2013-02-05 19:01:48

Don Gjergj Meta: 6 shkurti si dita e memories shqiptare


Shkurt 2002! Sapo ishte përuruar Katedralja Katolike e Tiranës dhe unë isha prift i ri i caktuar të shërbeja aty. Ndërsa një mbrëmje po përgatitesha të kremtoja Meshën e Shenjtë, më afrohet një burrë i moshuar i cili ecte me ndihmën e dy patericave, me kësulën e malsorit në krye dhe mustaku me dy cepa e tij që i çoheshin përpjetë duke që i dha një pamje mjaft krenare atij njeriu. Më përshëndeti me fjalët tradicionale që përdoren kur takohet një meshtar: “Kjoftë lëvdue Krishti, zotni!”. I përgjigjem: “Gjithmonë e jetës”. Ai vuri re nxitimin tim për të filluar Meshën, por më ndali e duke më shikuar drejt e në sy më tha: “A e din ti Patër çfarë dite asht sot?”; “Jo – i thashë – nuk e di”. “Po ta them unë – vijoi ai – Sot e 35 vjet ma parë këtu në Tiranë, kur ti ende nuk ke pas le, pikërisht në kët qytet Enver Hoxha nisi, me fjalimin e tij, sulmin kundër fesë e unë kam ardhë nga Puka me pa Meshë e me u lut pikërisht ktu te kjo Katedrale e cila në zemër të Tiranës, asht shenja ma e mirë se Zoti nuk vritet”.
Në të vërtetë atë ditë nuk e kisha menduar këtë gjë. E as nuk kisha menduar që ajo Katedrale ngrihej karshi “një katedraleje” tjetër (Piramida e diktatorit) e që ky i fundit nuk e kishte menduar kurrë se një gjë e tillë mund të ndodhte, kur mbajti fjalimin e tij. Atëherë bashkë me Lleshin u ngjitëm te kapela e vogël pas altarit kryesor të Katedrales së Shën Palit në Tiranë për të kremtuar Meshën e për të falënderuar Zotin që na liroi nga një e keqe aq e madhe si sistemi ateist komunist.
E kam menduar gjithmonë këtë episod. Më vonë kam lexuar edhe tekstin e asaj dite për Revolucionarizimin e mëtejshëm të partisë dhe pushtetit popullor, të mbajtur nga Enver Hoxha me 6 shkurt 1967. Është shumë interesante sipas meje të mendohet se pse ndalimi i besimit u bë në kontekstin e një revolucioni kulturor dhe jo në një kontekst tjerë. Ndoshta sepse duke e barabitur me një kulturë, regjimi e kishte të lehtë ta kthente besimin në një subkulturë, punë injorantësh, e kështu ta ndalonte krejt atë sikurse edhe u bë. Besimi prodhon kulturë, por nuk identifikohet tout court me një kulturë e madje as me një moral. Besimi është një fenomen që i përket thelbit të njeriut, një marrëdhënie personale me hyjninë e si çdo marrëdhënie personale prek natyrën e njeriut në esencën e saj. Dobësimi apo sulmi ndaj kësaj përmase është drejtpërdrejtë dëmtim i thelbit të njeriut. Pikërisht këtë gjë donte të bënte pushteti komunist, por nuk ia arriti krejtësisht.
Atentati ndaj besimit nga ana e shtetit komunist shqiptar në atë kohë u parapri e u shoqërua me një propagandë urrejtjeje pothuajse patologjike ndaj besimit në shumë dimensione, në shkollë, në kulturë, në letërsi, kinematografi etj. Gjithçka që e lidhte njeriun shqiptar me fenë duhej këputur në rrënjë, madje deri edhe gjuha e cila duhej të ishte në funksion të njeriut të ri komunist, prandaj edhe krijimi i një standardi ishte kryekëput shkëputja nga një “botë e vjetër”, irracionale, dhe hyrja në një botë të re, pothuajse “parriziake” e komunizmit. Botë e cila në të vërtetë rezultoi e kalbur dhe shpërtheu nga brenda.
