Shqipëria kujtohet për shtatoren e dom Nikoll Kaçorrit
Më në fund, e më mirë vonë se kurrë, Shqipëria zyrtare kujtohet edhe për figurën
e jashtëzakonshme të zv.kryeministërit të Qeverisë së Ismail Qemal Vlorës në vitin
1912, dom Nikoll Kaçorrit. Sipas njoftimeve nga Shqipëria, Ministria e Turizmit,
Kulturës, Rinisë e Sporteve dhe Galeria Kombëtare e Arteve Tiranë shpallin konkursin
për realizimin e shtatores së një tjetër figure historike. Ende në valën e festimeve
të 100-vjetorit të Pavarësisë, me urdhër të ministrit të Shqipërisë të Turizmit, Kulturës,
Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, shpallet konkurs mbarëkombëtar për realizimin e shtatores
kushtuar Dom Nikoll Kaçorrit, zv.kryeministër i Qeverisë së Ismail Qemal Vlorës në
vitin 1912. Sipas njoftimit të GKA-së, “shtatorja duhet të jetë figurative dhe
realiste, pasi i kushtohet një personaliteti historik, të njohur e të rëndësishëm
të historisë shqiptare”. Shtatorja përfundimtare do të derdhet në bronz e do të
vendoset në një nga sheshet e qytetit të Durrësit. Konkursi është i hapur për individë
dhe për grupe artistësh, të cilët mund të konkurrojnë vetëm me një bocet, i cili duhet
të jetë i punuar enkas për këtë konkurs. Boceti pjesëmarrës duhet të jetë me lartësi
nga 50 cm deri në 90 cm dhe mund të realizohet në materiale të ndryshme. Afati i dorëzimit
të tyre është nga data 1-29 prill. Vlerësimi artistik është 1 700 000 lekë.