Imzot Gjergj Volaj, ipeshkëv e martir shqiptar në përvjetorin e pushkatimit
Duke shfletuar kalendarin historik, sot më 3 shkurt përkujtojmë pushkatimin e Imzot
Gjergj Volajt, ipeshkëv i Sapës e martir i fesë së krishterë në Shqipëri. Pra në ditën
e festës së shën Vlashit, më 3 shkurt, përkujtojmë 66-vjetorin e pushkatimit të imzot
Gjergj Volajt, ish-ipeshkëv i Sapës nga regjimi komunist i Tiranës. Bari i mirë
shpirtëror, i palodhshëm, predikatar i shquar i Fjalës së Zotit, imzot Gjergj Volaj
qe një figurë e jashtëzakonshme kishtare e kombëtare, organizotar i mirë i veprimtarisë
baritore në dioqezën e Sapës, u dallua për besnikëri shembullore ndaj parimeve Ungjillore
e kishtare, qe dëshmitar i guximshëm i Krishtit e mbrojtës i thesarit kishtar e kombëtar,
që gjë vulosi me vdekjen prej martirit të fesë. Ja çka shkruan për këtë figurë të
jashtëzakonshme kombëtare e kishtare të imzot Gjergj Volaj revista “Kumbona e se Dieles”. IMZOT
GJERGJ VOLAJ - IPESHKËV I SAPËS Gjergji, në mësime gjithmonë i dalluar mbi të gjithë,
vlerësohej me medalje të arta të Kolegjit
Në fshatin Shirokë, në atë shpat
të malit Tarabosh, në freskinë e ajrit, qartësinë e liqenit dhe në kundërmimin e blerimit
të maleve, përgjithësisht ndër familje peshkatarësh brez pas brezi kanë lindur fëmijë,
pasardhës të mirë, të zgjuar që në gjurmët e jetës kanë mbetur emra në zë, KOLIQI,
HARAPI, VOLAJ, RAKAJ, NOGA, RADOVANI, KOKAJ, etj. Në familjet e këtij fshati bëhej
një jetë e brendëshme me të vërtetë e shenjtë me edukim, punë dhe lutje. E kesaj
natyre ishte familja e peshkatarit Cuk (Lazër) Volaj. Në thjeshtësinë e një jete të
varfër dhe të zgjuar, në këtë familje më 21 shtator 1905 lindi fëmija i parë, Gjergji.
Shtëpia u mbush me dritë, jeta në familje u bë më e gëzueshme, gjithmonë duke e falenderuar
Zotin për këtë dhuratë të bukur. Më vonë një gëzim i ri gëzoi prindërit. Në vitin
1910 një ndriçim i ri, lindi djali i dytë Kola. Familja u plotësua për mrekulli, por
krahas gëzimeve, dalin përpara edhe vështirësi që duhen përballuar. Babai, kryefamiljar,
vdiq i ri dhe fëmijët e vegjël mbetën jetimë. Nëna Tone, nënë tipike katolike, grua
e bekuar, që çdo gjë ia kushtonte vullnetit të Zotit, e gjendur ngusht në varfëri,
gjen mbështetje për të rritur jetimët në famullinë e Leonard Shajakaj në Bishkas,
Theth e Shosh. Gjergjin, djalin e madh, e dërguan që të vazhdonte mësimet në Kolegjen
Saveriane, pasi ato fillore i kishte kryer në shkollën e Shirokës. I lutej nënës
që ta bekonte për t'u bërë meshtar Në mësime gjithmonë i dalluar mbi të gjithë,
vlerësohej me medalje të arta të Kolegjës. Më 1916 ishte 11 vjeç. Gjergji krejt
i vogël, provoi thirrjen e Shpirtit të Shenjtë. I lutej nënës që ta bekonte për t'u
bërë meshtar. Nëna Tone, gruaja me shpirt mirësie, me virtyte të rralla, nëna iu përgjigj,
ia dha bekimin, e uroi me zemër për rrugën e meshtarisë. Kështu bindemi se ditët e
lindjes së fëmijëve në këtë familje ishin aq të ndritshme dhe të gëzueshme, kishte
hyrë brenda Shpirti i Shenjtë me thirrjen e vet. Edhe djali i dytë Kola (P. Viktori)
provon në vetvete një thirrje shpirtërore, t'i kushtohet jetës rregulltare të meshtarit. I
