2013-02-02 17:03:09

Atë Lombardi: Feja e bamirësia!


Disa mesazhe të Papës e të Kishës, kohët e fundit, e përqendrojnë vëmendjen në bamirësinë e besimtarëve, në dashurinë e tyre për nevojtarët, për të sëmurët, për të vuajturit. Zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi, përmes komentit të tij javor, na nxit t’i rimarrim në dorë e të reflektojmë për domethënien e tyre të thellë. Ta dëgjojmë:
“Gjatë javëve të fundit u publikuan disa mesazhe, që meritojnë një reflektim: janë ato të Papës për Ditën e ardhshme Botërore të të Sëmurit, më 11 shkurt dhe për Krezhmët e ardhshme, të cilave po u shtojmë edhe mesazhin e kryetarit të Këshillit Papnor për Baritorinë e Shëndetit, në Ditën e luftës kundër gërbulës, 25 janarin e kaluar. Në këtë Vit të Fesë, duhet t’i jetojmë më në thellësi marrëdhëniet ndërmjet fesë e bamirësisë. Njëra nuk ekziston pa tjetrën; nëse jo, rrezikojmë spiritualizmin e thjeshtë, ose një filantropi, që reduktohet në aktivizmin moralist.
Bukuria, aftësia tërheqëse shpirtërore, besueshmëria e Kishës, që arrin deri në zemra, është pasqyrë e shkëlqimit të bamirësisë, e ngrohtësisë së dashurisë. Një dashuri, që mësohet nga Zoti në fe, duke e ngulur vështrimin mbi Kryqin e Krishtit e duke marrë pjesë në Eukaristi. Shenjtorët si Bernardetë, Tereza e Lizjësë, Raul Folerò, atë Damiani, Vinçenc de Paoli, shqiptarja Nënë Tereza, janë vetëm disa nga më të famshmit, por sa e sa të tjerë besuan në dashurinë e Zotit e prandaj, i deshën të gjithë pa masë, me gjithë zemër, duke filluar nga më të vegjlit e më të vuajturit në korp e në shpirt. Me lirinë sovrane, që u dha ligji i dashurisë, që u dhanë dy urdhërimet e para, të cilat bashkohen në një të vetëm: “Duaj e bëj atë që do!” i thoshte shën Augustini atij, që e lë veten në dorën e Shpirtit të Jezusit. E shën Vinçenc de Paoli shtonte: “Bamirësia është mbi të gjitha rregullat e gjithçka duhet t’i referohet asaj. Është zonjë e rëndë: duhet të bëjmë ç’na urdhëron!”
Në Kishën e bamirësisë, të vegjlit ndjejnë dashurinë e Zotit, që shkon konkretisht drejt tyre; të sëmurët kuptojnë se vuajtja e tyre është udha për një dashuri gjithnjë e më të madhe, të cilën mund t’ia dhurojnë botës së bashku me Krishtin. Fe e bamirësi. T’i dëgjojmë këto mesazhe! Bota mund të bëhet vërtet e re!”







All the contents on this site are copyrighted ©.