2013-02-02 17:02:19

Festa e Paraqitjes së Zotit. Dita XVI Botërore e Jetës së Shuguruar


Papa Benedikti XVI kryesoi Meshën solemne të Festës së Paraqitjes së Zotit në Tempull. Kisha Katolike kremtoi, sipas traditës, Ditën XVI Botërore të Jetës së Shuguruar. Pikërisht për këtë arsye, bashkëkremtuan me Atin e Shenjtë, edhe prefekti i Kongregatës për Institutet e Jetës së Shuguruar dhe Shoqatat e Jetës Apostolike, zv-sekretari i të njëjtit dikaster dhe prelatë të tjerë të ftuar nga Kongregata.
Dita e Jetës së Shuguruar u themelua nga i Lumi Gjon Pali II në vitin 1997. Ajo ka si qëllim ta falenderojë Zotin për dhuratën e jetës së shuguruar, e cila është pjesë e shenjtërisë së vetë Kishës. Gjithashtu, ky është rast për të vlerësuar më shumë dëshminë e atyre, që duan ta ndjekin Krishtin. Ata vetë mund të rinovojnë premtimet bërë Hyjit me jetën e tyre. Gjatë viteve të fundit, Dita e Jetës së Shuguruar është kremtuar në Romë, me Mbrëmësoret, në praninë e Atit të Shenjtë. Për të kujtuar herën e fundit, në të cilën Benedikti XVI ka kryesuar Meshën e kësaj dite, duhet të kthehemi në vitin 2006.
Veçanërisht i bukur, gjatë kremtimit, procesioni fillestar me 50 të shuguruar (25 burra e 25 gra), secili me një qiri në dorë - simbol i Krishtit, secili nga institute të ndryshme, për të shprehur shumëllojshmërinë e shërbimeve e të karizmave të Jetës së Shuguruar, brenda universalitetit të Kishës Katolike. Prekëse, dëshmitë e rregulltarëve e të rregulltareve, që u alternuan në elter në fund të kremtimit, për të folur mbi jetën e tyre kushtuar Zotit, në shërbim të grigjës së Tij. Shkruhet në Enciklikën “Lumen Gentium”: “Kështu Krishti, përmes anëtarëve të Kishës, do ta ndriçojë gjithnjë e më shumë krejt shoqërinë njerëzore, me dritën e Tij, që shëlbon” (Lumen Gentium, 36). Njerëzit, që ia shugurojnë jetën Atij dhe grigjës së Tij, janë ata, që e ndihmojnë Jezusin në këtë detyrë. Kisha u kërkon të gjithë besimtarëve të luten për ta.







All the contents on this site are copyrighted ©.