lutet nënës dhe nëna aq e mirë, aq bujare, i bekoi duke i thënë: “U bëftë mbi ju vullneti
i Zotit!”. Ishte shembulli i përvujtërisë i një nëne katolike. Atëherë kur ishin
të vegjël, megjithëse me hallet e jetës, nëna e vet u këndonte: “Flej qetësisht
n'at djep moj njome, pusho n'paqe me ej e zana, si ma t'mirin nder gjithë kombe për
Shqipni tash t'rritë ty nana.” (Nga D. Ndre Zadeja)
Të ndjekim jetën
e Gjergjit Në vitin 1926 rrugën e përgatitjes për meshtar e plotësoi me mësimet
e larta në Padovë në Itali. Edhe atje i respektueshëm u dallua në mësime. Kardinali
Dalla Costa, Ipeshkëv i Padovës, i prezantoi me përgjegjësin Delegatit Apostolik në
Shqipëri Della Pietra, studentin Gjergj Volaj, si ekzemplar të veçantë. Më
26 korrik 1930 u shugurua meshtar nga Imzot Lazër Mjeda. Ishte 25 vjeç. Fillimisht
u emërua në Malin e Jushit, por shërbeu gjatë si famullitar në Shkrel. Dom Gjergj
Volaj, meshtar i ri, në natyrë i përshpirtshëm, me aftësi të madhe gojtarie, me hapin
e misionarit shpateve të maleve, i ëmbël pranë vuajtjeve, ngushëllues në jetën e ashpër
të malësorëve, fitoi admirimin e besimtarëve dhe vlerësimin e hirearkisë kishtare. Në
vitin 1936, kur ishte vetëm 31 vjeç, me hijeshinë e meshtarit të devotshëm, me pjekuri
dhe dinjitet, u shugurua ipeshkëv për dioqezën e Sapës, me qendër në Nënshat. Ishte
më i riu ipeshkëv, por me aftësi dhe kulturë të lartë. Krahas me kryeipeshkvin Imzot
Gaspër Thaçi, Imzot Nikollë Deda, Dom Ndre Zadeja, Dom Jak Ceka, Dom Luigj Prendushi,
Dom Lek Dredha, Dom Nikollë Mazrreku, Dom Loro Nogaj, etj, ishte organizator i Kishës
në të gjithë Zadrimën. Punoi si shembull i shkëlqyer i jetës katolike. Mbante të gjallë
(me letrat baritore, shprehje gojëtarie e shembuj frymëzues veprimtarie) zemrat e
besimtarëve, duke ia forcuar besimin në Zotin. Mbahet mend, në Shkodër më 26 maj
1946 ndërroi jetë Imzot Gaspër Thaçi. Procesioni i përmortshëm nëpër rrugët e qytetit,
megjithëse ishin marrë masa tepër të rrepta nga pushteti që të pengonte në çdo mënyrë
procesionin, ai u bë aq madhështor dhe masiv, saqë u vlerësua si manifestim i papërsëritshëm
kundër komunizmit. Në meshën e përshpirtshme ceremoniale, fjalën e rastit e mbajti
Imzot Gjergj Volaj. Ende i mbetur në veshët tanë fjalimi i paharrueshëm prestigjoz
historik, madje i guximshëm, nga podi predikatar në Katedrale mbushnin si asnjëherë,
brenda e jashtë me popull besimtar e Shkodrën mbarë. Paraqitja e Imzot Volaj si prijës
me shkopin baritor në dorë, me gojëtarinë e rrjedhshme të predikatarit me forcë fjale,
i prekur thellë nga dhimbja dhe trazimet e kohës, ka mbetur shprehja gojore e një
fjalimi më të fuqishëm i predikatarit, ku respektohej dhe naltohej figura fetare dhe
atdhetare e Imzot Thaçit, kur thirri me zë të lartë: I paharrueshmi kryeipeshkëv
Imzot Thaçi! Ti përgjithmonë shqiptar! Ti përgjithmonë meshtar, katolik, apostolik
romak! Ishte ky fillimi i fjalës plot zë e forcë që ushtoi edhe jashtë katedrales
dhe u përhap kudo si një definicion paralajmërues i një vije të palëkundshme të të
gjithë klerit katolik që do të vazhdonte rrugën e mundimeve në kalvarin e madh deri
në martirizim.
