2013-02-05 14:52:55

Koncert për nder të Papës e të Presidentit Napolitano: Kisha e Shteti bashkëpunojnë për të mirën e përbashkët.


Shtatë vjet përvoje e reflektimesh të përbashkëta. Kështu e quajtën Benedikti XVI dhe Presidenti Giorgio Napolitano rrugën e përshkuar së bashku deri në përkujtimin djeshëm të 84-vjetorit të Pakteve Lateranense. E pikërisht me rastin e këtij përvjetori u mbajt edhe Koncerti në Vatikan. Në program, Simfonia “Forca e fatit” e Gjuzepe Verdit dhe Simfonia n. 3 e Betovenit, nga e cila Papa mori shtytjen për të reflektuar mbi perspektivën e dashurisë hyjnore, që i hap feja njeriut. Në skenë, poshtë veprës monumentale të Perikle Fazinos “Ngjallja”, më mahnitëse se kurrë nën lojën mjeshtrore të dritave, Orkestra e mirënjohur e Majit Muzikor Fiorentin, me drejtuesin e saj të shquar, mjeshtrin Zubin Mehta, i cili dje shprehu, në mikrofonin tonë, emocionet e rralla të këtij koncerti.
I emocionuar thellë, edhe publiku, në Sallën e Palit VI, i pranishëm në një Koncert me dy domethënie: një historike e një tjetër, muzikore, ndoshta të papërsëritshme: Paktet Lateranense, në 84 vjetorin e tyre e prania e Zubin Mehtës, në koncetin e parë para Papës e në shtëpinë e Atit të Shenjtë. E akoma, fillimi i kremtimeve lidhur me përvjetorin e Pakteve. Para se të fillonte koncerti, sipas një note të Sallës së Shtypit të Vatikanit, Papa i shprehu kreut të Shtetit italian, “vëmendjen dhe pjesëmarrjen në takimet e rëndësishme, që e presin së shpejti popullin e Italisë”. Një takim i shkurtër, por intensiv, në kontekstin e afrimit të përfundimit të shtatëvjeçarit presidencial, karakterizuar, siç dihet, nga nderimi i thellë reciprok. E ishte vetë Presidenti Napolitano ai, që e kujtoi këtë, duke marrë fjalën, pa e fshehur emocionin e thellë, para se të fillonte koncerti. Duke kujtuar pikërisht Paktet Lateranense e duke krijuar atmosferën e një lloj lamtumire publike, Napolitano përmendi rrugën e gjatë të përshkuar, për arritjen e një bashkëpunimi të qetë e besimplotë ndërmjet Shtetit e Kishës, në shërbim të së mirës së përbashkët, por edhe rastet e takimeve, të dëgjimit, të dialogut reciprok, motiv i përhershëm pasurimi:
“Do të vijojmë, Shenjtëri, si italianë, në çfarëdo pozite, t’i kushtojmë vëmendje mesazhve Tuaja, duke përfituar prej tyre për t’u pasuruar”.
E këtë ndarje të përbashkët të përvojës dhe të reflektimeve, për të cilën po flasim, e kujtoi, më pas, edhe Papa i cili, në përfundim të koncertit, foli kryesisht për ndikimin e muzikës mbi zemrën njerëzore. Kujtoi fillimisht Gjuzepe Verdin, në dyqindvjetorin e lindjes, muzikant i cili, nënvizoi Papa, të prek thellë me aftësinë për të shprehur, me tinguj, situata të ndryshme të jetës e, posaçërisht, dramat e shpirtit njerëzor. Fati i personazheve të tij është gjithnjë tragjik e kështu, edhe “Forca e fatit”:
“Por duke përballuar temën e fatit, Verdi detyrohet të përballojë drejtpëdrejtë edhe temën fetare, të ballafaqohet me Zotin, me fenë, me Kishën; kështu del në pah edhe një herë shpirti i këtij muzikanti, shqetësimi i tij, në kërkim të besimit”.
Në këtë vepër gjejmë dy histori pendimi e afrimi tek Zoti e edhe një finale të modifikuar me dashje nga autori, për të përfunduar me perspektivën e faljes e të lutjes drejtuar Zotit:
“Këtu ravijzohet drama e jetës njerëzore, vulosur nga fati tragjik e nga malli për Zotin, për mëshirën e dashurinë e Tij, që japin dritë, kuptim, shpresë edhe në errësirën më të thellë. Feja na e jep këtë mundësi, që nuk është e rreme, por reale”.
Ndërsa, duke folur për Simfoninë e 3-të të Betovenit, e posaçërisht për episodin qëndror të Marshit funebër, Papa vërejti se tingujt e fuqishëm të muzikantit gjenial na nxisin të reflektojmë për jetën e përtejme, për pafundësinë. Njeriu kërkon kuptimin e jetës dhe gjen shpresën e sigurtë jo vetëm për vete, por për mbarë njerëzimin.







All the contents on this site are copyrighted ©.