2013-02-05 14:53:38

Nga veprimtaria e Kishës në botë


Romë:Sot, pranë Universitetit Papanor Gregoriana, u mbajt konferenca publike për paraqitjen e veprimtarive të para të Qendrës për mbrojtjen e të miturve, pranë të njëjtit Universitet (Centre for Child Protection). Gjatë konferencës, folën disa personalitete kishtare e publike, që merren pikërisht me mbrojtjen e të miturve, ndërmjet të cilëve, atë Hans Zollner, drejtor i Institutit të Psikologjisë, pranë Gregorianës.
U theksua me forcë rëndësia e mbrojtjes të të miturve përballë çdo rreziku shpërdorimi nga ana e të rriturve, edhe në mjediset klerikale.

Viti i fesë: sot, pranë Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë u organizua një konferencë për paraqitjen e ekspozitës “Udha e Pjetrit”, vendosur në mjediset sugjestive të Kështjellës së Shën Engjëllit, në zemër të Romës. Fjalën kryesore e mbajti imzot Rino Fizikela, kryetar i Këshilit Papnor për Ungjillëzimin e Ri, ndërsa ekzspozitën do ta përurojë nesër, sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone.

Romë-Trabzon: Kujtohet, me një Meshë kremtuar në bazilikën e Sh’na Krygjës së Jeruzalemit në Romë, dom Andrea Santori, meshtar fidei donum, vrarë më 2006 ndërsa lutej, në famullinë e Shën Marisë, në Trabzon të Turqisë. Meshën e kryesoi imzot Guerino Di Tora. E njëkohësisht me këtë Meshë, një kremtim tjetër eukaristik u mbajt në Trabzon, kryesuar nga imzot Mateo Xupi, që shoqëronte një grup shtegtarësh. Kremtim tejet prekës, mbi atë elter, ku ndërroi jetë meshtari martir, të cilin Papa Benedikti XVI e ka quajtur: “Shërbenjës i heshtur e guximtar i Ungjillit”.

Milano: Në kishën e Shën Mauricit, pranë Manastirit të Madh, u kremtua Liturgjia Hyjnore me rastin e 1150 vjetorit të fillimit të misionit ndërmjet sllavëve nga ana e shenjtorëve Çirili e Metodi, Pajtorë të Evropës.

Në Uashington u kremtua “Mëngjesi tradicional i lutjes”, organizuar nga një Komision i posaçëm, i përbërë nga senatorë e kongresistë të SHBA-së. Ashtu si viteve të kaluara, në takim mori pjesë edhe presidenti amerikan, Obama. Të pranishëm edhe 160 delegacione nga mbarë bota, që nisën ballafaqimin për bashkëpunim sa më të frytshëm në projekte të solidaritetit, zhvillimit e përparimit njerëzor. Për herë të dhjetë, në këtë takim merr pjesë edhe kryetari i Lëvizjes së Përtëritjes në Shpirtin Shenjt për Italinë, Salvatore Martinez.

Në Milano u mbajt sot një Konferencë me temë: “Pranvera arabe dhe të drejtat e njeriut: situata e perspektivat”. Organizatore, Rrethet Gjon Pali II dhe Bashkimi i sipërmarrësve dhe drejtuesve katolikë. Folën disa nga specialistët më të njohur të kulturës arabe, duke kujtuar se kemi të bëjmë me një problem larg kufijve tanë, por me ndikim të fuqishëm mbi ekonominë ndërkombëtare, mbi drejtpeshimin botëror dhe mbi të drejtat e njeriut. Madje, shumë më tepër se mund të mendohet.

Vatikan: Nesër, në Vatikan, do të jetë për vizitë një delegacion i Kazakistanit. Rasti: përkujtimi i dhjetëvjetorit të Kongresit I ndërfetar të Astanës, organizuar nga presidenti i Kazakistanit, Nazarbajev.
Paradite delegacioni do të takohet me Atin e Shenjtë; pasdite do të marrë pjesë në një takim pranë Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar. Takimi do të pëfundojë me një darkë, organizuar nga ambasada e Kazakistanit pranë Selisë Apostolike.







All the contents on this site are copyrighted ©.