I dënuar me vdekje Imzot Gjergji Nuk harrohet edhe
jehona e fjalës në shpatin e kështjellës Rozafat në ditën e festës së Zojës së Këshillit
të Mirë më 25 prill 1946. Shtegtim i vërtetë masiv i një populli besimtar në këtë
Shenjtërore, të ardhur e të grumbulluar nga qyteti e të gjitha katundet e Shkodrës
për festën e Zojës. Mesha e kremtua nga Imzot Volaj. Predikatari i njohur imzot Volaj,
me ngulm, aftësi e zgjuarsi, foli për devocionin e Zojës, për besën e shpresën e qëndrueshme
te Mbrojtësja e Shkodrës dhe e Kishës Katolike në këto kohë të vështira. Ishte predikimi
i fundit... Porosi për lutje, thirrje për besim në Zotin. Ky fjalim paralajmërues
i fundit të shpejtë. Tek shkruaj, më duket se afrohen bashkë me mua të gjithë ata
që e njohën dhe ia dëgjuan zërin, duan të flasin për ipeshkëvin Imzot Gjergj Volaj,
por edhe lotojnë sepse ia morën jetën krejt të pafajshëm. Ishte koha e luftës së djallit
kundër Krishtit. Në rrethana poshtërimi u arrestua Imzot Gjergj Volaj. Për akuza të
pavërteta e torturua mizorisht. U dënua me vdekje. Për çudi (ndoshta edhe për
të lehtësuar fajin e dënimit të padrejtë) u lejua një takim special për nënën e tij
një ditë para pushkatimit të të birit. Ishte me të edhe ndonjë familjar tjetër. U
duk ky takim si ndonjë nga ndalesat në rrugën e mundimshme të Kalvarit: Ndalesa e
Katërt Jezu Krishti i dënuar për vdekje takon nënën e vet. Sa dhimbje të mëdha kanë
provuar këto dy zemra të pastra e të dashura. I dhimbshëm dhe i ngjashëm takimi
me nënën e vet Tone, i të dënuarit me vdekje Imzot Gjergj Volaj një ditë përpara pushkatimit.
Ai e ngushëlloi nënën e vet tek e pa aq të rrënuar. “Nënë, mos vajto atë që tani sheh
tek unë. Qaj ditët më të vështira që do të vijnë”. Ia shtrin dorën mbi kokë dhe i
thotë: “Qofsh bekuar nënë!”. Të therura zemre, lot, por bekim për amshim. “Qofsh i
bekuar, biri i nënës!” iu përgjigj nëna. Krismat në orët e para të mëngjeseve të
atyre kohëve ishin gjithnjë ogurzeza. 3 shkurt 1947 pas vorreve, aty tek zalli
i Kirit, u pushkatuan pesë veta të hedhur në një gropë. Bashkë me Imzot Gjergjin
ishin Cin Serreqi, Dulo Kali, Xhelal Hardolli, Bilbil Hajmi.Në atë mëngjes Atë Viktori
dhe Nëna e vet Tone ishin në kishë. Po luteshin, askush nuk pat guxim që t'i tregonte
gjëmën, por krisma e armëve ua kishte shporuar zemrat. Ata shpirtërisht luteshin dhe
kërkonin forcën e Zotit që t'i qëndronin dhimbjes.Por nuk u mbyll këtu dhimbja për
nënën e goditur rëndë nga vuajtjet. Atë Viktori, ai gjuhëtar dhe atdhetar, ai studiues,
etnograf, përkthyes dhe autor i sa e sa shkrimeve e studimeve, bashkëpunëtor i ngushtë
i Atë Justin Rrotës (gjuhëtar i madh i letërsisë shqipe) dhe Atë Gjergj Fishtës, ishte
sekretar dhe komentator i të gjitha veprave të poetit të madh, nuk i shpëtoi dënimit
për vite në internimet komuniste dhe nëna e vet krejtësisht e vetmuar kalonte jetën
e mbështetur në forcën ë Zotit, pranë familjes së Shan Kolë Kuçit. A ishte “haraç”
ky dhumin i kësaj familje të shenjtë? Po kështi ishte e vërteta. Kështu ndodhi dhe
vdiq nëna e tramvajeve, vdiqën dy vëllezër të martirizuar. A thua familja u shua?
Në dukje po, mbetet pas tyre një ndriçim i përjetshëm familjar tamam si në ditën e
lindjes. Lindën dhe nuk vdesin. Kanë fituar amshimin. Mbesin shembuj të rrallë të
kishës. Mbesin për të gjithë frymëzim virtytesh, dëshmie, guximi dhe sakrifice. Janë
përgjithmonë familje martire e ndriçuar e kishës katolike në Shqipëri! nga * Kumbona
e se Dieles *