të ndryshme,
Ati i Shenjtë përshëndeti, në gjuhën ruse, delegacionin e Kazakistanit, për vizitë
në Romë e më pas, në italisht, ndërmjet tjerësh, pjesëmarrësit në takimin “Të krishterë
e barinj, për Kishën e së nesërmes” , organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit; Fretërit
e vegjël konventualë, që vijojnë Kapitullin e tyre të përgjithshëm e akoma, pjesëmarrësit
në Kursin e formimit njerëzor për priftërinjtë e rregulltarët, shoqëruar nga kardinali
Sgreçia. Në audiencë ishin të pranishëm edhe drejtuesit e Bankofarmaceutikës, që
i ndihmon me ilaçe nevojtarët. Në veçanti kujtojmë se Benediktit XVI iu dhuruan njëmijë
kuti me ilaçe, të caktuara për Qendrën vatikanase “Dhurata e Marisë”, drejtuar nga
Misionaret e Bamirësisë të së Lumes Nënë Terezë.