6 shkurti 1967 - njollë e zezë në historinë e popullit shqiptar
Me 6 shkurt 1967, 46 vjet me parë, diktatori Enver Hoxha mbajti fjalimin më
famkeq, me të cilin niste revolucioni kulturor, kopje e turpshme e atij kinez e
njollë e zezë në historinë e një Kombi që, duke qenë thellësisht besimtar, u shpall
i pa Zot, madje i vetmi në botë. Në emër të luftës kundër zakoneve prapanike dhe
mbeturinave fetare, shteti komunist shqiptar mori një vendim të përçudur e nisi sulmin
për prishjen e kishave e xhamive, duke ndaluar me ligj predikimin e çdo lloj feje. U
rroposën këmbanaret e minaretë, u kthyen në gërmadhë viset e shenjta, u zhdukën shenjtorët
nga kalendaret, e u cënua deri Kushtetuta e shtetit, së cilës iu shtua neni i veçantë,
që e shpallte Shqipërinë “shtet ateist”. Nisi në Durrës, beteja famkeqe: në emër
të një rinie, që ditën rrënonte tempujt e natën i kërkonte Zoti falje për krimin e
kryer kundër Tij, për zhdukjen emrit të Tij nga jeta, për ta zëvendësuar me emrin
e një aventurieri ballkanik, që ëndërronte të ulej vetë në fronin e Perëndisë. Viktimat
qenë të shumta: biblioteka me libra të rrallë, ikona të vjetra të papërsëritshme,
vlera arkitektonike e etnografike. Në atë pranverë të akullt, Shqipëria ngrohej në
flakët e zjarreve, ndezur me një lëndë të veçantë: libra. Ngrohej a digjej? Kur digjej
Ungjilli, Lajmi i Mirë, që ia kishte ngrohur zemrën e Lahuta e Malcís, që ia kishte
mbajtur gjallë kujtesën kombëtare? Kur shembeshin një mori ndërtesash, kur njeriu
shqiptar bëhej më pak njeri, duke humbur shumë nga vlerat njerëzore e shqiptare? Lufta
kundër institucioneve fetare u kthye në luftë kundër vetë njeriut, kundër së drejtës
së tij më fisnike, lirisë themelore, pa të cilën nuk mund të ketë asnjë liri tjetër:
asaj të fesë. Liria u mbërthye në hekura të kryqëzuara e në vargonj, për ata, që guxuan
të deklarojnë se nuk e kishin ndër mend të adhuronin një idhull të ri, diktatorin,
në vend të Zotit të popujve e të kombeve. Ishin klerikë e besimtarë, të vënë në shenjestër.
E në radhë të parë kleri katolik, që shtoi radhët e martirëve të Kishës Universale.
Jo më kot Papa Gjon Pali II do ta quante kardinalin e parë shqiptar, Mikel Koliqin,
në pranga më 6 shkurtin famëkeq, rrap madhështor, i cili, së bashku me sivëllezërit
priftërinj e rregulltarë, përballoi uraganin më të rreptë që shfryu mbi Kishën katolike,
qysh në kohën e Cezarëve romakë e të sulltanëve të Turqisë. Ndërkaq radiot buçisnin,
duke dhënë me bujë lajme rrënimesh: të faltoreve e të shpirit të njeriut, rrënime
me pasoja tejet të rënda, që u duken qartë që në ditët e para, kur u rrënua vetë
diktatura ateiste, e aftë për të lënë pas njolla kaq të zeza në historinë e kombit.
Njolla e farsa, që kërkojnë rishkrimin e ndershëm e të paanshëm të kësaj periudhe
të historisë së Shqipërisë. Kishat e xhamitë i lartojnë përsëri këmbanaret e minaretë
e tyre drejt qiellit si “rrufepritëse”, siç do të shprehej dom Simon Jubani në Meshën
e parë,më 4 nëntor 1990, sinjal i shembjes së vetë diktaturës, për t’i larguar rrufetë,
që i këcënojnë gjithnjë popujt, kur humbasin shpirtin.