2013-02-04 16:20:40

Dialog me Islamin në Indonezi: dëshmia e një misionari saverian


Indonezia është vendi më i populluar mysliman në botë, por aty jeton edhe një bashkësi katolike, mjaft aktive. Misionarë të shumtë impenjohen çdo ditë në dialogun me kulturat e ndryshme, që bashkëjetojnë në këtë vend aziatik. Atë Mateo Rebeki, meshtar saverian, që prej 14 vjetësh në Indonezi, merret me formimin e të rinjve. Ja ç’na tregon për misionin e tij:
Jam dërguar fillimisht në ishujt Mentauai, një arkipelag i vogël në perëndim të ishullit të Sumatrës, ku misioni është i tipit tradicional, një mision në pyll, ku mungon pothuaj gjithçka. Në kohën kur kam ardhur unë, mungonte telefoni, elektricitet kishte vetëm në mbrëmje, komunikimi ishte i vështirë, duhej kaluar deti për të shkuar në Sumatra e lidhjet me qendrat më të rëndësishme të Indonezisë ishin shumë të rralla. Kultura e vendit ishte akoma tradicionale.
Ç’do të thotë ta jetosh fenë në një ambient të tillë?
Më kujtohet një udhëtim, gjatë të cilit eca pesë orë në llucë e për një çast, thashë me vete: po për çfarë po shkoj këtu? Kremtova meshën për 15 vetë, në një fshat, pas një udhëtimi shumë të vështirë dhe e pyesja veten ç’kuptim kishte e gjithë kjo. Por pikërisht në atë fshat kuptova se kisha shkuar të kremtoja meshë, sepse Zoti i donte ata njerëz, ashtu si më do edhe mua. Prandaj, kjo marrëdhënie dashurie me Hyjin ishte motivacioni i misionit e justifikonte lodhjen time.
Ju jeni transferuar në Xhakartë e tani merreni me formimin e të rinjve…
Xhakarta është metropol me rreth 15 milion banorë, nuk dihet saktësisht sa njerëz banojnë këtu. Prandaj, ndryshimi ka qenë mjaft i madh. Por, këtu Hyji më ka dhënë një dhuratë të re: marrëdhëniet me myslimanët. Vërtet, këtu në Indonezi, akoma jetohet në një atmosferë bashkëpunimi e tolerance, ka mundësi për dialog. Ka shumë grupe, që punojnë për dialogun ndërfetar e bashkëpunojnë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Këtë vit kemi programuar një sërë takimesh të përmuajshme me personalitete myslimane, që vijnë t’u flasin seminaristëve tanë. Shohim se ata janë të kënaqur, vijnë me dëshirë, krijojnë marrëdhënie e bashkëpunime. Është një atmosferë e bukur, dhuratë e Zotit, sidomos për mua, që nuk e njihja Islamin e myslimanët. Gjëja më e mirë që kam gjetur këtu në Indonezi është bukuria e marrëdhënieve. Njerëzit janë akoma të gatshëm për të krijuar marrëdhënie vëllazërore. E vëllezërit e mi janë të krishterë, myslimanë e të feve të tjera, të gjithë, të dashur nga Zoti. Uroj që ky Vit i Fesë të na ndihmojë të reflektojmë e të bindemi gjithnjë e më shumë se dashuria e Hyjit është e pafundme për secilin prej nesh.







All the contents on this site are copyrighted ©.