2013-02-02 17:03:46

Shenjtorët e javës 3-10 shkurt 2013


Më 3 shkurt, Kisha Katolike kremton të dielën e katërt gjatë vitit kishtar e, po me 3 shkut kalendari kujton shën Vlashin, ipeshkëv i Sebastes e martir, shën Ansgarin, ipeshkëv i Hamburgut dhe i Bremës, apostull i Skandinavisë. Është dita në të cilën meditojmë për mrekullinë e shën Vlashit, i cili shpëtoi një fëmijë nga mbytja, pasi kishte gëlltitur një halë peshku, që i kishte mbetur në fyt. Sot, vihen dy qirinj të kryqëzuar në fyt, për të kërkuar mbrojtjen hyjnore të shenjtit.

Të hënën, më 4 shkurt, ndër të tjera, kremtohet festa liturgjike e shën Gjilbertit dhe e shën Jozefit nga Leonesa. Ungjilli na tregon për të djallosurin e shpëtuar nga Jezusi, i cili e shndërroi në një lajmëtar të mrekullive të Zotit kundër së keqes. Forcojeni zemrën, ju që shpresoni në Hyjin.

Ditën e martë, më 5 shkurt, Kisha Katolike përkujton shën Agatën, apo Agen o Agetinën. Dy femra, njëra e vajzë e vogël, në prag të vdekjes e, tjetra, grua me një sëmundje, prej së cilës i vinte turp: këto na paraqet Ungjilli i kësaj dite. Të dyja provojnë pushtetin e dashurisë së Zotit, që i kthen në jetë. Do të thurin lavde o Zot, ata që të kërkojnë, këndon psalmisti.

Më 6 shkurt, të mërkurën e ardhshme, kremtohen shën Pal Miki me shokë, të gjithë martirë e shën Dorotea, virgjër e martire. Fjala e Jezusit në sinagogë, na kujton Ungjilli i Shën Markut, i habit bashkëkohësit e vëllezërit në fe. Megjithatë, shumë nuk e besojnë e madje e përbuzin. Por dashuria e Zotit fiton gjithmonë.

Të enjten, më 7 shkurt, bie festa liturgjike e shën Rikardit dhe të Lumit Piu IX, papë. Ungjilli i ditës na kujton detyrat, që u dha Krishti dishepujve të vet: t’i kthejnë njerëzit në fe, të shërojnë të sëmurët duke i vojuar, të përzënë shpirtrat e ndyrë e të nisen në mision vetëm me sandalet e me një palë petka, pa bukë, pa strajcë, pa para me vete. Dha kështu imazhin e Kishës së ardhshme.

Më 8 shkurt, ditën e premte, Kisha Katolike kujton shën Jozefinën Bakita, virgjër dhe shën Jeronimin Emiliani, themelues i somaskëve, pajtor i jetimëve dhe i fëmijëve të braktisur. Në Ungjill tregohet vdekja e Gjon Pagëzuesit, pararendësit të Krishtit. Zoti është drita e shpëtimi im: reflekton psalmisti.

Të shtunën e ardhshme, më 9 shkurt, kremtohen shën Apolonia, virgjër e martire dhe shën Sabini. Jezusi shumëzon bukët e peshqit për të dëshmuar se Zoti është Bariu i të gjithëve e me Të, nuk na mungon asgjë.

E diela e ardhshme, e pesta gjatë vitit kishtar, është edhe e fundit para Krezhmëve. Kalendari kujton shën Skolastikën, virgjër, motër e shën Benediktit, dhe shën Silvanin. Kisha përgatitet të kremtojë festën e Zojës së Lurdës, që bie të nesërmen, më 11 shkurt, e duke pasur parasysh se njëkohësisht, bie Dita e të Sëmurit, u thotë besimtarëve, me fjalët e Krishtit: “Shko, e bëj edhe ti kështu”, duke u kërkuar të ndihmojnë pikërisht të sëmurët.







All the contents on this site are copyrighted ©.