Pasojat qenë të tmerrshme për njeriun. Bjerrja e Hyjit është bjerrja e njeriut. Nuk ka as më të voglin dyshim se heqja e horizontit të përtejmë, fshirja e tij me sfungjer, sikurse donte Niçja, është bjerrja identitare më tragjike për njeriun. Përvoja e këtyre dekadave të shekullit XX e fillim shekullit XXI na ka treguar se përjashtimi i Zotit nga jeta e njerëzve, në të gjitha format e tij, e kthen këtë jetë në një kaos të vërtetë, në kuptimin e humnerës në të cilën njeriu bie pa ia ditur fundin.
Kohët aktuale nuk janë larg zgripit të greminës pikërisht sepse kanë marrë një drejtim pa fund e pa krye. Unë kam mendimin se ka një krizë globale orientimi të njerëzimit. Kjo është një krizë thelbësisht e shpirtit.
Nga kjo krizë ne (në Shqipëri nënkuptohet) nuk jemi të përjashtuar. E vetmja gjë që na dallon janë trajtat specifike që merr kjo krizë. Faturimi i kësaj krize vetëm politikës apo gjithsesi diçkaje jashtë nesh, apo edhe të kaluarës, mendoj është tërheqja e vëmendjes nga thelbi i problemit, pasi faturën duhet ta paguajmë te gjithë me anë të një reflektimi serioz rreth faktit se ku po shkojmë dhe se ku duhet të shkojmë...!
Kam bindjen se një nga simptomat (dhe shkaqet) e kësaj krize globale është pretendimi se Zoti duhet të dëbohet nga jeta e njerëzve (Marks dhe Nice) ose të mbyllet në sakrestitë e Tempujve apo të ndërgjegjeve, por pa ndikim në jetën publike (laicizmi). Nuk mund të ndërtohet një shoqëri pa Zotin.
Duke iu rikthyer edhe një herë ditës së sotshme, në atë fjalim të Enver Hoxhës më shumë flitej për burokratizimin e jetës politike dhe të pushtetit, por ajo ditë ishte kulmi dhe nisja e një egërsimi tjetër ndaj besimit dhe institucioneve të tij që kishte filluar qysh më 1945.
Sot më shumë se kurrë ne kemi nevojë të kujtojmë se vendimet politike nuk mund të sundojnë mbi ndërgjegjet e njerëzve të cilat janë zëri i Zotit për njeriun. Asnjë politikë, asnjë mazhorancë, asnjë institucion apo organizëm shoqëror, ekonomik apo ushtarak nuk mund assesi të jetë përmbi Hyjin dhe ndërgjegjen e njeriut. Kur kjo pretendohet njeriu kthehet në ujk për njeriun dhe ka pasoja shkatërruese për paqen e përbashkët. Nëse komunizmi iku (kurrë mos u ktheftë!) duhet gjithmonë t’u ruhemi atyre formave më të sofistikuara që Zotin e reduktojnë vetëm në sferën e jetës private që më shumë se kurrë janë aktuale sot.
Në këtë ditë të sotshme më shumë se sa inat apo shfryrje duhet reflektim dhe falje. Falje e dhënë e falje e kërkuar. Falje e dhënë nga ata që ende kanë në trupat dhe zemrat e tyre plagët e shkaktuara nga një regjim barbar. Falje e kërkuar, nga ata që këto plagë i shkaktuan. Zemra e Zotit është e hapur për të gjithë pa përjashtim. Vetëm ai nuk refuzon kërkend edhe kur ne njerëzit e bëjmë këtë gjë. Kërkim falje dhe jo cinizëm duke përkujtuar apo lartësuar Himmler-at shqiptarë të cilët kanë masakruar popullin e vet madje duke i quajtur edhe “burra shteti”.
Nga Gjergj Meta







All the contents on this site are copyrighted ©.