2013-02-02 17:03:22

Asambleja e Këshillit Papnor për Kulturën u kushtohet të rinjve


“Kulturat rinore bashkohore”, në qendër të Asamblesë së Përgjithshme vjetore të Këshillit Papnor të Kulturës, që do të hapet në Romë, më 6 shkurt, me një seancë në Universitetin LUMSA, të pasuruar me një koncert muzike rok, ku mund të marrë pjesë kushdo. Më pas, takimi do të vazhdojë me dyer të mbyllura deri më 9 shkurt. Pikërisht në fillim të punimeve, pjesëmarrësit do të priten në audiencë nga Papa Benedikti XVI. Ngjarja, me frymë ndërkombëtare, u paraqit të enjten në Vatikan, nga kryetari i dikasterit për kulturën, kardinali Xhanfranko Ravazi.
Të rriturit dhe bashkësitë e krishtera, theksoi kardinali gjatë paraqitjes së kësaj nisme, e kanë të domosdoshme të dëgjojnë të rinjtë, të cilët shpesh kanë një gjuhë tjetër komunikimi, për shkak të jetës së ndryshme. Ata kanë lindur në epokën dixhitale, vërejti kreu i Këshillit Papnor të Kulturës, komunikojnë me Twitter, me shenja grafike në celular dhe, e kanë zëvendësuar dialogun e kontaktit të drejtpërdrejtë, atë që vë në përdorim shqisat, me “chat”-in virtual në ekranin e kompiuterit. Logjika informatike e “save”(regjistro) e “delete”(shlyej) qëndron edhe në bazën e moralit të tyre të ngutur. Të rinjtë e sotëm duken sikur janë krejtësisht jashtë ndërlikimeve shoqërore, politike e fetare, që i konceptojnë si të padurueshme e thjesht, të krijuara prej të rriturve. Kjo situatë shtron përpara prindërve, mësuesve, meshtarëve e klasës drejtuese të shoqërisë, pyetje të rëndësishme, nënvizoi kardinali Ravazi, i cili përvijoi identikitin e të riut të sotëm:
“Janë individualistë e, megjithatë, ndjekin modën e masës. E ndjejnë veten të lidhur me një etikë të tipit emocional, instinktiv e, megjithatë, i kushtojnë kujdes të jashtëzakonshëm miqësisë. Janë aktivë, por, njëkohësisht, digjen në humnera boshe: mjafton të mendojmë për drogën, por jo vetëm për të. Janë të shkëputur nga bota, nga faqja e jashtme e shoqërisë, politikës e, megjithatë, janë absolutisht më të lidhurit me komunikimin. Në thelb, ata e përbuzin kulturën e amullt, por, nga ana tjetër, muzika është themelore, jo vetëm për formimin, por edhe për jetën e tyre. Thuhet se janë dembelë, se tërhiqen zvarrë – siç ankohet dikush, - por na përplasin vazhdimisht në fytyrë faktin që ne, brezi e shoqëria e mëparshme, i kemi lënë pa punë e nuk shqetësohemi për ta. Janë egocentrikë, por, njëkohësisht, ç’do të bëhej me vullnetariatin, nëse nuk do të ishin të rinjtë dëshmitarët e tij më të gjallë”.
Të rinj, që sipas kardinalit Ravazi, janë e tashmja dhe jo e ardhmja e botës. Në vendet në zhvillim, mëse gjysma e popullsisë ka moshë nën 25 vjeç e përbën 85% të rinisë në të gjithë globin. Këtyre të rinjve u kushtohet Asambleja e Këshillit Papnor të Kulturës, e cila do të analizojë kulturën, gjuhën e ritualet e tyre, prej të cilave do të dalë me një propozim ungjillor, siç shpjegoi delegati i dikasterit, imzot Karlos Alberto Axevedo:
“Duhet ta kuptojmë mërzitjen nga ato praktika kishtare, që s’bëjnë tjetër, veçse thellojnë hendekun ndërmjet të rinjve e Kishës e, nganjëherë, edhe dështojnë. Edhe feja vuan nga ‘lindjet’ e pakta. Brezi i të rriturve, ose nuk di, ose nuk ka kohë për t’u kujdesur për fenë e vet e për të bërë të ‘lindë’ feja në të tjerët”.







All the contents on this site are copyrighted ©.