2013-02-02 17:04:13

Në internet, dorëshkrimet e Bibliotekës së Vatikanit. Imzot Pazini: hap, në frymën universale të institucionit


Pas dy vjetësh pune, që nga e mërkura e kaluar, grupi i parë prej 256 dorëshkrimesh të Bibliotekës Apostolike të Vatikanit, me prejardhje nga Fondi Palatin, mund të konsultohet në internet, në faqen . Është etapa e parë e një projekti më të madh për të dixhitalizuar 80 mijë dorëshkrimet, që ruhen në këtë institucion të rëndësishëm. Të dëgjojmë prefektin e Bibliotekës Apostolike të Vatikanit, imzot Çezare Pazini:
Natyrisht, është hap i vogël, por pritej me padurim. Duhej ta kishim bërë që vitin e kaluar, por patëm disa ditë vonesë… Gjithsesi, jemi të lumtur t’i themi botës se projekti i bën të dukshme dorëshkrimet e Bibliotekës Apostolike Vatikanase, pasi mund të studiohen nga çdo vend, duke u lidhur me internet. Për momentin, pjesa më e madhe e dorëshkrimeve vijnë nga Biblioteka e Hajdelbergut e është pikërisht Universiteti i këtij qyteti, që ka sponsorizuar nismën. Për shembull, një nga më të famshmit, është dorëshkrimi i gjuetisë së zogjve “De arte venandi cum avibus”, pjesë e dorëshkrimeve palatine: një vëllim i njohur i Federikut II, ilustruar me detaje shumë të imta, që tregojnë figurat e zogjve e mënyrën e gjuetisë së tyre. Ky është më i famshmi, nga 256 dorëshkrimet e vendosura në internet. Pastaj, vijnë dorëshkrimet e bukura mesjetare, me tekstet e përdorura në manastire.
Cila është filozofia e vendimit për t’i vënë dorëshkrimet në dispozicion të të gjithëve? Janë gjërat më të çmuara të Bibliotekës së Papës…
Është filozofia e përhershme e Bibliotekës Apostolike të Vatikanit, lindur me Papët Nikolla V, Siksti IV e më vonë me Sikstin V, sipas të cilëve këto pasuri të njerëzimit duhen vënë në dispozicion të atyre, që duan t’i përdorin, t’i njohin e t’i studiojnë. Fillimisht, në atë kohë, duhej të vije në Romë për t’i konsultuar, por kjo mund të bëhej lirisht. Njësoj, sot: mjafton të kesh karakteristikat e një personi, që di t’u afrohet këtyre dokumenteve, tepër të ndërlikuara. Liria për t’i konsultuar, në epokën moderne, do të thotë internet, dixhitalizim. Por fryma është gjithnjë ajo e shërbimit, që ka karakterizuar në shekuj Bibliotekën Apostolike të Vatikanit.








All the contents on this site are copyrighted ©.